ANALIZË: Shtatë milionë euro për zhvillim rajonal – si ndahet kulaçi shtetëror i Maqedonisë së Veriut? (Infografik)

Gjithsej 6,9 milionë euro këtë vit janë planifikuar të harxhohen për nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal në vend. Paratë janë të dedikuara për tetë rajonet planifikuese. Vetëm për financimin e projekteve në nivel të rajoneve planifikuese janë ndarë pothuajse 5 milionë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Sipas të dhënave, pjesa më e madhe ose 17,3% e ndihmës shtetërore për zhvillim të barabartë rajonal është e dedikuar për rajonin planifikues Verilindor.

Nevoja të mëdha – a shfrytëzohem dhe si shfrytëzohen paratë.

Rritje ekonomike në nivel rajonal, infrastrukturë bashkëkohore, nxitje e konkurrencës, shfrytëzim dhe nxitje e bazës teknike-teknologjike dhe potencialit të kapaciteteve industriale, shfrytëzim optimal i resurseve natyrore dhe potencialeve energjetike të rajoneve planifikuese, mbrojtje e mjedisit jetësor – e gjatë është lista e prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë për zhvillim rajonal të rajoneve planifikuese. Për çdo vit ndahen shuma milionëshe në euro për t’u arritur këto qëllime – por cilat janë efektet, si ndahen paratë dhe cilat janë projektet?

Në vend janë definuar tetë rajone planifikuese: i Shkupit, Juglindor, Lindor, i Pellagonisë, i Vardarit, Jugperëndimor, i Pollogut, Verilindor dhe secili prej tyre i ka karakteristikat e veta ekonomike, sociale dhe demografike, të cilat edhe përdoren për mënyrën e ndarjes së parave buxhetore. Me Programin për zhvillim të barabartë rajonal për vitin 2019 janë planifikuar mjete në vlerë prej 6.910.569 eurosh. Pothuajse 68% e kësaj shume është e dedikuar për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese. Ja se për çka harxhohet buxheti i përgjithshëm:

  • Secili nga rajonet planifikuese nëpërmjet zërit (linjës) buxhetor – Financim i aktiviteteve dhe i detyrave të qendrave për zhvillimin e rajoneve planifikuese, fiton nga 20 mijë euro.
  • Rreth 15.000 euro janë planifikuar për pagesën e borxheve të mbetura nga viti 2018,
  • Për pjesëmarrje të pakthyeshme në financimin e projekteve për zhvillimin e zonave me nevoja të veçanta zhvillimore (vise kodrinore-malore, përmendore të kulturës, vise që kamë ngecur në zhvillim, zona me pasuri kulturore dhe natyrore të mbrojtura me ligj) janë ndarë 1,3 milionë euro. Përndryshe, është interesante se si zona me nevoja të veçanta zhvillimore në vend janë regjistruar 1.164 vende ose 66,5% e numrit të përgjithshëm të vendbanimeve në vend, por ato përfshijnë vetëm 21% të popullsisë.
  • Për targetimin e zhvillimit të fshatrave dhe projektet specifike në mjediset rurale nëpërmjet programit vjetor janë ndarë 670.000 euro.
  • Për pagesën e mjeteve për pagesën e kontributeve për sigurim pensional-invalidor dhe shëndetësor për personat që e kanë fituar të drejtën e pagesës do të ndahen 32.000 euro.
  • Pjesa më e madhe e parave apo rreth 5 milionë euro do të shkojnë për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese.

Sipas të dhënave deri te të cilat erdhi “Portalb”-i, pjesa më e madhe e mjeteve të dedikuara për zhvillimin e rajoneve do të shkojnë në rajonin Verilindor. Ja si duket ndarja e ndihmës shtetërore me përqindje sipas rajoneve:

Për më shumë shiheni hartën e mëposhtme interaktive:

“Në qoftë se konstatohet shpenzim joadekuat i mjeteve që do të ndahen, Qendrat për zhvillimin e rajoneve planifikuese duhet ato t’i kthejnë në buxhetin e Republikës së Maqedonisë“ – thuhet në vendimin për ndarjen e mjeteve për financimin e projekteve për zhvillimin e rajoneve planifikuese.

Të dhënat nga Plani aksional për zbatimin e Strategjisë për zhvillim rajonal 2016-2018 , tregojnë se në këtë periudhë të analizuar janë nënshkruar kontrata për implementimin e 230 projekteve zhvillimore në vlerë të përgjithshme prej 4 milionë eurosh. Prej tyre, për zhvillimin e infrastrukturës bashkëkohore në rajonet malore janë harxhuar 2,2 milionë euro,  për nxitjen e zhvillimit ekonomik 1,5 milionë euro, ndërsa për shfrytëzimin e potencialit inovativ dhe nxitjen e zhvillimit teknik-teknologjik, 32.000 euro.

Përndryshe, rajoni më i madh sipas sipërfaqes është rajoni i Pellagonisë, mirëpo ai ka dendësi më të vogël të popullsisë, ndërsa sipas sipërfaqes më i vogël është rajoni i Shkupit, por në të njëjtën kohë ai ka dendësi të theksuar të popullsisë prej 319 banorëve në metër katror. Sipas numrit të komunave të përfshira, udhëheq rajoni i Shkupit me 17 komuna, rajoni Lindor përfshin 11 , ndërsa rajoni Juglindor 10 komuna. Numër më të vogël të komunave ka rajoni Verilindor, edhe atë gjashtë komuna.

Indekset zhvillimore të rajoneve planifikuese (shkalla e zhvillimit social-ekonomik) tregojnë se rajoni planifikues i Shkupit karakterizohet me shkallë të zhvillimit mbi mesataren, rajoni planifikues Juglindor dhe Lindor janë në nivel të mesatares, ndërsa të gjitha rajonet e tjera janë nën mesataren e vendit. Dallimi ndërmjet rajonit planifikues të Shkupit dhe rajonit planifikues më pak të zhvilluar, atij Verilindor, është jashtëzakonisht i madh. Rajoni i Pollogut karakterizohet me zhvillim demografik mbi mesataren, mirëpo me zhvillim të ulët ekonomik-social.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button