Qeveria: Bakteri MRSA i cili është vërtetuar te 4 fëmijë, nuk është i rrezikshëm, nuk ka hapësirë për panik

Në lidhje me rastet e bakterit MRSA të cilat u paraqitën në shkollën fillore në Butel dhe në çerdhen e fëmijëve në Çair, zëdhënësi i Qeverisë së RMV, Mile Boshnjakovski sot në konferencën për shtyp, theksoi se absolutisht nuk ka hapësirë për panik.

Boshnjakovski, ndër tjerash, theksoi se sipas informatave të Inspektoratit Shtetëror Sanitar  dhe Shëndetësor, bëhet fjalë për baktere nga grupi stafilokok dhe sipas analizave të bëra nga ISHSSH dhe rezultatet e Qendrës për Shëndet Publik, ky lloj bakteri MRSA mjekohet me krem antibakterial për hundë.

Njëkohësisht, siç theksoi Boshnjakovski, nga ana e ISHSSH u ndërmorën të gjitha masat e nevojshme në këtë shkollë dhe çerdhe. Gjithashtu, shtoi se është bërë dezinfektim, pastrim mekanik i hapësirave dhe të gjitha masat e tjera të nevojshme sipas protokollit në rast të paraqitjes së çfarëdo lloj bakteri.

Në konferencën e sotme për shtyp, zëdhënësi Boshnjakovski theksoi se nuk ka nevojë për mbylljen e shkollës e as çerdhes në këto dy komuna të Shkupit.

Përndryshe, në Komunën e Butelit, rasti i vetëm është paraqitur më 22 shkurt. Briset e marra nga nxënësit e tjerë, janë negativ.

Ndërsa në çerdhen e Çairit u vërtetua bakteri MRSA tek 3 fëmijë, në moshë ndërmjet 5 dhe 6 vjet. Në mënyrë preventive janë marrë brise nga 36 fëmijë, 2 përkëdhelëse dhe 1 nga personeli i higjienës. Të gjitha briset janë negative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button