Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova kanë ndaluar avionët Boeing 737 MAX

Autoritetet e aviacioneve civile të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë pezulluar nga fluturimet në hapësirat e tyre ajrore avionët e modelit Boeing 737 MAX 8 dhe 737 MAX 9, transmeton Anadolu Agency (AA).

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë (AAC) ka konfirmuar zyrtarisht se ky institucion ka marrë këtë vendim pas aksidentit fatal të avionit tip Boeing 737 Max 8 të shoqërisë ajrore Ethiopian Airlines.

Në njoftimin e Autoritetit të Aviacionit Civil thuhet se AAC informon qytetarët se në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka në operim asnjë avion të tillë, në asnjë nga linjat e programuara të fluturimeve.

“Për t’iu bashkuar nismës së Agjencisë Evropiane të Sigurisë në Operim të Aviacionit (EASA) për këtë rast, AAC ka formalizuar lëshimin e një lajmërimi për operatorët nga ana e Albcontrol, i cili ndalon operimin e avionëve të këtij lloji në hapësirën ajrore shqiptare dhe Aeroportin Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, për një kohë të pacaktuar, deri në direktivat pasuese të EASA, të cilat do të varen nga informacioni që do të vijë nga hetimi i shkaqeve të aksidentit”, theksohet me tej në njoftim.

Ndërkaq, Agjencia për Aviacion Civil e Maqedoisë së Veriut bëri të ditur se ka ndaluar fluturimet e avionëve të modelit Boeing 737-MAX 8 dhe Boeing 737-MAX 9 nga shkaku i një hetimi të cilit i janë nënshtruar këta avionë pas tragjedisë në Etipoi të dielën.

“Nga sot, në fuqi është një ndalesë për aterim dhe fluturim të avionëve Boeing 737- MAX 8 dhe Boeing 737-MAX 9, pëqrfshirë edhe transitimin mbi qiellin tonë. Kjo është një ndalesë parandaluese”, thuhet në një njoftim të agjencisë.

Po ashtu, Autoriteti i aviacionit civil të Kosovës njoftoi se përkohësisht ka ndaluar të gjitha fluturimet e avionit të llojit Boeing 737-8 MAX dhe Boeing 738-9 MAX përmes hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, për shkak të hetimeve të vazhdueshme për pajisjet ajrore të këtyre llojeve. Në një deklaratë me shkrim thuhet se ky ndalim do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të zgjasë deri në njoftimin e mëtejshëm.

Ky vendim është në përputhje me vendimin e EASA që pezulloi të gjitha fluturimet Boeing 737-8 MAX dhe Boeing 737-9 MAX.

Ndryshe, bëhet fjalë për një lloj avioni i cili brenda pesë muajsh ka pësuar dy aksidente, në të cilat jetën e kanë humbur mbi 300 persona.

Shumë shtete dhe linja ajrore tashmë kanë ndaluar përdorimin e avionëve të këtij modeli pas aksidentit fatal në Etiopi.

Të dielën, një avion Boeing 737 Max 8 që po udhëtonte për në Kenia u rrëzua vetëm gjashtë minuta pasi u nis nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Abeba.

Të gjithë 157 personat në bord nga 35 vende të ndryshme, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit, humbën jetën gjatë aksidentit.

Rrëzimi i avionit në Etiopi ishte aksidenti i dytë vdekjeprurës i modelit Boeing 737 MAX në më pak se pesë muaj.

Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i linjës indoneziane Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button