Shkup, u shënua 76-vjetori i deportimit të hebrenjve

Me një ceremoni përkujtimore në Shkup është shënuar 76-vjetori i deportimit të hebrenjve nga Maqedonia e Veriut gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të shënimit, në Maqedoninë e Veriut po qëndron ministri për Kudsin dhe për Mjedisin Jetësor në Qeverinë e Izraelit, Ze’ev Elkin, nënkryetari dhe drejtori ekzekutiv i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer dhe rabini Andrew Baker, të cilët në fjalimin e tyre theksuan nevojën për të mos lënë në harresë atë që ka ndodhur me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përpos tyre, ambasadori izraelit në Maqedoninë e Veriut, Dan Orian, lexoi letrën përshëndetëse të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërsa letër për këtë rast kishte dërguar edhe kryetari i Parlamentit izraelit (Knesset-it), Yuli Edelstein.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fjalimin e tij para të pranishmëve tha se holokausti është tragjedi njerëzore që nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër.

“Sot, kur shënojmë 76-vjetorin e deportimit të hebrenjve nga Maqedonia e Veriut në kampet naziste të vdekjes, themi se ai akt i tmerrshëm do të përkujtohet përgjithmonë, ndërsa kujtimet për viktimat do të mbesin obligim i ynë që asnjëherë më të mos harrohet ai akt i tmerrshëm”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për antisemitizmin në rritje në vende të caktuara, duke theksuar se ndaj kësaj nevojitet “kundërshtim i fuqishëm i mbarë botës demokratike”.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryetarja e komunitetit të hebrenjve në Maqedoninë e Veriut, Berta Romano Nikoliq, e cila tha se 11 marsi është simbol i përkujtimit të hebrenjve të depërtuar.

“Hebrenjtë e ndajnë fatin e popullit të Maqedonisë së Veriut në përditshmërinë dhe në shumë udhëkryqe përgjatë historisë. Popujt hebrenj dhe maqedonas janë të vegjël për nga numri, por të qëndrueshëm”, tha Nikoliq.

Përpos kryeministrit Zaev, në ceremoninë përkujtimore të pranishëm ishin edhe përfaqësues tjerë të Qeverisë, Kuvendit dhe pushtetit lokal, kandidatët për president Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova, si dhe diplomatë të shumtë.

Gjatë ceremonisë përkujtimore u tha se hebrenjtë në territorin e Maqedonisë së Veriut gjenden për më shumë se 2 mijë vjet, por se numri i tyre ndjeshëm është shtuar 5 shekuj më parë, pas deportimit të tyre nga Spanja, kur Perandoria Osmane pranoi t’i strehoj ata.

Të pranishmit gjithashtu vizituan edhe ekspozitën e përhershme në Qendrën Memoriale të Holokaustit në Shkup, ku u ekspozua edhe një kopje e librit të shenjtë të hebrenjve, i sjellë në Maqedoninë e Veriut para 5 shekujve bashkë me hebrenjtë e deportuar nga Spanja.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Maqedonia e Veriut u deportuan gjithsej 7.114 hebrenj. Ata u mblodhën nga më shumë qytete, por më të shumtë ishin nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi, për t’u transportuar dhe vrarë në kampet në Treblinka të Polonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button