Protesta në Algjeri, 112 policë të lënduar dhe 195 persona të arrestuar

Gjatë protestave në Algjeri në të cilat demonstruesit po kërkojnë tërheqjen e kandidaturës së presidentit të tanishëm të vendit, Abdelaziz Bouteflika, janë lënduar 112 policë, ndërsa janë arrestuar 195 persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Dje, protestat janë mbajtur kryesisht në kryeqytet, por ka pasur edhe në qytetet e tjera të Algjerisë.

Aktivistë të shumtë kanë shkruar në rrjetet sociale për një polic të vrarë gjatë protestave, por policia algjeriane ka përgënjeshtruar këto pretendime, duke theksuar se forcat e rendit kanë raportuar vetëm për policë të lënduar.

“Nuk është regjistruar asnjë vdekje në mesin e policëve”, tha Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë Kombëtare.

Zgjedhjet presidenciale në Algjeri do të mbahen më 18 prill, në vazhdën e një krize politike nga shkaku i rikandidimit të presidentit aktual Abdelaziz Bouteflika, i cili udhëheq vendin që nga viti 1999. Për këto zgjedhje janë paraqitur gjithsej 15 kandidatë.

Me kandidaturën e tij për një mandat të pestë radhazi, presidenti i Algjerisë shkaktoi një reagim të ashpër të opozitës.

Liderët opozitarë thonë se Bouteflika nuk është më fizikisht i aftë për të qëndruar në detyrën e presidentit, nga shkaku i problemeve shëndetësore që ka.

Bouteflika pësoi një goditje të rëndë në tru gjashtë vjet më parë, dhe që nga ajo kohë rrallë shfaqet në publik.

Gjatë kandidimit, Bouteflika ndodhej në një spital zviceran në Gjenevë, për çka kandidaturën e tij e dorëzoi shefi i fushatës së tij zgjedhore Abdulgani Zalan.

Fakti që Bouteflika nuk dorëzoi personalisht kërkesën për kandidim, shkaktoi polemika akoma më të mëdha në Algjeri.

Zalan deklaroi se Bouteflika është i gatshëm që në rast fitoreje, vitin e ardhshëm të shpallë zgjedhje të parakohshme ku nuk do të kandidojë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button