Aksidenti në Llaskarcë, Prokuroria duhet të vendos për gjuhën e urrejtjes së profesoreshës Vankovska

Prokuroria duhet të deklarohet nëse profesoresha universitare Biljana Vankovska ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes në rrjetet sociale në lidhje me aksidentin e 13 shkurtit në të cilin humbën jetën 15 persona, njofton Portalb.mk.

Statusi i Biljana Vankovskës për aksidentin tragjik në Llaskarcë
Statusi i Biljana Vankovskës për aksidentin tragjik në Llaskarcë

Ministria e Punëve të Brendshme, sipas procedurës, ka dorëzuar raportim zyrtar deri te Prokurori, në lidhje me qëndrimin publik të Vankovskës, e cila në ditën e aksidentit, nëpërmjet rrjetit social Fejsbuk shpërndau gjuhë të urrejtjes duke e lidhur aksidentin tragjik me ndodhinë e konfliktit të vitit 2001 në Karpallëk në të cilën u vranë 10 ushtarë të Armatës së Maqedonisë nga formacionet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Në ditën e aksidentit, Vankovska shkruajti një status “Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallëk”. Qëndrimi i saj shkaktoi uragan të reagimeve për shkak të urrejtjes që përcolli.

Nga Prokuroria për Portalb.mk, deklaruan se nuk munden ta konfirmojnë rastin pasi që bëhet fjalë për procedurë parahetimore e cila sipas Ligjit për procedurë penale, është e fshehtë.

Nga MPB, sot për Portalb.mk, njoftuan se kanë dorëzuar padi penale kundër një 31-vjeçarit nga Kumanova pasi që ka shpërndarë gjuhë të urrejtjes në lidhje me aksidentin, por, përveç Vankovskës kanë dorëzuar raportime deri te Prokuroria edhe për 5 persona tjerë. Sipas procedurës, Prokuroria tani duhet që të japë mendim, gjegjësisht të konstatojë nëse ka elemente për përgjegjësi penale. Nëse Prokuroria konstaton, atëherë Policia dorëzon dhe zyrtarisht padi penale për gjuhë të urrejtjes.

Sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut, personi që “shpërndan materiale raciste dhe ksenofobe nëpërmjet sistemit kompjuterik”, dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet.

Neni 394, paragrafi 1: Ai që nëpërmjet sistemit kompjuterik në opinion shpërndan material të shkruar racist dhe ksenofob, fotografi ose ide tjetër reprezentative ose teori e cila ndihmon, promovon dhe nxit urrejtje, diskriminim ose dhunë, kundër cilitdo person ose grup, në bazë të racës, ngjyrës së lëkurës, nacionalitetit ose përkatësisë etnike, por edhe besimit fetar, do të ndëshkohet me burg prej 1 deri në 5 vjet”.

Ndryshe, gjuha e urrejtjes apo nxitja e gjuhës së urrejtjes, edhe pse është vepër penale në Maqedoni, ndër vite nuk është dënuar. Prej kur kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja ligjore të Kodit Penal për gjuhën e urrejtjes, gjegjësisht prej shkurtit të vitit 2014-të, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona me të holla për gjuhë të urrejtjes.  Numri i ndëshkimeve është mjaft i vogël, krahasuar me paraqitjet në platformën digjitale “Paraqite dhe kundërshto gjuhën e urrejtjes” të cilët për të njëjtën periudhë kanë regjistruar 341 raste, ndërkaq Policia ka dorëzuar padi penale për 24 raste.

Por, pas ndërrimit të pushtetit, autoritetet kanë filluar që të merren më seriozisht me këtë çështje.  Për rast të ngjashëm sikur të Vankovskës, Prokuroria më 19 tetor të vitit 2018-të dorëzoi padi penale kundër gazetarit Milenko Nedellkovski, për vepër penale përhapje të informacioneve raciste dhe ksenofobisë në internet.  Nedellkovski, në profilin e tij publik në një rrjet social botoi një koment me rastin e  rastin e zjarrit në gadishullin grek Attica, ku kishte edhe viktima njerëzore. Në të njëjtën kohë, komenti nxiti urrejtjen për një grup të caktuar etnik – grekë, të cilët u prekën nga zjarri shkatërrues.

Në lidhje me lajmet e rrejshme, Sektori për Krim Kompjuterik vepron në lidhje me të njëjtën dhe nëse konstatohen elemente të veprës penale në pajtueshmëri me ligjet e Maqedonisë së Veriut për të njëjtën në koordinim me prokurorin publik do të merren masa shtesë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button