Tetovë, shtëpitë e rrezikuara nga largpërçuesit e energjisë elektrike, askush nuk mban përgjegjësi

Shtëpitë e ndërtuara në zonën industriale në Tetovë në anën e majtë të bulevardit ‘Vidoe Smilevski Bato’, gjegjësisht nga rruga “Moskovska” përreth dy restoranteve të dasmave, janë në rrezik nga rryma elektrike sepse gjenden shumë afër largpërçuesve, madje disa i kanë në oborret e tyre, njofton Portalb.mk. Largpërçuesit janë të ndërtuar nga kompania MEPSO në vendin e caktuar si zonë industriale, ndërsa shtëpitë janë ndërtuar më vonë në po të njëjtin vend si ndërtime të egra, dhe më pas është dashur të legalizohen. Por, Komuna nuk tregon sa prej këtyre shtëpive janë të legalizuara dhe si është e mundur të legalizohen aq afër largpërçuesve.

Largpërçuesit afër shtëpive në Tetovë

Banorët e shtëpive në zonën industriale në Tetovë në anën e majtë të bulevardit ‘Vidoe Smilevski Bato’, gjegjësisht nga rruga “Moskovska” përreth dy restoranteve të dasmave, nuk dëshirojnë të komentojnë pse kanë në oborret e tyre largpërçuesit e energjisë elektrike disa metra të lartë. Prania e tyre afër vendbanimeve i ekspozon banorët në rrezikun nga dëmtimi mekanik i largpërçuesve si rezultat i përkeqësimit të kushteve klimatike si dhe në rrezikun nga afërsia dhe mosizolimi i largpërçuesit me izolatorë.

Një sërë nenesh të Rregullores për ndërtimin e largpërçuesve mbitokësore elektroenergjetike me tension nominal nga 1KV deri në 400 KV e cila bazohet në Ligjin për Energjetikë, e kanë caktuar distancën minimale prej 5 metrash të ketë çfarëdolloj objekti në afërsi të largpërçuesve. Megjithatë, disa nga largpërçuesit janë thuajse të ngjitura me objektet.

Largpërçuesit afër shtëpive në Tetovë

Inxhinieri i Elektroteknikës, Salajdin Behadini, thotë për Portalb.mk se rreziqet nga këto largpërçues mund të jenë dy llojesh: rrezik nga dëmtimi mekanik i largpërçuesve si rezultat i përkeqësimit të kushteve klimatike ose rreziku nga afërsia dhe mosizolimi i largpërçuesit me izolatorë. Sipas tij, kjo mund të shpie deri te paraqitja e induksionit elektromagnetik si dukuri e padëshiruar që paraqet rrezik potencial për banorët. Ai theksoi se nuk ka rrezik nga rrezatimi.

“Sa i përket rrezatimit nuk ka rrezik sepse rrezatimi kryesisht është në funksion të frekuencës. Largpërçuesit janë me frekuencë 50 hz dhe nuk paraqesin rrezik. Zgjidhje më e përshtatshme për këtë problem është vendosja e kabllove nëpër kanale speciale (varësisht prej tensionit nominal) nën tokë”, tha Behadini.

MEPSO: I kemi ndërtuar para se të ndërtoheshin shtëpitë

Ndërtues i largpërçuesve është kompania MEPSO. Në një deklaratë për Portalb.mk, nga kjo kompani thonë se ka thuajse 30 vite që janë ndërtuar largpërçuesit në këtë pjesë të qytetit të Tetovës të caktuar si zonë industriale.

Sipas tyre, këto shtëpi janë ndërtuar më vonë dhe pa lejen e kompanisë duke shtuar se këto objekte është dashur të përshtaten me kushtet për ndërtim në terren. Nga kompania thonë se qytetarët dhe objektet të ndërtuara përreth largpërçuesve janë vetë në rrezik dhe rrezikojnë edhe funksionimin e largpërçuesit.

Largpërçuesit afër shtëpive në Tetovë

“Në të gjithë gjatësinë e largpërçuesve, pas ndërtimit të tyre janë ndërtuar objekte dhe kjo është bërë pa miratimin e dhënë nga MEPSO. Ndërtimi i paligjshëm kërcënon drejtpërsëdrejti sigurinë e objekteve, personave që punojnë në to ose që jetojnë në ato objekte dhe në të njëjtën kohë rrezikojnë funksionimin e objektit të energjisë – linjës së transmetimit dhe në përgjithësi të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të operuar nga MEPSO. Ndërtimet janë në kundërshtim me nenin 203 të Ligjit për Energjetikë”, thonë për Portalb.mk nga MEPSO.

Nuk lejohet ndërtim dhe kryerje e punëve të tjera, mbjellje e bimëve dhe drurëve në tokën ndër, mbi dhe përreth objekteve, mjeteve dhe ndërtimeve energjetike, me të cilat pengohet procesi i prodhimit, përçimit dhe shpërndarjes së energjisë ose rrezikohet siguria e njerëzve dhe pronave” thotë pasusi 1 i nenit 203, të Ligjit për Energjetikë.

Largpërçuesit afër shtëpive janë prej 110 kilovatësh me dy sisteme që lidhin stacionet e transformatorëve “Tetovë 1” dhe “Tetovë 2” dhe kjo lidhje ka rëndësi strategjike për furnizimin e qëndrueshëm të gjithë banorëve të Tetovës dhe vendbanimeve përreth me energji elektrike. Sipas kompanisë, të njëjtat janë ndërtuar në përputhje me ligjin.

“Gjatë ndërtimit të këtyre largpërçuesve, të gjitha normat teknike dhe kushtet për ndërtim janë përmbushur në përputhje me Rregulloren e cituar nga redaksia juaj dhe rregulloret pozitive ligjore. Të gjitha distancat e përshkruara të sigurisë dhe lartësitë e sigurisë të përçuesve fazor, domethënë litarë përmes të cilave është transferuar energjia elektrike, janë kryer sipas rregullores”, thonë nga MEPSO.

Largpërçuesit afër shtëpive në Tetovë

Komuna e Tetovës nuk e di sa shtëpi janë në këtë regjion

Pas më shumë se dy muaj pritje, kërkesa të njëpasnjëshme si dhe përdorim të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, Komuna e Tetovës ktheu përgjigjen e vonuar dhe cunguar në lidhje me legalitetin e shtëpive në këtë zonë.

Në pyetjet tona që janë si në vijim:

  • Sa shtëpi ka për momentin në këtë zonë?
  • Kur ka filluar ndërtimi i shtëpive në këtë zonë?
  • A janë të legalizuara këto shtëpi?
  • Kur ka filluar legalizimi i tyre?
    Përgjigjja e Komunës
    Përgjigjja e Komunës

Komuna u përgjigj se nuk posedon të dhëna të sakta rreth numrit të shtëpive të ndërtuara në atë territor, dhe se të njëjtat kanë filluar të ndërtohen para 20 viteve. Sipas tyre, një pjesë e shtëpive që janë ndërtuar para vitit 2011 janë legalizuar dhe legalizimi i tyre ka filluar me hyrjen në fuqi të Ligjit për procedim të objekteve të ndërtuara pa leje nga viti 2011.

A ka kush kryen kontrolle? Inspektoratet nuk marrin përgjegjësi

Përgjegjësinë për kontrollin e këtyre largpërçuesve MEPSO e mban Inspektorati Shtetëror për Inspektim Teknik dhe Inspektorati te MEPSO. Të kontaktuar nga Portalb.mk, drejtori i të parit, Ekrem Bunjaku tha se gjitha informatat duhet ti marrim nga kompania MEPSO ndërsa inspektorati i kësaj së fundit thotë që ndërtimet janë në rregull.
Ndërkaq, nga Inspektorati i urbanizmit lokal në Tetovë morëm përgjigjen e cunguar të lartpërmendur ndërsa të pakapshëm ishin përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror për ndërtim dhe urbanizëm për të kontrolluar rregullshmërinë e ndërtimeve afër largpërçueseve.

Largpërçuesit afër shtëpive në Tetovë
Vendndodhja e shtëpia
Vendndodhja e shtëpive

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button