Përmes projektit “Shkolla e shekullit 21”, fëmijët do të fitojnë aftësi digjitale

Qeveria britanike do të investojë 10 milionë funte, për të trajnuar një milion nxënës në Ballkanin Perëndimor me aftësi digjitale për të ardhmen. Projekti “Shkolla e shekullit 21” do të fillojë sot edhe në vendin tonë dhe do të përfshijë 330 shkolla fillore. Fëmijë të moshës 10-15 vjeç do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të mendimit kritik, për zgjidhje të problemeve dhe kodimin, njofton Meta.mk.

Secila shkollë do të pranojë nga 20 pajisje “mikro: bit” për kodim, të cilat do t’u ndihmojnë të rinjve të fitojnë aftësi të reja digjitale në një mënyrë argëtuese dhe interaktive.

Ministri britanik i Shtetit për Evropën, Sër Alan Dankan, përmes një video theksoi se është i lumtur që ky program po fillon në 30-vjetorin e themelimit të rrjetit global të internetit (world wide web – www).

“Po e bëjmë këtë, sepse duam t’i ndihmojmë rajonit që të ketë prosperitet dhe stabilitet. Zhvillimi i aftësive në shekullin e 21-të do të ndihmojë në krijimin e gjeneratës së ardhshme të sipërmarrësve të teknologjisë dhe do të ndihmojë të krijohen më shumë vende pune”, tha Dankan.

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës Damjan Mançevski tha se ky projekt është moment i kthesës në procesin arsimor.

“Arsimi i sotëm do t’i lë fëmijët pa punë. Ekziston mospërputhje e madhe ndërmjet ofertës dhe kërkesës. Ky projekt tregon se mësimi mund të jetë edhe zbavitës. Kodimi nuk është aftësi e TI, por mënyrë e të menduarit dhe logjikës. Në të ardhmen, 90 përqind e vendeve të punës do të kërkojnë nivel bazë të aftësive digjitale. Arsimi është parakusht për të krijuar kuadro të tilla”, tha Mançevski.

Ambasadorja britanike Rejçell Gallouej theksoi se fëmijët përmes këtij programi zhvillojnë aftësitë përmes mënyrave inovative të reja dhe kreative, e zhvillojnë mendimin kritik dhe aftësi për të zgjidhur probleme të komplikuara.

Ministri i arsimit Arbër Ademi tha se drejtorët shkollave dhe mësuesit do të angazhohen maksimalisht, për të marrë pjesë në trajnime dhe thelbin t’ua përcjellin fëmijëve në mënyrë përkatëse.

Në të gjitha shkollat ​​do të ketë trajnerë për këtë projekt, i cili do të zgjasë tre vjet, ndërsa Ademi dëshiron që programi të bëhet pjesë e procesit arsimor.

Këshilli Britanik e prezantoi programin si pilot-projekt në 20 shkolla dhe sipas drejtoreshës Eleonora Zaprova ata kanë pranuar shumë reagime pozitive nga pjesëmarrësit.

Gjatë prezantimit të projektit, nxënësit më të mirë i prezantuan punimet që i kanë realizuar, ndërsa do të konkurrojnë në nivel rajonal në Samitin digjital për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet në Beograd.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button