Prezantohet filmi dokumentar “Honey Land”

Në kinemanë e qytetit “Milenium” në Shkup është mbajtur projeksioni i mbyllur i filmit dokumentar “Honey Land” (Toka e mjaltit) gjatë të cilit gazetarët kishin mundësi që të shikojnë filmin i cili muajin e kaluar fitoi çmimin e jurisë si filmi dokumentar më i mirë në konkurrencë të filmave botërorë në festivalin amerikan “Sandens”, raporton Anadolu Agency (AA).

Filmi dokumentar “Honey Land”, me regji të Lubomir Stefanovit dhe Tamara Kotevskas, përpos që fitoi çmimin e jurisë si film më i mirë dokumentar, fitoi edhe çmimin për kinematografi më të mirë (Special Jury Award for Cinematography), çmim të cilin në SHBA e pranuan kameramanët Fejmi Daut dhe Samir Luma.

Filmi dokumentar gjithashtu fitoi edhe mirënjohje speciale nga juria për ndikim për ndryshime (Special Jury Award for Impact for Change).

Pas projeksionit të mbyllur, Lubomir Stefanov dhe Tamara Kotevska iu referuan përshtypjeve të publikut të pranishëm i cili kishte mundësinë për të shikuar filmin.

“Ishin të mahnitur, kishte emocione, kishte njerëz që dolën të përlotur, gjë që ka domethënie të madhe për ne, para së gjithash për shkak se e kanë përjetuar si njerëz, krahas asaj që janë gazetarë e kanë përjetuar me emocione dhe kjo ka rëndësi të madhe për ne”, tha Kotevska.

Për Stefanovin, krahas çmimeve për filmin në nivel ndërkombëtar, janë të rëndësishme edhe përshtypjet e publikut vendas.

“Më e rëndësishme është se si pranohesh në shtëpi, ne shpresonim se filmi do të pritet mirë. Është larg repertorit të zakonshëm, premierë zyrtare do të ketë në ‘MakeDons’ në gusht dhe më pas me siguri në tetor do të shfaqet edhe nëpër kinema dhe do të mund të shohim përshtypjet”, tha Stefanov.

Një nga mesazhet kryesore të filmit është ngritja e vetëdijes tek njerëzit për mjedisin në të cilin jetojnë, ndërsa regjisorët besojnë se vepra e tyre kontribuon në ngritjen e kësaj vetëdijeje.

“Shoqëria jonë është akoma larg asaj, ne shpresojmë se sadopak do të kontribuojmë në këtë”, tha Stefanov.

“Un nuk mendoj se shoqëria jonë është larg asaj dhe filma dhe aktivitete si ky, mendoj se do të bëjnë një hap para drejt asaj që ne duam, e ajo është që të jemi të vetëdijshëm për mjedisin dhe për atë që po ndodh me të”, tha Kotevska.

Duke ndarë eksperiencën e xhirimit të filmit me gazetarët, Stefanov dhe Kotevska thonë se çdo ditë e xhirimit ka qenë një sfidë e re.

“Honey Land” ishte në konkurrencë zyrtare në festivalin prestigjioz amerikan “Sandens” për filma të pavarur, në konkurrencë me 11 filma të tjerë dokumentarë nga e gjithë bota.

Filmi rrëfen për Hatixhen, e cila është me prejardhje turke dhe është gruaja e fundit në Evropë që merret me kultivimin e bletëve të egra. Ajo jeton e vetme me nënën e saj në një fshatë që ndodhet në pjesën qendrore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Producent dhe montazhier i filmit është Atanas Georgiev, muzikën e kanë bërë anëtarët e grupit “Folltin”, ndërsa si mbikëqyrës i muzikës është Rana Eid nga “DB Studios” nga Bejruti.

Dokumentari është realizuar si pjesë e programit për ruajtjen e mjedisit në Maqedoninë e Veriut, një projekt i agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim, nën koordinim të “Farmahem”, ndërsa është përkrahur edhe nga Agjencia për Film.

Dy ditë filmi do të ketë projeksion të mbyllur për gazetarët, ndërsa shfaqja publike do të bëhet në festivalin e filmit “MakeDons” në muajin gusht të këtij viti në Shkup.

Në ndërkohë, ekipi do të udhëtoj në vende të ndryshme të botës ku filmi do të shfaqet në festivale të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button