Gashtë OJQ-të apel Qeverisë së RMV-së: Të tërhiqet dhe të ripërpunohet Ligji për Prokurori

Gjashtë organizata joqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) nuk pajtohen me mënyrën në të cilën zhvillohet miratimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjin për Prokurorinë Publike, pasi që sipas tyre, gjatë rregullimit të kompetencave të Prokurorisë Speciale Publike nuk janë analizuar problemet e kësaj prokurorie dhe nuk janë marrë parasysh rekomandimet e parashtruara nga ata, transmeton Portalb.mk.

Ata kërkojnë që ligji të tërhiqet, dhe të riporpunohet nga Ministria e Drejtësisë (MD) me proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Me këtë ligj rregullohet ekzistimi i mëtejshëm, funksionimi dhe kompetencat e Prokurorisë aktuale Speciale Publike (PSP), pa u analizuar problemet e rëndësishme në lidhje me punën e PSP-së, të njohura pothuajse që nga fillimi i punës së prokurorisë, e nuk janë marrë parasysh as rekomandimet e deritanishme  nga organizatat qytetare dhe ekspertët. Prandaj kërkojmë ripërpunim të ndryshimeve dhe të plotësimeve të Ligjit, duke u fokusuar në dispozitat që kanë të bëjnë me statusin dhe punën e mëtejshme të PSP-së”, thuhet në njoftimin e gjashtë OJQ-ve.

Ata kanë shprehur pakënaqësi edhe për mostransparencën dhe mospërfshirjen e organizatave qytetare në procesin e përpilimit të Ligjit, e cila sipas tyre “ndikon drejtpërdrejt në krijimin e mosbesimit në funksionimin e mëtejshëm të PSP-së”. Kanë kujtuar se Ligji nuk është publikuar edhe në “ENER”.

“Versioni i Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, i cili u miratua nga Qeveria, ndryshoi nga versioni i grupit të punës, i cili na u prezantua përmes Këshillit për ndjekjen e reformave në gjyqësor”, thanë nga OJQ-të.

Sa i takon kufizimit të shfrytëzimit të “bombave”, nga atje pyesin: Cili është thelbi i ekzistencës së PSP-së, nëse “bombat” nuk mund të përdoren si prova?”.

Pjesë e këtij reagimi janë: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, Instituti për të Drejtat e Njeriut, Shoqata e Juristëve të Tinj të Maqedonisë, Qendra për Hulumtime dhe Analiza Ligjore, Instituti për Politikë Evropiane dhe Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, të cilat janë pjesë e grupit Blue Print të fokusuara në ndjekjen e reformave gjyqësore dhe përfaqësimin për zbatimin e tyre.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nëpërmjet kumtesës ka sqaruar se si Ligji për prokurori, edhe ai i PSP-së kanë qenë të vendosura në “ENER”, dhe kanë dalë nga Këshilli për ndjekjen e reformave në gjyqësor.

Përndryshe, më 5 mars, Qeveria e Maqedonisë e ka miratuar propozim-Ligjin për Prokurorinë Speciale i cili e rregullon statusin, autonominë dhe kompetencat e PSP-së. Siç sqaruan nga MD-ja, bazë për përgatitjen e këtij ligji, kanë qenë dy raportet e ekipit të ekspertit Pribe. Bëhet fjalë për ligj në të cilin është e rregulluar materia për Prokurori Publike dhe në ato korniza për PSP-në.

Për miratimin e Ligjit të PSP-së duhet 2/3 e votave “për” në Kuvendin e RMV-së, gjë për të cilën do të formohen grupe të punës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button