Serbia ka kundërshtuar platformën e Kuvendit të Kosovës për dialogun

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk do të pajtohet me ultimatumin që Prishtina dhe mentorët e saj perendimor e vendosën përmes platformës për dialogun (e miratuar të enjten nga Kuvendi i Kosovës),transmeton REL. 

“Bashkimi Evropian më ka mashtruar pasi kishte premtuar se ajo platformë as nuk do të jetë në rend dite të Kuvendit të Kosovës” tha Vuçiq gjatë një tubimi në Mitrovicën e Sremit, duke shtuar se Kosova dhe partnerët e saj duan të shkatërrojnë Serbinë.

Kundër platformës së Kosovës për bisedime me Serbinë ka folur të premten edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabiq. Ajo tha se miratimi i kësaj platforme nga ana e Prishtinës është goditja e fundit që i bëhet dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Më herët Bashkimi Evropian vlerësoi se platforma për bisedime me Serbinë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet “pozicionin vetëm të njërës palë”. “Bashkimi Evropian, si ndërmjetës, nuk i komenton pozicionet individuale të palëve në dialog, por është më se e qartë se vetëm përmes dialogut mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq.

Autoritetet qeverisëse në Kosovë, pa dy partitë më të mëdha opozitare,kanë hartuar platformë dhe kanë miratuar Ligjin për dialogun, ndërkohë që nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëhet e qartë se vazhdimi i dialogut ndërlidhet me pezullimin e tarifës doganore që u është vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button