Stilistika dhe metrika – pjesa II

Lajtmotiv ose lajtmotiv (motivi kryesor) – Mendimi kryesor që përshkon tërë veprën, përsëritet dhe theksohet nga autori.

Liçencë poetike (nga latinishtja litencia – lejim) – Shmangie nga normat e zakonshme të gjuhës ose të vargëzimit.

Litota (thjeshtësi) – Një nga tropet; shprehje figurative e kundërt me hiperbolën. Ka të bëjë me zvogëlimin e theksuar të madhësisë, të forcës dhe të rëndësisë së një fenomeni. P.sh. në përrallat tona popullore, personazhi i Gjishtos (i vogël sa një gisht).

Polisindeti (shumë-lidhëze) – Figurë stilistike. Të ndërtuarit e ligjëratës poetike duke shtuar numrin e lidhëzave. P.sh.:

“…e bën urgji për Shqipëri
e dridhet tok’ e det e ti,
ti qen i botës kobëzi,
ti gjakatar…”
            (E fundit mërzitje – Lasgush Poradeci)

ose poezia Misri e Çajupit:

Fushë dhe fushë / dhe fushë prapë
Fush’ e pasosur / dhe shumë vapë

Makaronike (vjershë) – Vjershë e pajisur qëllimisht me fjalë të huaja. E para vjershë e tillë ka qenë poema komike italiane “Maccaronea” e Tifi Odassit (1490) prej nga e ka burimin edhe emri i këtij lloj vjershe. Vjersha satirike e shkruar në vargje makaronike i tall njerëzit që i përulen çdo gjëje të huaj dhe që heqin dorë nga gjuha amtare. Në letërsinë shqipe vjershë të tillë ka Hil Mosi.

Metafora (bartje, transport) – Një nga tropet kryesore poetike. Fjalë e figurshme që emëron një send a një fenomen me emrin e një sendi a fenomeni tjetër që i ngjan atij. Me fjalë të tjera, bazë e metaforës është një krahasim i nënkuptuar. P.sh. vullnet i hekurt; qesh natyra

Molla t’kputkuna nji deget
dy qershia lidhë n’ji rrfanë,
ku fillojnë kufit e Geget,
rrijnë dy çika me një nanë
        (Andra e jetës – Ndre Mjeda)

Metafora mund të jetë e thjeshtë kur përbëhet nga një shprehje e përdorur në kuptim të figurshëm (molla, qershi) dhe e zgjeruar.

Shembull i metaforës së zgjeruar, ku poeti e paraqet bukurinë dhe ftohtësinë e vashës:

Zemra jote në krahrort tënd
është hekur brenda n’ergjënt,
dhe në linj’ ai krahruar
si ndë dhé gur’ i paçmuar.
Dielli zënë me rezë,
Vera në qelqe të zezë…
              (Poezia Bukuria – Naimi)

Metonimia (ndërrim, zëvendësim i emrit) – Një nga tropet kryesore në gjuhën poetike. Zëvendëson emrin e një fenomeni apo të një sendi me një emër tjetër, të lidhur ngushtësisht në ndërgjegjen tonë me përfytyrimin për këtë fenomen ose objekt. P.sh.: në romanin Eugjen Oniegin, Pushkini shkruan:

Duke lexuar me kënaqësi Apuleun

dhe ne kuptojmë se poeti lexonte librin e shkrimtarit romak Apuleut.

Shembuj të tjerë: Jetoi me djersën e ballit (jetoi me punën e vet). Marsi i mundoi – Lufta i mundoi. Hëngra dy pjata – Hëngra dy pjata gjellë. Lexova Shekspirin – Lexova një vepër të Shekspirit. Jetoj me gjilpërë dhe gërshërë (Jetoj nga profesioni im – Shkrimtari përmend mjetin apo veglën në vend të punës apo profesionit).

Ironia – Është një nga tropet; përdorimi i një fjale me kuptimin e saj të kundërt. P.sh.: e themi të kundërtën  e asaj që mendojmë në të vërtetë, për diçka, për ndonjë njeri apo për ndonjë fenomen. Mund të jetë dashamirëse, trishtuese, keqdashëse, therëse etj. E kanë përdorur Çajupi, Fishta, Migjeni, Nonda Bulka etj.

Jambi – Vjershë në Greqinë e vjetër me karakter humoristik. Këndoheshin me jambik (vegël muzikore trakase). Jamet e Arkilokut (shek. VII p.e.r.), të poetit romak Horacit (shek. I p.e.r.)

Alegoria – Të folurit e tërthortë. Është lloj tropi që përbëhet nga një përshkrim apo tregim i cili nuk duhet marrë në kuptimin e drejtë që kanë fjalët, për arsye se pas tyre fshihet një mendim tjetër. Alegoria mund të lidhet me metaforën dhe të merret si një metaforë e zgjatur. Një alegori e madhe është Komedia hyjnore e Dante Aligerit. Në letërsinë shqipe alegori kemi në poezinë Shkëndija e diellit dhe e manushaqes (Naimi), te Kënga në vehte (Migjeni).

Aluzioni – Figurë stilistike që ndërtohet duke përdorur një shprehje proverbiale për të çekur brendinë e këtij apo atij fakti. Të cekurit e një çështjeje larg e larg, me fjalë të mbuluara. P.sh. Fitore e Pirros.

Anafora (nxjerr lart) – Figurë stilistike, përsëritje e së njëjtës fjalë apo e disa fjalëve në fillim të disa vargjeve që vijnë njëri pas tjetrit. Mund të përdoret edhe në prozë. P.sh.:

Jam i gjallë e jam në jetë
jam në dritë të vërtetë…
        (Naimi)

N’atë Vraninë mue sot me m’dalë,
N’atë Vraninë, n’atë t’zezë tërthore,
Ku mbe’n shkret sa armë mizore,
Ku mbe’n djerr sa toke gratçore.
Ku mbe’n vithnat pa bagëti…
(Fishta)

Antiteza – Figurë stilistike që përdoret duke vënë përballë dy gjendje, dy mendime të një personazhi, për të nxjerrë në dukje tiparet dalluese të tyre. P.sh.:

Atje nisi, atje mbaroi
Atje krisi, atje pushoi
            (Shpellë e Dragobisë, Noli)

ose:

Bylbyl, ky shekull orë e çast ndrrohet:
\Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet.
   (Mjeda)

Antonomazi – Figurë retorike, që zëvendëson një emër të përgjithshëm me një emër të përveçëm dhe anasjelltas. P.sh.:

Një Demosten, që ka kuptimin një orator i zoti.

Në poezinë shqipe:

Këndo ëngjëll urtësinë
Punëtë që ka punuar
Kordhetari i vërtetë.
                    (Historia e Skënderbeut – Naimi)

Vargu i fundit është antonomazi për Skënderbeun.

Pyetje retorike – Figurë stilistike. Mënyrë e shprehjes poetike që ka të bëjë me të pohuarit në formë pyetëse. Përdoret në veprat artistike dhe në ligjëratat oratorike, jo për të marrë përgjigje, por për t’i dhënë frazës forcë dhe intonacion të ngritur. P.sh.:

Obobo!
kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët e djalërisë, o moj kohëz e të rit tim?

              (Naimi)

ose:

Ku e latë ndoren, more diell?
Ku e ke ndoren, mori zanë?
Pa a kjo a besa qi m’patët dhanë?
                                 (Rapsodia Martesa e Halilit)

Apostrofa (thirrje) – Figurë stilistike, mënyrë shprehjeje në poezi kur u drejtohemi sendeve sikur ato të ishin qenie të gjalla, apo kur i drejtohemi një personi që mungon, sikur ai të ishte i pranishëm. P.sh.:

O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë!
    (Naimi)

ose:

E mba mend, moj Marë,
Dashurin’ e parë!
               (Çajupi)

Asindeti – Figurë stilistike, mënyrë shprehjeje poetike që ndërtohet pa përdorur lidhëzat midis fjalëve dhe fjalive. P.sh.:

T’janë mbërthye, t’janë kapërthye
Haju, ngaju, çaju, vraju…
                     (Fishta)

ose:

Suedezi, rusi – ther, grin, pret.
Gjëmim daulleje, britma, kërcëllima.
Buçima topash, trokëllima, hingëllima, ulërima.
(Pushkin)

Epiteti (shtojcë) – Është forma më e thjeshtë e tropit. Fjalë që vë në dukje, sqaron, karakterizon ndonjë veçori ose cilësi të një sendi apo të një fenomeni. P.sh.:

Rrezet e arta, kaçurrelat e mëndafshta, era çapkëne, ai e përkëdheli egërsisht

Ekziston edhe i ashtuquajturi epitet i përhershëm, i ngulur: qeni serb.

 Përgatiti: Profesor, Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button