Shkup, u mbajt konventa promovuese e partisë AlternAtivA

Në sallën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë, në prani të qindra simpatizantëve u mbajt konventa promovuese e partisë AlternAtivA, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë konventës, u prezantuan anëtarët e kuvendit qendror të partisë, të cilët më herët kanë zgjedhur edhe kryesinë e re të partisë. Për kryetar të partisë AlnernAtivA është zgjedhur Afrim Gashi, i cili tha se AlternAtivA është e hapur për të gjithë dhe se do të vazhdoj të komunikoj me të gjithë faktorët politikë brenda dhe jashtë vendit për të trasuar rrugën euro-atlantike të vendit.

“Tash e tutje ne, edhe si shtet, por edhe si komb, jemi në aleancën e sigurisë që fillon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përfshin vendet e Bashkimin Evropian, vazhdon me mikun tonë të madh Republikën e Turqisë, për të përfunduar me amën dhe fqinjin tonë, Republikën e Shqipërisë”, tha Gashi.

Përpos kryetarit të partisë, të pranishmëve iu drejtua edhe ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Asaf Ademi, i cili tha se ndjehet krenar që i është dhënë mundësia që ta përfaqësoj partinë AlternAtivA në ekzekutiv.

“Mendoj se me veprimet tona të përbashkëta, si në Parlament ashtu edhe në ekzekutiv, i dhamë një ngjyrë të re jetës politike në vendin tonë. Besoni se ky do të jetë synimi jonë në vazhdimësi, transparenca, drejtësia dhe lufta që të gjithë të jemi të barabartë”, tha Ademi.

Pjesë të kryesisë qendrore të partisë AlternAtivA do të jenë nënkryetari Nexhbedin Kahremani, i cili lexoi deklaratën politike të partisë, ndërsa për sekretar të përgjithshëm u emërua Skender Rexhepi-Zejdi.

Përpos prezantimit të kuvendit qendror dhe kryesisë qendrore, në konventën e mbajtur u prezantuan edhe simbolet me të cilat do të prezantohet partia AlternAtivA.

Ndër të pranishmit që ndoqën konventën ishin edhe koordinatori kombëtar për përgatitjen e vendit për anëtarësim në NATO dhe kandidat i koalicionit qeveritar për president të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ministri paresor i angazhuar për diasporën, Edmond Ademi dhe nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LDSM) dhe deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kjo parti e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, përfaqësohet nga tre deputetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button