Ndikimi rus në Shqipëri, dyshime për një skenar të ngjashëm me Velesin

Top Channel dha disa detaje të hënën, nga ajo çfarë raportoi kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, në Komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, në lidhje me tentativat e Rusisë për të shtuar ndikimin në vendin tonë.

Por, cilat janë mënyrat e shtimit të influencës ruse në Shqipëri dhe mjetet që po përdoren në arritjen e këtij qëllimi?

Në kushtet e konfidencialitetit, një burim nga inteligjenca shqiptare i shpjegoi Top Channel se, 3 janë mënyrat e shtrirjes së kësaj influence.

“Pas marrëveshjes së Shqipërisë për instalimin e një baze të NATO-s në Kuçovë shikojmë një intensitet të tentativave për rritje të influencës ruse”, thotë burimi.

Sipas të njëjtit burim, Rusia e ka trefishuar vitet e fundit numrin e bursave të plota dhënë për studentët shqiptarë.

Një tjetër aspekt ku është fokusuar inteligjenca shqiptare lidhet me aktivitetin e Ambasadës dhe diplomatëve rusë në Tiranë.

“Dëbimi dy diplomatëve rusë vitin e shkuar është bërë pas informacioneve të SHISH-it edhe për të dobësuar kapacitetet e shtrirjes së kësaj influence”, pohoi zyrtari i kundërzbulimit shqiptar.

“Janë disa miliona dollarë të shpenzuara për blerje mediesh dhe portalesh në rajonin e Ballkanit nga Rusia. Nuk bën perjashtim as Shqipëria”, u shpreh ky burim, i cili theksoi se “jemi duke vëzhguar aktualisht aktivitetin e këtyre portaleve, si dhe rritjen e ndjeshme të frekuencës së prodhimit të lajmeve proruse gjatë 3 viteve të fundit, që prej fillimit të fushatës elektorale të vitit 2017”.

Top Channel tentoi të kontaktonte Ambasadën ruse për t’i marrë një koment, por e pati të pamundur. Gjatë 5 viteve të fundit, Rusia është investuar fort në zhvillimin e rrjeteve mediatike veçanërisht në Maqedoni. Në një qytet të vogël malor, të quajtur Veles, i cili gjatë fushatës së zgjedhjeve amerikane të vitit 2016 u kthye ne kryeqytetin global të “fake news”.

Aktiviteti i portaleve “fake” në Veles është tashmë objekt hetimi në SHBA, por edhe i Prokurorisë Speciale në Maqedoni. Hetimet në vendin fqinj po ndiqen me interes nga inteligjenca shqiptare, pasi mund të pasurojnë informacionet se mund të jenë të njëjtat rrjete që investuan miliona dollarë në Veles, nga ku drejtohej një operacion mediatik jashtëzakonisht efikas, financuar nga qarqet ruse, për avancimin e një agjende mediatike në mbështetje të interesave politike të Kremlinit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button