ASH: Raporti i DASH për RMV-në, alarm serioz për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një kumtese dërguar në media, e përshëndet raportin vjetor për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut të publikuar dje nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Raporti 2018 konfirmon se edhe përkundër disa reformave teknike dhe ligjore të nisura nga qeveria Zaev, vendi vazhdon të përballet me problemet e trashëguara nga regjimi VMRO-BDI dhe të vazhduara nga pushteti aktual.
Veçanërisht shqetësues sipas DASH mbetet korrupsioni i nivelit të lartë, me shumë raste të zyrtarëve të pushtetit të përfshirë në raste korruptive gjatë vitit që po e lëmë pas. Raporti gjithashtu veçon politizimin e gjyqësorit dhe financimin e tij të pamjaftueshëm si pengesat kryesore për një gjyqësor të pavarur dhe efektiv për të sjellë drejtësinë në vend. Politizimi mbetet i përhapur në nivele shqetësuese edhe në administratën publike sipas qeverisë amerikane, e cila thekson se partitë e pushtetit kanë instaluar një sistem të patronazhit aktiv, përmes së cilit administrata përdoret për të shpërblyer dhe rehatuar militantët partiakë”, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët.

“Në fund, edhe përkundër retorikës së pushtetit për një shoqëri për të gjithë, shumë sektorë të aparatit shtetëror vazhdojnë të përjashtojnë shqiptarët dhe komunitetet tjera jo-maqedonase, veçanërisht ato të rendit dhe sigurisë të cilat vazhdojnë të mbeten mono-etnike. Ky raport i DASH, i cili vjen në vazhdën e shumë raporteve ndërkombëtare të cilat kanë sjellë po te njëjtat vlerësime, duhet të trajtohet si sinjal alarmi nga pushteti pasi që pikat më sipër janë saktësisht kushtet mbi të cilat krerët e BE-së do të vendosin mbi hapjen ose jo të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Kryeministri Zaev duhet ta ketë të qartë se vendit i kanë mbetur më pak se tre muaj për të ndalur kapjen e shtetit dhe për t’u shkëputur njëherë e mirë nga praktikat e regjimit VMRO-BDI”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

LEXO: DASH: Maqedonia e Veriut ka shënuar progres në fushën e mediave dhe gjyqësorit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button