Drejtorët dhe sekretarët shtetëror aktual do të duhet t’i kalojnë filtrat e ligjit për poste të larta

Drejtorët dhe sekretarët shtetëror do të duhet që t’i kalojnë të gjitha filtrat që i parashikon Ligji për poste të larta drejtuese, i cili momentalisht është në fazë të diskutimit publik dhe deri në fillim të muajit prill pritet që të dorëzohet në Qeveri për miratim.
Këtë sot e deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, në debatin publik për propozim-ligjin për poste të larta drejtuese i cili momentalisht gjendet në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik (RVNE), raporton Portalb.mk.

“Ky është fillimi i departizimit të administratës. Zakonisht menaxhmenti është ai që kryen trysni, andaj departizimin e administratës e kemi nisur prej këtu pozitave më të larta. Me këtë zgjidhje ligjore do të bëhet zgjedhja e kuadrove profesional, do të vendosen kritere të larta për udhëheqësit dhe zgjedhja e tyre do të bëhet duke i respektuar parimet për përfaqësim të drejtë, si në aspektin etnik, ashtu edhe në aspektin gjinor. Të gjithë drejtorët dhe sekretarët aktual do të duhet që t’i kalojnë të njëjtat filtra parashikohen me ligjin e ri. Viti 2018-të ishte vit i analizave dhe strategjisë, rezultatet e dukshme do t’i shohim tani. Këto ndryshime do të jenë të dhimbshme për politikanët, por në të mirë të qytetarëve”, shtoi Mançevski.

Mançevski - Jahiu, foto: Borçe Popovski "Kolektif.mk"
Mançevski – Jahiu, foto: Borçe Popovski “Kolektif.mk”

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jahi Jahiu e sqaroi propozim-ligjin dhe tha se emërimi i drejtorëve dhe sekretarëve do të bëhen në mënyrë publike dhe transparente, ashtu siç u përzgjodhën anëtarët e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit.

“Nuk mundemi të gjitha vrimat t’i mbulojmë me ligj, pasi që është e pamundur. Me rëndësi është që emërimi i këtyre funksionarëve do të bëhet në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë publike, pra intervistat do të transmetohen publikisht në televizionin shtetëror dhe çdokush që mendon se ka plan dhe program, por edhe që i plotëson kushtet mund të konkurrojë për një vend të caktuar. Do të ketë Komision i cili do ta zgjedh një komision tjetër, që do të duhet ta bëjë zgjedhjen e drejtorëve dhe sekretarëve. Çdokush do të ketë të drejtë të konkurrojë dhe do të zgjedhet ai që i plotëson kushtet”, tha Jahiu.

Propozim-ligji i ri për poste të larta udhëheqëse parasheh emërimin e posteve të “sekretarit ekzekutiv” dhe “drejtorit ekzekutiv” dhe ajo vlenë vetëm për disa institucione, të cilat më poshtë do t’i shihni, ndërkaq nuk vlen për Armatën e Maqedonisë së Veriut, gjyqësorin, prokurorinë, por edhe shërbimet e sigurisë.

  • Sekretari ekzekutiv do të emërohet nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, zyra e Avokatit të Shtetit, Sekretariati për Legjislacion, Sekretariati për Çështje Evropiane, Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Këshilli i Inspektimit, ministritë, komunat, Qyteti i Shkupit dhe komunat në qytetin e Shkupit.
  • Drejtori ekzekutiv do të emërohet në organet e pavarura të administratës shtetërore, të ministrive, të ndërmarrjeve publike, të institucioneve shëndetësore publike dhe të shoqërive aksionare në pronësi të shtetit.

LEXO: Propozim-Ligji për poste të larta: Drejtorët dhe sekretarët shtetërorë do ta marrin statusin e “drejtuesve të lartë”

Organizatat joqeveritare, shtruan disa çështje në lidhje me propozim ligjin, në mesin e tyre kishte kritika, rekomandime, por edhe lëvdata për të njëjtin.

Neda Maleska nga Qendra për Menaxhim me Ndryshime, e vlerësoi pozitivisht propozim-ligjin dhe tha se i njëjti jep tre porosi, gjegjësisht gjithëpërfshirjen, përzgjedhjen e më të mirëve dhe parandalimin e emërimeve jokompetente.

“Do të veçoja tre veçori pozitive të këtij propozim ligji: Selektimi – kemi vend qendror nëpërmjet procedurës së hapur çdo qytetar do të mundet të konkurrojë; Porosia – Qeveria me këtë po thotë se i duhen njerëzit më të mirë dhe Parandalimi – Do të parandalohet emërimi i personave jokompetent”, tha Maleska.

Marija Mirçevska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur, e ngriti çështjen që të përhapet përfshirja e posteve, gjegjësisht të mos jetë vetë për drejtorët dhe sekretarët e disa institucioneve përkatëse.

“Pse nuk janë përfshirë edhe zv/drejtorët? Pastaj kemi këtu se janë të përfshirë drejtorët e institucioneve shëndetësore, pse nuk janë edhe drejtorët e institucioneve sociale, arsimore, korrektuese, gjegjësisht burgjeve e kështu me radhë”, tha Mirçevska.

Ministri Mançevski deklaroi se propozim-ligji ende është i hapur për t’u korrigjuar dhe do të merren parasysh të gjitha vërejtjet. Të interesuarit që duan ta shohin propozim-ligjin në tërësi dhe nëse duan që të japin sugjerime ose komente, mund ta bëjnë: KËTU.

Sipas paralajmërimeve të ministrit Mançevski, pritet që deri më 1 prill të mbarohet procedura e debatit publik, ndërkaq më pas ligji do të hyjë në procedurë qeveritare. Deri në fund të majit pritet që të dërgohet në Kuvend. 6 muaj pasi të miratohet në Kuvend, duhet që të harmonizohen rregulloret e institucioneve. Për zbatimin e këtij ligji do të duhen 10 milionë denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button