Ligjet dhe proceset e Nurembergut

Ditëve të fundit vërehen disa deklarata kontroverse të liderit të VMRO-DPMNE-së Mickoski dhe kandidates së kësaj partie për presidente të shtetit Gordana Siljanovska. Mickoski në një intervistë të djeshme në Sitel tha që procesi penal për rastin e 27 prillit është një proces Nurembergu kundër VMRO-DPMNE-së. Siljanovska nga ana tjetër e pyetur nga gazetari lidhur me mendimin e saj për Ligjet e Nurembergut tha: “Nuk ekzistojnë ligje të Nurembergut, ekzistojnë procese të Nurembergut” duke aluduar te të njëjtat procese që mbrëmë i përmendi Mickoski. Unë nuk e di çfarë ka menduar Siljanovska me këtë deklaratë, por e di me siguri, që Ligjet famëkeqe të Nurembergut kanë ekzistuar dhe në bazë të tyre është bërë gjenocidi të cilin bota sot e quan Holokaust. Të mohosh ekzistencën e këtyre ligjeve nuk është shumë logjike nga një profesor i së drejtës, kandidat për president, përveç nëse qëllimi është të mohohet Holokausti në tërësi.

Mickoski tha që kundër personave të akuzuar në rastin e 27 Prillit ndodhën procesi i Nurembergut. Dhe këtë e tha me indinjatë të thellë duke aluduar se ky është një proces hakmarrës. Ai tha që ka informata se dënimet për këtë rast do të jenë të rënda dhe se pret që dënimi kumulativ për të akuzuarit të jetë rreth 100 vjet burg.

Për ata që mund të mos e dinë, edhe pse këto fakte janë botërisht të njohura dhe mund të gjenden me një kërkim të thjeshtë në internet, Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar i Nurembergut është krijuar në vitin 1945 me Marrëveshjen e Londrës të nënshkruar nga SHBA, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe 19 shtete tjera të Antantës. Në këtë tribunal është gjykuar maja e kierarkisë së Rajhut të Tretë, bashkëpunëtorët më të afërt të Hitlerit. Janë gjykuar 24 persona për krime kundër paqes (të cilat sot i quajmë agresion), krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (që kanë përfshirë atë që sot e quajmë gjenocid, sepse në atë kohë, gjenocidi ende nuk ishte definuar si vepër penale). 12 të akuzuar janë dënuar me dënim me vdekje, tre kanë marrë burgim të përjetshëm ndërsa të tjerët kanë marrë dënime nga 10 deri në 20 vjet burg. Këta persona janë gjykuar për persekutimin dhe eksterminimin e hebrejve dhe popujve e grupeve të tjera të konsideruara si jo-ariane.

Kur të lexojë histori, Miskovski bën mirë të lexojë më shumë se vetëm kriticizmin ndaj këtij tribunali. Po është e vërtetë që ky tribunal është krijuar me një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga fituesit e Luftës së dytë botërore. Por në këtë tribunal ëstë gjykuar kreu i shtetit të Rajhut të Tretë për krimet makabre të bëra gjatë periudhës kur Partia Naziste e Hitlerit ishte në pushtet.  Po është e vërtetë që disa autorë e quajnë këtë proces si drejtësi të vedosur nga fitimtarët ndaj humbësve të luftës, por kjo nuk i bën krimet e kryera nga këta “humbës” më të vogla e as që e bën partinë naziste gjermane të duket më pak naziste. Në Tribunalin e Nurembergut për herë të parë në histori është vendsur përgjegjësi ndërkombëtare penale për këto lloj krimesh, për herë të parë për veprime gjenocidale është ndërhyrë në sovranitetin e një shteti, sepse në kohët moderne sovranitet absolut nuk ka, por ka vetëm sovranitet relativ, dhe shtetet nuk mund të bëjnë çfarë të duan dhe kur t’u kujtohet të vendosin ta zhdukin një pjesë të popullatës në kampe përqendrimi.

Për më tepër, nuk ka qenë rastësi që Tribunali i Nurembergut është mbajtur pikërisht në këtë qytet gjerman. Pikërisht Nurembergu konsiderohet vendlindja e partisë naziste të Hitlerit, dhe vendi ku janë sjellë ligjet naziste të njohura si Ligjet e Nurembergut, ato ligje të cilat Siljanovska thotë që nuk ekzistojnë, e në bazë të të cilave qytetarët e Gjermanisë janë ndarë dhe klasifikuar në një sistem rigoroz klasifikimi dhe me të cilat është organizuar zhdukja gjenocidale e popujve “joarianë”. Pra fakti që gjykimi është mbajtur në Nuremberg ka mesazhin e vetë, që aty ku ka filluar ky problem enorm i njerëzimit aty edhe të dënohet.

Mickoski ka të drejtë kur e krahason procesin e 27 Prillit me atë të Nurembergut. Ka të drejtë për dy gjëra:

  1. Me deklaratën e tij ai pranon që personat e lidhur me VMRO-DPMNE-në që janë të akuzuar në rastin e 27 Prillit janë persona me pikëpamje naziste. Unë këtë e kam përmendur shumë herë, sepse këtë gjë ata vetë nuk e fshehin. Po ju lutem, vetë protestat që sollën 27 Prillin filluan me brohoritjet “Maqedoni e pastër” dhe “Shqiptarë të mallkuar”. Historkikisht në protestat që VMRO-DPMNE ka organizuar kundër të drejtave të shqiptarëve në këtë vend janë përdorur brohoritje naziste si për shembull “Dhoma gazi për Shqiptarët”. Kjo ka qenë gjithmonë më se e dukshme, prandaj tani që Mickoski mundohet të bëjë paralele mes 27 Prillit dhe Nurembergut, vetëm e vërteton se ai e din që partia e tij ka pikëpamje të këtilla dhe e pranon me fjalët e veta.
  2. Nurembergu dhe 27 Prilli ngjajnë edhe për diçka tjetër. Në të dy rastet bëhet fjalë për vendosje për herë të parë përgjegjësi për funksionarë të lartë shtetërorë të përfshirë në krime të rënda. Në Maqedoni kjo përgjegjësi pritet të vendoset nesër kur të shpallet dënimi për rastin e 27 Prillit. Mickoski me indinjatë thotë që pret ky dënim të jetë rreth 100 vjet burg. Epo të akuzuarit janë duke u përgjigjur për vepër penale terrorizëm, është shumë normale të marrin dënim të përbashkët prej 100 vjet burgu. Për shembull, për terrorizëm grupi i Kumanovës mori dënim prej 170 vjet burg, sepse dënimi për këto vepra penale është i rëndë.

Kështu që, tamam e ka Mickovski kur thotë që këto dy procese ngjajnë, por jo ashtu si mendon ai se ngjajnë. Sikur vërtet të ngjanin ashtu si që thotë ai, do të ishte shumë e vështirë për VMRO-DPMNE-në. Sepse po të ishte ky një proces Nurembergu, VMRO-DPMNE do të shpartallohej me vendim gjyqësor si parti naziste, ashtu si që është shpartalluar Partia Nacional-Demokrate e Hitlerit pas Luftës së Dytë Botërore. Sikur të ishe ky një proces i Nurembergut, organizatat paramilitare të krijuara gjatë protestave që sollën 27 Prillin do të përgjigjeshin juridikisht si persona juridikë, si që janë shpartalluar trupat SD dhe SS të Rajhut të Tretë të shpallura pikërisht në Nuremberg si organizata kriminale.

Mbi të gjitha, sikur të ishte ky vërtet një proces i Nurembergut dhe jo jë gjykim në Maqedoni, Mickovski dhe anëtarësia e VMRO-DPMNE do të ulnin kokën dhe do të pranon dënimin e merituar, do të vuanin burrërisht dënimin me burg, dhe do të mbanin përgjegjësi kolektive si që kanë mbajtur gjermanët pas Luftës së Dytë botërore. Në Gjermaninë e pasluftës, personat e involvuar në Rajhun e Tretë asnjëherë nuk janë trajtuar si heronj, lufte, ashtu si i trajton heronj Mickovski Çavkovin dhe të tjerë. Në Gjermaninë e pasluftës ka vazhduar një proces rimëkëmbjeje dhe ripërtërirë i mundshëm vetëm kur gabimi pranohet, përgjegjësia mbahet dhe punohet për një të ardhme më të mirë të kombit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button