Stilistika dhe metrika – pjesa IV

M E T R I K A – Sistem i rregullave sipas të cilave ndërtohet vargëzimi dhe ritmi i vjershës.

Metrika antike – sistem i vargëzimit në Greqinë e vjetër që u krijua aty nga shek. VIII p.e.r. Që nga shek. III p.e.r. filloi të përdoret edhe në Romën e vjetër.

Në metrikën antike nuk ka rimë.

Në botën antike greke poetët nuk i lexonin, por i këndonin vargjet e tyre. Poeti ishte njëkohësisht edhe këngëtar. Si instrument muzikor përdorej lyra, nga ku buron edhe fjala lirikë.

S t r o f a – Bashkimi i dy ose më shumë vargjeve poetike. Varësisht nga numri i vargjeve, strofat mund të jenë: dyvargësh (distiku), trevargësh (terceti), katërvargësh (katreni), pesëvargësh, gjashtëvargësh (sekstinë), tetëvargësh (oktava), nëntëvargësh (nona), dhjetëvargësh (decima) etj.

Strofë e lirë – Strofë e formuar prej vargjeve të ndryshme, me rima të pacaktuar që nisën të paraqiten në letërsinë botërore që në shek XVIII. I përdori poeti italian Gjakomo Leopardi në kanconat e tij. Në letërsinë janë përdorur pak.

Strofë oniegiane – Strofë me të cilën është shkruar romani i Pushkinit Eugjen Oniegini. Përbëhet prej tre katrenave (strofave katërshe, d.m.th. me 4 vargje) dhe prej një distiku (strofë dyshe – me dy vargje), të krijuar prej vargjeve nëntërrokëshe. Katërvargëshi i parë është me rimë të alternuar; i dyti – me rimë të përputhur; i treti – me rimë të kryqëzuar. Distiku – me rimë të përputhur.

Soneti (tingëllima) – lloj strofe e cila sipas rregullave të vendosura në Itali, në Mesjetë, përbëhet prej 14 vargjeve. Në pjesën e parë janë dy katrena (dy strofa katërvargëshe); në të dytën – dy tercena (dy strofa treshe – me tre vargje).

Rëndom janë shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokëshe.

Këmba – Në metrikën antike, është kombinimi i përsëritur i rrokjeve të gjata dhe të shkurtra. Varësisht nga numri i rrokjeve,  këmba mund të jetë 2, 3 dhe 4 rrokësh. Këmbë dyrrokëshe janë: trokeu dhe jambi. Këmbë trirrokëshe janë: daktili, amfibraku dhe anapesti. Këmbë 4 rrokësh janë peonet.

Distiku – Një nga strofat më të thjeshta, dyshe, e përbërë prej dy vargjeve që lidhen mes tyre nga rima e përputhur. Dyvargëshi në poezinë orientale quhet bejte. Shpesh proverbat janë distikë. E gjejmë edhe në shumë këngë popullore. Ja një shembull nga letërsia artistike:

Kroj i fshatit tonë, ujë i kulluar,
Ç’na buron nga mali duke mërmëruar.
Venë mbushin ujë vashat anembanë,
Cipëzën me hoja lidhur mënjanë.
                         (Lasgush Poradeci)

Hemistiku (gjysmëvargu) – Quhet gjysma e një vargu të dyzuar, ose cilado pjesë e vargut që ndahet prej cezurës. P.sh.:

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
                                                            (Çajupi)

V A R G U – Bashkimi i një togu të fjalëve që kanë një numër të caktuar rrokjesh dhe theksash ritmikë. Vargu e merr emrin prej numrit të rrokjeve.

Vargu i lirë – Varg në të cilin numri i rrokjeve të theksuara dhe të patheksuara është i lirë. Vargu i lirë mund të mos ketë rimë. Filluan ta përdorin për herë të parë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Emil Verharen në Belgjikë, Aleksandër Bllok në Rusi etj.

Te ne shkroi në vargje të lira Migjeni. Sot vargu i lirë te ne është mjaft i përdorur. 

Vargu i thyer – Varg i përdorur nga Majakovski. Ky varg është i rregullt, por Majakovski për të vënë në dukje një fjalë, e theu. P.sh.:

Le të bëhem
                njëqind vjet
pa pleqëri
                në jetë
Nga viti në vit
guximi ynë
                le të rritet. 

Vargëzimi metrik

Vargëzimi silabik (rrokjesor) – Metrika e letërsisë sonë artistike bazohet në sistemin e vargëzimit silabik.

Vargëzimi silabo-tonik

Vargëzimi tonik

Vargje të bardha – Vargjet me madhësi të ndryshme që nuk kanë rimë. Janë të përhapura shumë në letërsinë botërore. Në vargje të bardha janë shkruar tragjeditë e Shekspirit, dramat e Bajronit, të Pushkinit etj.

Në letërsinë shqipe janë përdorur shumë në rapsodi, në poemat e De Radës, të Gavril Darës së Ri, të Fishtës.

Vargu i dyzuar – Varg i krijuar nga bashkimi i dy vargjeve të tjera. Të tillë janë gjashtëmbëdhjetërrokëshi i dyzuar (8 rrokje + 8 rrokje = 16 rrokje); dymbëdhjetërrokëshi i dyzuar (6 rrokje + 6 rrokje = 12 rrokje) etj.

Trioleti – Tetëvargësh, lloj strofe i ndërtuar duke përsëritur tri herë vargjet dhe rimat. Vargu i parë përsëritet si varg i katërt. Te ne e ka përdorur L. Poradeci.

Tercina ose terceti (trevargëshi) – Strofë e përbërë prej tre vargjeve, të shkruara rëndom me njëmbëdhjetë rrokje. Tercinat lidhen me rima të alternuara. E ka përdorur DantejaKomedinë hyjnore.

Katërvargëshi ose katreni – Një nga llojet më të përhapura të strofës poetike që ka katër vargje, të lidhura me rimë të alternuar, të kryqëzuar ose të përputhur.

p.sh.:

O Bajram, bajrak i gjallë
More nam me gjak në ballë
Te një shpell’ e Dragobis
Yll i rrallë i burrërisë.
(Noli)

Në poezinë orientale, katërvargëshi, që është poezi e plotë e më vete, quhet rubai.

Tetëvargëshi – Oktava dhe strofa popullore

Nëntëvargëshi (nona) – Strofë e përbërë prej nëntë vargjeve. Në letërsinë angleze njihet si strofa spenseriane (emri i poetit Spenser). E ka përdorur Bajroni në poemat Don Zhuani dhe Shtegtimet e Çajlld Haroldit.

Strofa spenseriane përbëhet prej vargjeve njëmbëdhjetërrokëshe.

Aleksandrin (vargu). Me këtë lloj vargu është shkruar poema franceze Romani i Aleksandrit, shek. XII. Vargu aleksandrin francez ka 12 rrokje dhe është i përbërë prej dy pjesëve gjashtërrokëshe, të ndara me cezurë.

Në poezinë shqipe vargu aleksandrin shndërrohet në një varg 14-rrokësh, të përbërë prej dy 7-rrokëshve, të ndarë me cezurë. P.sh.

O këngë pleqërishte! ti vjersh’ e vendit tem!
Ti fjalë të më dhimsesh e që më bën ujem!
 (Lasgush Poradeci)

Anapesti – Fjalë trirrokëshe me theks në rrokjen e fundit. P.sh.: drejtësì, diturì, fluturòj.

Në poezinë shqipe kemi vargje të ndërtuara me këmbë anapesti:

Allalla, o rezik e katil, allalla!
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda

           (Marrshi i Barabajt- Noli)

Aliteracioni – Përsëritja e bashkëtingëlloreve apo e zanoreve të njëjta (në vargje, rrallë herë edhe në prozë), për të shtuar forcën shprehëse të ligjëratës artistike. P.sh.:

Trim tribun i vegjëlisë
dif dragoi i Dragobisë.
        (Noli)

Amfibraku – (Nga të dy anët i shkurtër) – fjalë me tri rrokje, prej të cilave e mesit është e theksuar. P.sh. lulìshte kullòtë

Në poezinë shqipe kemi vargje të ndërtuara me këmbë amfibrake:

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm ti det!
…Po heshtje ndaj valës së nxirë
Gjeniu i heshtjes po flet.
                       (Gjeniu i anijes – Poradeci)

RROKJA – Tingull ose kombinim tingujsh. Njësia e parë ritmike në fjalën poetike.

Kombinimet e ndryshme të rrokjeve krijojnë këmbët në metrikën antike dhe në sistemin silabotonik.

 Njërrokëshi – Varg i përbërë prej një rrokjeje. Përdoret shumë rrallë dhe shkon i përzier me vargje të tjera. P.sh.: poezia Dëshira e Naimit:

“Zot!
Sot
jam,
kam,
shoh,
njoh,
rroj,
shkoj…”

Katërrokëshi – Varg i përbërë prej katër rrokjeve. Është shtesë e vargjeve të tjera. Përdoret më fortë si refren. P.sh.:

Shqipërin’ e mori turku
    i vu zjarr,
Shqipëtar mos rri, po duku
                           shqiptar!
(Çajupi)

Në disa këngë popullore e gjejmë edhe të pavarur. Është përdorur edhe nga poetët:

Do të shkrihem
Të venitem
Si kandili
Kur s’ka vaj
             (Naimi)

Pesërrokëshi – Një nga vargjet më të shkurtër pas vargut katërrokësh. Në letërsinë shqipe e kanë përdorur Mjeda, Çajupit, Fishta etj. P.sh.:

Po shkrihet bora
Dimni po shkon,
Bylbyl i vorfën,
Pse po gjimon?
     (Vaji i bylbylit – Mjeda)

ose:

O i biri i Adamit o do me gzue
sa t’jesh mbi shekull
ti tue jetue?
   (Nakdomonicipedia – Fishta)

Shtatërrokëshi – Varg i krijuar prej shtatë rrokjeve. P.sh.

Vëllezër shqipëtarë,
Të prekim urtësinë,
Të zem udhën e mbarë
Të ngjallim Shqipërinë
        (Naimi)

Tetërrokëshi – Varg i krijuar prej tetë rrokjeve. Është vargu më i përdorur si në folklor (poezinë popullore) ashtu edhe në poezinë tonë të shkruar. P.sh.:

Jam i gjall e jam në jetë
Jam në dritë të vërtetë
      (Naimi)

ose:

Po edhe hana do ta dije
edhe dielli do t’ket pa…
se rreth kësaj rrokullie
vend si Shqypnia nuk ka
        (Fishta)

Nëntërrokëshi – Varg tek me nëntë rrokje, pak i përdorur në poezinë shqipe. Është vargu më i përdorur në letërsinë ruse. Me këtë varg Pushkini e ka thurur veprën e tij Eugjen Oniegini.

Dhjetërrokëshi – Varg i formuar prej dhjetë rrokjeve. Në poezinë tonë popullore haset në rapsoditë e ciklit të kreshnikëve Mujit e Halilit. P.sh.

Trim mbi trima ai Gjergj Elez Alia
         (popullore)

Formohet edhe nga bashkimi i dy vargjeve pesërrokëshe, të ndara me cezurë. P.sh.

Fushë dhe fushë / dhe fushë prapë
Fush’ e pasosur / dhe shumë vapë
    (Çajupi)

Njëmbëdhjetërrokëshi –  Varg i formuar prej njëmbëdhjetë rrokjeve. P.sh.:

Dhe dielli gjahtar me rreze kapi
  (Noli)

Dante e shkroi me këtë varg Komedinë hyjnore, Shekspiri – tragjeditë e tij; Pushkini e përdori te Boris Gudunovi; Bajroni e përdori te poemat e tij kryesore.

Në letërsinë shqipe e kanë përdorur: Fishta, Mjeda, Noli, Migjeni, Arshi Pipa etj. Këtë varg e kanë lëvruar edhe poetët tanë të rinj.

Dymbëdhjetërrokëshi – Varg i formuar prej dymbëdhjetë rrokjeve. Bashkohen dy vargje gjashtërrokëshe të ndara me një cezurë. P.sh.:

Në mes të Kolonjës / në një psar të shkretë,
Fshehur Myftar Lapi / me tetëmbëdhjetë.
 (popullore)

ose në poezinë e shkruar:

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
            (Çajupi)

Katërmbëdhjetërrokëshi – Varg i përbërë nga bashkimi i dy vargjeve 7-rrokësh. P.sh. O këngë pleqërishte! ti vjersh’ e vendit tem! (Poradeci)

Gjashtëmbëdhjetërrokëshi ose vargu naimiane ka përdorur Naimipoemën lirike baritore (pastorale) Bagëtia e bujqësia. Ky varg përbëhet nga dy tetërrokësh të ndarë me cezurë.

Refreni (përsëritje) – Varg ose vargje që përsëriten sidomos në poezinë popullore pas çdo strofe. Ndryshe quhet edhe kthesë. P.sh.:

“Me ngadalë vallenë,
moj syzezë!
Se na ngrihet pluhuri,
moj syzezë!

Refreni e gjejmë edhe te Hymni i flamurit kombëtarFishtës, ku pas çdo strofe përsëritet kjo strofë:

Bini toskë, ju bini gegë!
Si dy rrfe që shkojn tue djegë!
A ngadhënjyesë a t’gjith dëshmorë?
Trima, mbrendë! Me dorë! Me dorë!
    (Fishta)

Farsa – Lloj i komedisë së vjetër zbavitëse me përmbajtje nga jeta. U pëlqenin tregtarëve dhe zejtarëve të Francës mesjetare.

 Përgatiti: Profesor, Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button