Stilistika dhe metrika Pjesa III

R I M A – mbaresë e përputhur, e harmonishme e dy ose disa vargjeve poetike, që thekson ritmin e vargut. Harmonizim të plotë ose rimë të mirëfilltë kemi kur dy ose më shumë vargje i kanë të njëjta si zanoret ashtu edhe bashkëtingëlloret. P.sh.

Sa e dua gjithë jetën
Se aty gjej të vërtetën.

Po qe se vargjet i kanë të njëjta vetëm bashkëtingëlloret, atëherë kemi disonancë ose konsonancë. P.sh.

Retë gjoksin e hirtë grisin.
Mbi shtyllat e hekurta të fabrikave që tymosin.
                 (I. Kadare)

Asonanca ose rima jo e plotë – kur vargjet kanë të njëjta vetëm zanoret. P.sh.

Dhe në mes hyve të natës zu vendin e hanës
   (Migjeni)

Dallojmë rimën e përputhur – që lidh vargjet e afërta (AA, BB); rimën e kryqëzuar, ose e alternuar vargu i parë rimon me të tretin kurse i dyti me të katërtin (AB, AB) dhe rimën e mbyllur – vargu i parë rimon me të katërtin kurse i dyti me të tretin (AB, BA).

Rimat mund të jenë dyshe, treshe, katërshe – kur rimojnë me po atë rimë dy, tre, katër vargje.

Ka raste kur e njëjta rimë përsëritet në të gjitha vargjet e poezisë. Një vjershë e tillë quhet monorimë.

Monorima – Vjershë me një rimë të vetme që përsëritet. Hasen shpesh në poezinë e vjetër orientale.

Asonanca

  1. Rimë jo e plotë e dy a më shumë vargjeve, që kanë të njëjta vetëm zanoret e theksuara dhe zanore të tjera të fjalëve fundore. Me fjalë të tjera, duke nisur prej theksit të tyre të fundit, kanë të ngjashme vetëm zanoret. P.sh.:

Fryni era u çel taraba
N’kamb’ Halil, se Abdyl aga
                (popullore)

Në letërsinë e shkruar:

Hodo pashës m’i bën selamë
Thuaj ta çojë miletin m’kambë
(Lahuta e malcis – Fishta)

  1. Përsëritja e një ose disa zanoreve brenda vargut, strofës ose frazës. P.sh.:
    O i zhyer, i zhgryer, i vyer për hu.
    (Noli)

Disonanca (që tingëllon ndryshe) ose konsonanca – lloj rime jo e plotë, kur fjalët e rimuara duke filluar prej theksit të fundit kanë të njëjta vetëm bashkëtingëlloret, ndërsa zanoret i kanë të ndryshme. P.sh.:

Porse era
Gjithë fjalët rrëmben duke fryrë,
I çon ajo larg menjëherë
i derdh si ciklon n’hapësirë.
     (I. Kadare)

Ekuivoku – Në metrikë, rimë ekuivoke quhet rima e formuar prej fjalëve që tingëllojnë njësoj, por kanë kuptim të ndryshëm. P.sh.:

Shoqërohem fort un’ me një ruse
emnit i thonë Zoja,
ajo përhera më thot’ se
do bahem edhe e zoja
        (Lazër Siliqi)

Anakreontike (poezi) – Lloj i poezisë lirike antike; këndohej jeta e gëzuar e pa halle, gostitë, vera, dashuria. E mori emrin nga poeti i Greqisë së lashtë Anakreonti (shek.VI p.e.r.).

 Përgatiti: Profesor, Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button