Tradhtarët pas Samiut

’O burra shqiptarë
Të marrim dituritë,
Se s’është koh’ e parë,
Tani lipset dritë..’’
(Naim Frashëri, 1995:88)

Unë quhem Shaha, Shaha Hyseni. Unë kam lindur dhe jam rritë në Preshevë, nëse doni me e qujtë Luginë sipas emërtimit që i ka dhënë Perëndimi ose Kosovë Lindore, qysh t’keni qef. Shkollën fillore dhe t’mesme i kom mbaru n ‘vendlindje, aty ku mundësitë për shkollim të mëtutjeshëm janë pothuajse të parealizueshme dhe unë e shumë tjerë detyrohemi me vazhdua studimet jashtë vendit, kur them jashtë vendit e kom fjalën jashtë Serbisë.

Meqenëse fitova bursë nga Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, vendosa të vazhdoj atje. Nivel bachelor të mbaruar kam drejtimin Gjuhë Angleze dhe Studime Amerikane. Ky universitet është universitet privat dhe financohet nga qeveria e Turqisë. Shpesh kemi dëgjua të tjerët duke thënë “a po ja shpërlajnë trunin?”

Sidoqoftë ose nejse… Nga Lugina në Maqedoni nga Maqedonia vazhdova në Turqi, studime nivel master, drejtimi Studime Kulturore. Një herë një zonjë m’ka pas pyet ku po studion. Unë u përgjigja n’Turqi. M’tha “a për fe po studion a”? Me nji lloj inferioriteti e arrogance kinse me studju për fe është keq, dhe se Turqia e studimet ndërlidhen me fenë.

Gjithsesi…gjatë kohës n’Turqi, që tash po bëhen gati se dy vite, shumë shpesh e dëgjoj urrejtjen edhe mllefin që e kanë shqiptarët ndaj turqve. ‘’Pse po investon Erdogani ktu’’,’’Mos u asimiloni atje’’, ‘’A ki me u martu me turk a’’, ‘’Mos e përzieni racën’’… e shumë e shumë fraza të tilla t’mbushuna me urrejtje. Ma shumë e dëgjojmë ‘’ata na kanë sundu neve 500 vjet’’. Është e vërtetë që na kanë sundu, po nëse nuk do t ‘kishim pranu Islamin atëherë sot ishim të asimiluar në sllav e kjo “gjë që nuk na kishin pëlqy.”

Qëllimi im përmes këtij shkrimi jo shumë akademik, me nji gjuhë jo standard është më përçu nji mesazh t’cilin kohë të gjatë e kom mendu. Sa isha tu lexu Enis Sulstarova ‘’Arratisje nga Lindja’’ lexova poezi që si kisha lexu ma herët, poezi të Rilindësve. Ato poezi tregojnë se sa “barbarë e sa racë e keqe jon turqit”. Këtu unë nuk po përçoj ndonji propagandë për turqit,e as nji lloj propagande tjetër (po me siguri shumë prej juve keni me thonë që po, meqenëse edhe studimet bachelor dhe master po i kryej nga bursat që i ndan Turqia për studentë të huaj), po dua të qartësojë nji gja, sidomos te rinia.

Kur themi se ata janë racë e poshtër, atëherë ne marrim rolin e perëndimorëve, thojmë se raca jonë është ma e mira. Po edhe ne jemi barbarë në sy të Evropës. Ideja se fryma perëndimore prodhon veç sende t’mira, harrojmë se Evropa e ka kolonializu 85% tokës deri n’Luftën e parë botërore, kolonializmi pra, temë shumë pak e diskutuar mes të rinjve shqiptarë.

Lindja gjithmonë për ne ka qenë e papëlqyer. Pse? Se ne jemi racista. “Oh Zot Arabët”. Kur jemi injorantë ne jemi edhe inferior, ‘’tjetrin’’ e shohim si barrierë, jo si diçka që mundemi me përfitu, si për shembull poezia arabe ose ushqimi arab! Ju propozoj me provu Shawrma, gishtat i leni. Ose me lexu Mahmoud Darwish, Iqbal, Nizar Qabbani, poezitë e të cilve jau ndezin telat e zemrës. Por jo, se na jemi njerëz të SHIJES, elita, klasa e cila e ka shijen e vet, të tjerat janë pa krip. Të njëjtën gjë e ndjejmë edhe për boshnjakët. Për shkak se nuk e dijmë me dallu gjuhën serbe dhe boshnjake menjëherë marrim tendencën me i qujt ‘’shkije’’. Shkurt edhe shqip ne edhe me tregu empati nuk dijmë.

Po i kthehem shkollimit. Arsyeja e shkollimit tim dhe shumë të tjerëve nuk osht asimilim, aspak! Unë jom rrit n’Serbi, kam msu gjuhën po nuk jam asimilu! Se cili nga shtetet tona, në këtë rast si jetim nga Presheva pyes shumë haptazi, cili na ka ofrua kushte për shkollim? Pa harru me përmend që studentët e Luginës të diplomuarit nga Mjekësia e Përgjithshme nuk mujm me pas liçens pa qenë qytetarë të Kosovës. Se kërkoj ndjesë, e kom fjalën për neve klasën e ulët, se na gjithë e dijm se si jetojnë të pasunit.

Tash pas ktij shkrimi shumë kanë me shit patriotizëm sipas kushteve ekonomike. M’vjen interesant pse asnjiherë nuk osht fol për asimilim për studentat që studjojnë në Evropë? Ama kur thu ‘’Unë studioj n’Evropë, nuk tingllon aq cool se sa ‘’studjoj n’Turqi’’ apo? Se neve shqiptarëve na duhet me qenë modern, d.m.th mu bo racist me një fare mënyre, me i shpërfill krejt racat. Ne vazhdojmë me kërku identitetin tonë në Evropë, këtë identitet e kemi kërku qysh moti, e gjith dikush e ka pas fajin pse ne nuk kemi mundur t’ecmi drejt modernitetit, por ende kur duam të ofendojmë dikë i thomë ‘’mos u bo si maxhup.’’

Pa asnji tendencë për me mbajtë nji anë, unë kërkoj që ne t’lexojmë më shumë, t’i hapin vetes rrugë për me i pa gjanat prej prizmave t ‘ndryshëm, mos me qenë paragjykues, mos t ‘kultivojmë mendje provincash. Ne historinë nuk mundemi me e ndrru, po sot gjanat kanë ndryshua, por edhe historinë e gabume nuk duhet me lexu. Po harrojmë se jemi shumë t’mençur e se shtetet tona kanë prodhu këngëtare e sportiste, po ne ende nuk kemi intelektualë shqiptarë të njohur mbarë botën, edhe ata që i kemi, atë që e përmenda më lartë Sulstarovën, ne nuk e lexojmë se jemi shumë t’zanun me filozofa evropian, jemi t’zanun duke i paraqitë anomalitë e racave tjera, pra jemi shumë t’zanun ama sen s’jemi tu bo.

Unë tradhtarja pas Samiut erdha me studiuar n’Tyrqi. Por veç një dallim ka mes neve. ‘’Shqiptarët po që të duan të mos ndahen nga Tyrqia, duhet të humbasin bashkë me të’’ (1999:23 e cituar në Sulstarova, 2013 f.58). Unë si një akademike e ardhshme nuk pretendoj me lobu për vlera raciste. Racimzi, islamofobia dhe koncepte të tjera qe i ka prodhu Evropa, e gjithë bota e dijnë këtë gjë. Nëse e ushqejmë veten me vlera të mirfillta, me ditë me bo dallimin mes t’mirës dhe t’keqes, mes librit dhe muhabetit t’kotë që vazhdon me shekuj, rinia jonë nuk kish ndje kaq shumë mllef ose inferioritet.

Këtë shkrim e nisa me një poezi të Naimit, edhe ai veç për burra kish fol. Baci Naim, sot edhe ne femnat po shkrujmë, edhe premtojmë që deri n’frymën e fundit kemi me u shkollu për atdhedashuni, për me çelë faqe t’bardhë jo tu i’a lon fajin tjerve por me fillu prej vetes. Mes tradhtarëve të kombit edhe unë, e shumë të tjerë po bëjmë pjesë, kshtu na kanë portretizu injorantët.

Samiun e morën në Turqi, mua më solli nevoja!

Shaha Hyseni është botuese e librit me poezi ‘’Krahë të Bardhë’’(2015). Ajo është ndër themelueset e shoqatës joqeveritare “Unioni i Studentëve të Luginës së Preshevës në Maqedoni’’, një vit ka shërbyer si kryetare e kësaj shoqate, koordinatore e shkollës së parë verore në Presheve. Aktiviste te shoqata kulturore ‘’Dituria’’. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button