Algjeri, opozita kundërshton prolongimin e zgjedhjeve presidenciale

Figurat e opozitës algjeriane shprehën kundërshtimin e tyre për vendimin e presidentit Abdelaziz Bouteflika për prolongimin e zgjedhjeve presidenciale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më herët këtë javë, 82-vjeçari Bouteflika njoftoi se zgjedhjet e planifikuara fillimisht për në muajin prill do të prolongohen në një datë të mëvonshme, ende të pacaktuar.

Ai po ashtu njoftoi vendimin për tërheqjen e kandidaturës së tij nga zgjedhjet e ardhshme.

Njoftimi i befasishëm pasoi disa javë pas protestave popullore, të cilat mbaheshin në pjesë të ndryshme të vendit përfshirë edhe kryeqytetin Algjeri, kundër qëllimit të deklarauar të Bouteflika-s për të kandiduar për një mandat të pestë në detyrë.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar sot, disa grupe opozitare kundërshtuan vendimin e prolongimit të zgjedhjeve, duke theksuar se ky veprim është “zgjerim i mandatit të katërt të Bouteflika-s në detyrë”.

Në muajin shkurt, Fronti Çlirimtar Kombëtar i Algjerisë emëroi Bouteflika-n, i cili ka qeverisur Algjerinë që nga viti 1999, për të kandiduar për një mandat të pestë presidencial.

Më herët, figurat opozitare kërkuan nga lideri tashmë i moshuar, i cili në vitin 2013 iu nënshtrua trajtimit për një trombozë të gjakut në tru, të përmbahet nga kontestimi i zgjedhjeve.

“Autoritetet aktuale (Bouteflika dhe qeveria e tij) nuk janë të kualifikuar për të udhëhequr periudhën e tranzicionit. Ata nuk mund të qëndrojnë në pushtet në kundërshtim me kushtetutën algjeriane dhe vullnetin e popullit”, theksuan opozitarët.

Grupet e opozitës po ashtu kërkuan nga publiku që të vazhdoj me protestat kundër Bouteflika-s dhe që “anëtarët e ndershëm dhe racional të parlamentit të tërhiqen nga asambleja kombëtare”.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga disa figura të shquara të opozitës, duke përfshirë kryeministrin Ali Benfli dhe ish-ministrin e Informacionit, Abdelaziz Rihabi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button