HALLE ME GJUHËN

Përsëri halle me gjuhën. Si duket shkollat tona në tërë hapësirën etnike nuk i japin rëndësi gjuhës, Dhe, kjo është punë e keqe. Shumë e keqe. Po nuk mund t’ia qesim të gjitha fajet shkollës, për shkak se për srsimin detyrë e ka të kujdeset shteti, si çdo shtet normal në këtë botë. Është koha e fundit që përfaqësuesve të pushtetit t’u kujtohet se gjuha është guri  më i rëndësishëm në themelet e shtetit, se gjuha e përcakton identitetin tonë, se gjuha është trashëgimia më e rëndë[sishme që na ka ardhur nga të parët. Me gjuhën nuk mund të sillet kush si do. Ajo duhet të mbrohet me ligj dhe ata që janë të thirrur ta mbrojnë – duhet detyrimisht ta mbrojnë. Nëse i shkelin normat e gjuhës, nëse nuk i përfillin rregullat, atëherë duhet t’i detyrojë ligji të veprojnë si duhet, pra duhet ta respektojnë ligjin dhe gjuhën.

Te ne, për fat të keq, gjuha është lënë si vakëf i një shteti që është në shthurje e sipër. Kush do dhe si do mund të sillet si ia do qejfi, në të shumtën e herave sjellja e tyre është jo vetëm shkelje e rregullave dhe normave, por edhe fyerje e gjuhës, që do të thotë se është fyerje edhe e  popullit tonë i cili është më i thirruri që t’i bëjë ndryshimet gjuhësore dhe ta çojë gjuhën përpara.

Meqë nuk ka institucion i cili është i ngarkuar me detyrë për mbrojtjen e gjuhës, atëherë i mbetet ndërgjegjes së disa njerëzve që t’ua tërheqin vërejtjen institucioneve, politikanëve, mediave dhe të gjithë atyre që kanë komunikim me publikun që t’i hapin sytë e të sillen me respekt ndaj pasurisë më të madhe shpirtërore të popullit shqiptar.

Kësaj radhe kam disa vërejtje:

Thuajse të gjitha strukturat politike, arsimore e kulturore në Shqipëri e kanë qejf ta përdorin fjalën ekselent. Student ekselent etj. Në gjuhën tonë nuk thuhet ekselent, por i shkëlqyeshëm. E vërteta është se mbiemri i shkëlqyeshëm vjen pikërisht nga latinizimi ekselent, por kjo s’ka rëndësi. Populli e ka huazuar dhe me kohë ia ka veshur petkun fonetik të shqipes, ashtu si e do natyra e shqipes. Prandaj jemi të detyruar të themi student i shkëlqyeshëm, jo ekselent. Ngjashëm me këtë nuk thuhet Ekselenca Juaj, por Shëlqesia Juaj.

Shembulli tjetër: Gjithandej dëgjojmë e lexojmë sintagmën Viena e Austrisë, në Vienë të Austrisë. Kështu mendojnë gazetarët e shumtë se tingllon më mirë. Mirëpo gjuha ka shpirt dhe logjikë. Dhe ato duhet të respektohe. Prandaj nuk do të themi në Vienë të Austrisë, por thesht – në Vienë, ngase nuk ka Vienë të Rusisë e as Vienë të Mongolisë. Kështu nuk thuhet në Kavajë të Shqipërisë, sepse nuk ka Kavajë të Moldavisë e të ndonjë vendi tjetër.

Tjetri: Është një emision në një televizion me titull – Në kurthin e Piter Pan. Nuk e kuptoj se çfarë do të arrijë me këtë titull gazetari dhe vetë televizioni. Pse e dhunojnë kështu gjuhën tonë, vallë? Po nuk thuhet në kurthin e Piter Pan, po në kurthin e Pjetër Panit. Shumë e thjeshtë është puna. Anglezët këngën frenge Frer Zhak e kanë përkthyer si Bradhër Xhon. Pse? Që kënga të bëhet e afërt me natyrën e gjuhës së tyre. Ata e respektojnë natyrën e gjuhës së tyre. Pse ne s’e respektojmë. A është injoranca e gazetarëve tonë fajtore apo papërgjegjësia institucionale.

Miq të dashur, le t’i respektojmë rasat e gjuhës sonë, trajtat dhe drejtshkrimin. Drejtshkrimin medoemos, sepse është ligji i gjuhës shqipe. Por le ta respektojmë edhe standardin në komunikim publik.

Nëpër shtëpitë tona, në krahinat tona do të flitet e folmja e asaj ane, por në përdorim zyrtar e publik duhet standardi është ligj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button