Mëkat për qytetin tim

Të shkruash me trishtim për qytetin ku të shkel këmba e ku merr frymë është aq e dhimbshme sa të duket sikur e persekuton imazhin e sfilitur të tokës ku jeton. Është mëkat për qytetin tim  ta vështrosh si  qytet kaosi, si qytet ku kundërmon aromë mbeturinash, qytet ku ajri ta zë frymën, qytet ku varfanjakët gjobiten teksa sigurojnë kafshatën e gojës.

Në qytetin tim pra, në vend të aromës së luleve thithim ajrin vdekatar. Tani qyteti im është ai në të cilin rrugët numërojnë më shumë gropa e moçale se sa gurë. Pikërisht, ky është vendi ku nuk punojnë semaforët dhe numri i aksidenteve rritet për çdo ditë, vendi ku qentë endacakë siflojnë nëpër lagje duke rrezikuar JETË. Për të mos qenë e paktë, spitali i këtij qyteti pastrohet vetëm me ujë dhe jo me dezinfektues, ai nuk ka drita e nuk ka ujë, dhe krimbat ecin nëpër mure.

Mëkat për qytetin tim teksa sheh kaosin urban, rrëmujën e komunikacionit, pa sinjalistika lajmëruese, por pavarësisht kësaj ekziston etja për gjobë parkingu e cila vjen më shpejtësinë e dritës. Ndërkohë që, për investimet për sigurimin e vendparkimeve pritjet janë shekullore. Ky është vendi në të cilin në mes të kaosit, aty përpara spitalit kërkohet respektimi i ligjit…

Në këtë qytet furgonat parkohen në semafor në sy të policisë. Në këtë qytet plaçkitja e parave bëhet në mënyrë zyrtare sepse gjoba duhet paguar vetëm “cash” pa xhirrollogari. Madje, aparatet për pagesë me kartela mungojnë, gjë që ta qartëson situatën: “ami paratë në dorë, merre veturën”! Ky imazh të përkujton këmbimin e mallrave në kohën e Mesjetës.    Është ky qyteti im pra, është Tetova që në vend se të ngritet po rrënohet.

Sundues të qytetit tim që keni synim karrierën, përpara se të jepni urdhëra për gjobë, krijoni kushte dhe mundësi për qytetarët, sespse mos mendoni se një ditë nuk do t`ju zë mallkimi i qytetarëve që të paguajnë taksën nga buka e gojës.

Ah qyteti im, sa keq më vjen që të kanë strukur kaq shumë në mëkate. Mjerë për atë sunduese që ke, mjerë për atë që të gëlltiti pa ndjenja dhe nuk ta jep haraçin që të takon. Dikur premtoi se do të të bënte të bukur si Roma ndërsa të shndërroi në gheto afrikane.

Realiteti është vrasës, qyteti im. Na vret fryma që marrim. Ti nuk e meriton këtë imazh vrastar. Fatkeqësisht i tillë je, por i tillë nuk duhet të mbetesh. “Një qytet është më shumë se një vend në hapësirë, është dramë e një kohe” – shkruante sociologu Patrick Geddes. Vërtet qyteti im është një dramë e kohës në të cilën jetojmë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button