Meta: Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal

Në Azerbajxhan po mbahet Forumi i 7-të Global i Bakusë, ndërsa pjesëmarrës është edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në Forumin me temë: “Një Politikë e Jashtme e Re”, Meta mbajti një fjalë përshëndetëse në ceremoninë e hapjes, krahas presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe liderëve të tjerë pjesëmarrës në këtë forum.

Në fjalën e tij, presidenti Meta, vlerësoi zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në kontekstin e zhvillimeve të ndryshme ndërkombëtare dhe sfidave të reja me të cilat përballen rendi botëror dhe institucionet ndërkombëtare, theksohet në njoftimin nga Presidenca e Shqipërisë.

Ai ka theksuar se inkurajojnë fort që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të ecë përpara për të arritur një marrëveshje që do të normalizonte përfundimisht marrëdhëniet midis dy shteteve dhe sipas tij do të çonte në njohjen e përbashkët.

Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe zgjidhja e çështjes së emrit midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, sipas presidentit Meta kanë gjeneruar një optimizëm të ri në rajon.

Meta është shprehur se Shqipëria është shumë e angazhuar për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e mëtejshëm të multilateralizmimt, ndërsa ka shtuar se NATO mbetet Aleanca më atraktive për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Fuqitë e mëdha tradicionale po përballen me probleme për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për konfliktet globale, ndërkohë që multilateralizmi nuk është më e njëjta forcë shtytëse për qeverisjen botërore. Kërcënime të reja nga terrorizmi ndërkombëtar po përhapen me të njëjtën shpejtësi si revolucioni teknologjik dhe siguria kibernetike po bëhet një sfidë e madhe për shoqëritë dhe vlerat tona”, ka theksuar Meta.

Në këtë forum, zyrtarë të lartë, politikanë dhe akademikë nga vende të ndryshme të botës diskutojnë mbi sfidat globale dhe nevojën për adoptimin e një politike të jashtme në përputhje me rrethanat e reja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button