Stilistika dhe metrika: Figurat stilistike, rima, strofa, vargu (I)

Figura, pasqyrimi figurativ i jetës, është veçoria kryesore e artit, pra edhe e letërsisë artistike si formë e veçantë e pasqyrimit të jetës.

Figurë – të folurit e figurshëm, quhet çdo shprehje që i jep gjuhës bukuri, kolorit, forcë shprehëse, konkretësi (tropet). Për gjuhën poetike thonë se është gjuhë figurative.

Figura stilistike – Mënyrë jo e rëndomtë e të folurit, që e përdor shkrimtari për ta përforcuar shprehjen dhe fjalën artistike. Figura stilistike janë: inversioni, pyetja retorike, heshtja, paralelizmat, anaforat etj.

Figura të përjetshme – Figura artistike të letërsisë botërore në të cilat shkrimtari ka krijuar një përgjithësim artistik të madh, që është i zbatueshëm edhe te brezat e mëvonshëm. P.sh.: në figurën e Prometheut, janë përgjithësuar tiparet e njeriut që është i gatshëm të flijojë jetën për të mirën e popullit. Në figurën e
Anteut është treguar forca e pashtershme që ia falë njeriut lidhja e tij me truallin amtar, me popullin e tij. Me figurën e Faustit është mishëruar aspirata dhe hovi i pandërprerë i shpirtit njerëzor për të ecur përpara. Prandaj brezat që vijnë atyre u referohen shpesh.

Figura e Don Kishotit personifikon ëndërrimin fisnik, por pa asnjë bazë në jetë. Hamleti, heroi i tragjedisë së Shekspirit është mishërim i njeriut të ndarë më dysh nga kontradiktat. Tartufi, Don Zhuani, Harpagoni, Jagua jetojnë për shumë kohë në ndërgjegjen e brezave, për arsye se në ta përgjithësohen shumë anë të njeriut: hipokrizia, koprracia etj.

Grotesku (qesharak dhe i pazakonshëm) – Mënyrë e përdorur në letërsi dhe në art që ka të bëjë me paraqitjen e njeriut apo të skenave të jetës, me zmadhim apo me zvogëlim të theksuar, në mënyrë të shëmtuar dhe komike, ku ana reale e jetës gërshetohet me fantastiken, gjëja prekëse dhe e tmerrshme gërshetohet me atë që është qesharake. P.sh.: Fransua RableGargantua dhe Pantagrueli; Saltikov ShçedrinHistoria e një qyteti, te dramat e Joneskos, të Brehtit, të Majakovskit etj. e hasim te Kronikë në gur (Kadare).

Tropi – Mënyrë shprehjeje. Ka të bëjë me përdorimin e fjalëve ose të shprehjeve në kuptimin e figurshëm të tyre. Bazë e tropit është krahasimi i dy fenomeneve që në ndërgjegjen tonë janë të afërt me njëri-tjetrin. Dallohen këto lloje tropesh:

–  të thjeshta: krahasimi, epiteti;
–  të ndërlikuara: metafora, metonimia, sinekdoka, alegoria, simboli, ironia,
hiperbola, litota, perifraza.

Akrostiku – Reshti i fundit. Vjershë e shkruar në mënyrë të tillë që germat fillestare të vargjeve të formojnë emrin a mbiemrin e ndonjë personi, ose një fjalë apo një fjali të tërë. P.sh.:

Herë e madhe, herë e vogël
Është në qiell e ndriçon,
Natën duket, ditën fshihet
Asaj vjersha i këndon!

Inversioni ose hyperbata (të vendosurit gjetkë) – Figurë stilistike, mënyrë e shprehjes poetike që ka të bëjë me shkeljen e rregullave të zakonshme të renditjes së fjalëve në fjali. Kryefjala vendoset pas kallëzuesit, cilësori para fjalës së cilësuar etj. P.sh.:

Vaj e mjerime qet këjo tokë e jona.
(Mjeda)

Në vend të:
Këjo tokë e jona qet vaj e mjerime.

Hiperbola (zmadhim i tepruar) – Një nga tropet, shprehje figurative që ka të bëjë me zmadhimin e tepërt të forcës, të rëndësisë dhe të përmasave të një fenomeni. E ndeshim në folklor. P.sh.:

Përmbi kryet topuzi i ka fjorue:
dymbëdhet pash n’lëndinë u ngul topuzi!
dymbëdhet pash përpjetë si re u çue pluhni!
  “Gjergj Elez Alia”

ose shembull nga letërsia artistike:

…ç’u ka bërë Skenderbeu
armikëvet atë natë,
i griu, i shoi, i preu!
Ish rrufé ajo, s’ish shpatë!
  (Naimi)

Krahasimi – Një nga tropet më të thjeshta. Një fenomen, një objekt apo një koncept përcaktohet duke e krahasuar atë me një fenomen tjetër, që ka shenja të përbashkëta me të parin. Shprehet me fjalët: si, tamam si, pothuajse si etj. P.sh.:

E ka qerpikun si krahu i dallëndyshes
Ftyra e saj kuqet si molla n’degë,
Goja e vogël si lulja që shpërthen
Dhëmbët e bardhë si gurzit e lumit
          (popullore “Martesa e Halilit”)

ose:

Porsi kanga e zogut t’verës,
……………………………………..
……………………………………..
ashtu a gjuha jonë shqiptare!
    (Fishta)

ose:

Mal e re porsi dy zdapa
Ngrehin luftë që gja s’e pret
  (Mjeda)

Simboli – Një nga tropet. Zëvendëson emrin e një fenomeni, apo të një objekti për të cilin bëhet fjalë në veprën poetike, me një shenjë tjetër që të kujton këtë fenomen jetësor apo objekt. P.sh.: agimi, mëngjesi – simbole të rinisë, të fillimit të jetës. Nata – simbol i vdekjes, i fundit të jetës. Dëbora, simbol i të ftohtit, i ndjenjës së ftohtë. Pëllumbi – simbol i paqes etj.

Simbole janë edhe figurat artistike që personifikojnë tiparet më karakteristike të një fenomeni, njeriu etj. P.sh. Harpagoni – simbol i koprracisë; Tartufi – simbol i hipokrizisë.

Similituda (ngjashmëri, përngjasim) – Krahasim i zgjeruar, kur të dy krahët e krahasimit nuk janë dy fjalë, por dy fraza. I ka përdorur Homeri në poemat e veta. E ka përdorur Naimi në Bagëti e bujqësi:

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë?
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë!

ose FishtaLahutën e Malci

A ke parë ndo’i herë për seri
se si, kur t’u bjerë skifteri
hikin pulat npër kaçuba
Njashtu atëbotë hikna ata cuba

Sinekdoka – Një nga llojet e veçanta të metonimisë. Përdorimi i një fjale për të shfaqur një ide më të gjerë ose më të ngushtë se ideja që duam të tregojmë. P.sh. kur përdorim njëjësin në vend të shumësit dhe anasjelltas:

Shqiptari ta thotë troç…; Bota e tërë u çudit me bukurinë e çupës. Ushtria jonë nuk la këmbë armiku të shkelë kufijtë tanë etj.

Shkallëzimi ose gradacioni – Figurë stilistike. Shkrimtari i vendos fjalët sipas një shkallëzimi të përcaktuar ngjitës apo zbritës, duke filluar prej fjalës më të fortë drejt fjalës më të butë dhe anasjelltas duke shkuar gradualisht nga fjala e butë drejt fjalës së fortë:

Shkallëzimi ngjitës:

Thuaja kangës, rini, pash syt’ e tu!
Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu!
   (Kanga e rinis – Migjeni)

Shkallëzimi zbritës:

Valimi i anijes së lehtë
Qetohet, ndalohet, mbaron…
 (Gjeniu i anijes – Lasgush Poradeci)

Instrumentimi i vargut – Një nga mënyrat e përpunimit të fjalës poetike që ka të bëjë me përdorimin e fjalëve me përbërje kumbuese. P.sh.

O i zhyer, i zhgryer, i vyer për hu.
(Noli)

ose:

Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe.

Lloje të instrumentimit janë aliteracioni, onomatopeja etj.

Oksimoron – Një nga tropet artistike. Lokucion ose shprehje që konsiston në kombinimin e fjalëve që janë kontradiktore apo tejet të kundërta. P.sh. heshtje kumbuese; gëzim i hidhur etj.

Paralelizmi – Një nga mënyrat e të folurit poetik që qëndron në krahasimin e dy fenomeneve me përshkrimin paralel të tyre. P.sh.: vjersha e Filip Shirokës Dallëndyshe kthehu. Paralelizëm në të kemi midis dallëndyshes dhe të mërguarit, poetit shtegtar.

Parodia – Një nga llojet e letërsisë satirike. Vepër në vargje ose në prozë në të cilën rëndom tregohen anët qesharake ose të metat e krijimtarisë së ndonjë shkrimtari të njohur ose vepre të popullarizuar.

Parodi në letërsinë shqipe mund ta quajmë Dhiatën e vjetërÇajupit.

Personifikimi – Një nga mënyrat e përshkrimit artistik. Qëndron në pajisjen e kafshëve, sendeve, fenomeneve dhe ideve me aftësi dhe me veti njerëzore, me aftësi për të folur, për të menduar dhe për të qenë emocional. Përdoret në përralla, fabula etj.

Personifikimi si trop artistik ka të bëjë me kalimin e vetive të njeriut në sendet e pashpirt apo në kuptimet abstrakte.

Dallojmë: a) personifikimin e natyrës, b) personifikimin e veprimtarisë së njeriut, c) personifikimin e fenomenit. P.sh.

  1. Personifikimi i një fenomeni abstrakt, i lirisë, te Historia e Skënderbeut, e Naimit:

“O liri e shenjtëruar!
Engjëll i Perëndisë,
erdhe me gëzim ndër duar
i dhe dritë Shqipërisë…”

  1. Personifikim kafshësh nga Naimi: Flet ujku:

Ty fort të dua,
se t’ët atë e kisha mik.
Ti pse më bie?
po shko: mblidh mend…”
  (Të dy qetë dhe ujku)

  1. Personifikimi i natyrës. Personifikohet mali i Tomorit që flet te poezia e Çajupit Baba Tomori:

“…Fshiu lot dhe më tha Tomori:
– O shqiptarët e gjorë
Dëgjoni Baba Tomorë…”

Përsëritja (anadiploza) – Figurë stilistike; mënyrë shprehjeje poetike që ka të bëjë me përsëritjen e fjalëve të njëjta apo të frazave të njëjta. Ka raste kur përsëriten format e njëjta sintaksore apo tingujt (anafora, mbaresa, rima etj.).

Formë burimore e përsëritjes janë paralelizmat. P.sh.:

“Dola, moj xhane, dola,
Mora përpjetë malë!
Gjeta, moj xhane, gjeta,
Gjeta një lajthi me kokërr…”

ose te Çajupi:

Vdiq Naimi, vdiq Naimi.
Moj e mjera Shqipëri!”

ose te Fishta:

“Kur qe ai knjazi i Malit t’Zi,Knjaz Ni
kolla, i gërxheli:
Gërxheli, por belaxhi:
Na dyndë top na dyndë ushtri”.

 Përgatiti: Profesor, Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button