Gratë në Maqedoni: Vetëm të drejtat i kanë të njëjta, çdo gjë tjetër është nën hije të burrave

Në kremtimin e festës 8 Marsi për barazi gjinore të grave me burrat, edhe pse në dukje gratë në vendin tonë i kanë të njëjtat drejta si burrat, por të dhënat dhe statistikat tregojnë se në këtë fushë ka ende shumë punë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Barazia gjinore është pjesë e Programit të Qeverisë për periudhën 2017-2020 për realizim të detyrimit të shtetit që rrjedh nga agjenda për zhvillim të qëndrueshëm deri në vitin 2030.

“Qeveria do të ndjekë politikë për promovimin e të drejtave të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes tyre në jetën politike, ekonomike dhe publike”, thuhet në Program.

Por a është kështu?

Pjesëmarrje e grave në tregun i punës më e ulët se e burrave

Sipas të dhënave të përpunuara të Entit shtetëror për statistikë (SSO), për vitin 2017, një përqindje e madhe e grave të afta për punë, në Maqedoni, nuk janë aktive në tregun e punës. Kështu, prej burrave të aftë për punë, 53,5 për qind kanë qenë të punësuar, të papunë 15,8 për qind, ndërsa joaktivë 30,7 për qind. Për dallim prej tyre, 34,6 për qind e popullatës së grave të afta punë kanë qenë të punësuara, të papuna kanë qenë 9,7 për qind, ndërsa joaktive ka qenë përqindje e lartë prej 55,7.

Arsyet kryesore për jo aktivitet, për shumicën e grave të anketuara (60.3 %) janë obligimet familjare (duke e përfshirë edhe kujdesin për fëmijët). Megjithatë, shumë gra (55%) kanë thënë se besojnë që nuk posedojnë aftësi/kualifikime të duhura për t’u punësuar. Gjysma e grave jo aktive pajtohen se mungesa e mundësive fleksibile për punë i largon nga tregu i punës, ndërkohë që 45% janë ankuar për mungesë të kapaciteteve që ofrojnë kujdes për fëmijët” ka treguar hulumtimi “Gratë në tregun e punës: Stereotipa dhe sfida” i realizuar nga “Fajnens think”, Instituti për kërkime dhe politika ekonomike Shkup që është përmendur në Raportin vjetor për implementim të Strategjisë për barazi gjinore për vitin 2017, i cili u miratua në seancën kuvendore të mbajtur më 15.1.2019.

Pagat më të ulëta për gratë se burrat për pozicion të njëjtë të punës

Shumë shpesh, në pozicion të njëjtë të punës me kualifikime dhe performanca të njëjta, gratë paguhen më pak se burrat. Ata gjithashtu duhet të punojnë më tepër ditë për të arritur pagën e burrave.

Është e domosdoshme që të gjithë aktorët në shoqëri të fokusohen në sigurimin e mundësive të barabarta për gratë, e sidomos në pozicionet më të larta, për shkak se gratë shpesh janë forcë pune në nivel më të ulët, e në disa raste të caktuara gratë me karakteristika të njëjta të punës si burrat fitojnë 17,9% më pak, gjegjësisht gratë duhet të punojnë edhe 65 ditë plotësuese për të realizuar pagën e njëjtë si burrat“, ka deklaruar nënkryetarja e Lidhjes së Odave ekonomike Gabriella Kulebanova. 

Sipas Ministres për punë politikë sociale Milla Carovska zgjidhje për këtë janë buxhetet me përgjegjshmëri gjinore që do të japin pasqyrë për atë se si shpenzohen paratë dhe se si ato do të ndikojnë në njërin ose grupin tjetër të qytetarëve.

Ministria e financave e ka përfshirë buxhetimin më përgjegjshmëri gjinore në dokumentet themelore të Strategjisë së re fiskale 2019 – 2021. Më këtë shfrytëzuesit e buxhetit do të duhet të jenë të vëmendshëm që të hollat të shpenzohen në mënyrë të barabartë në aspektin gjinor.

Gratë vështirë vijnë në pozita udhëheqëse në institucionet shtetërore

Gratë janë më pak të përfaqësuara në strukturat drejtuese të institucioneve shtetërore, ndërsa vetëm 5 përqind e këtyre institucioneve kanë drejtoresha.

Dallimet ndërmjet llojeve të ndryshme të institucioneve nuk janë të rëndësishme, që tregon se mosbalancimi gjinor është rezultat neglizhencës sistemore për përfaqësim të drejtë në këtë drejtim. Kështu, vetëm 29% e strukturave drejtuese janë gra që është në kundërshtim me politikat për promovim të barazisë gjinore . Mosbalancimi më i madh është vërejtur te drejtorët e institucioneve, ku vetëm 5% e personave të emëruar janë gra. Në anën kundërt krejt ndryshe qëndron puna me organet kolektive, ku 43% e anëtarëve janë gra” thuhet në Studimin për drejtimin me ndërmarrjet publike: Kush po drejton atje? I realizuar nga Instituti për demokraci.

Edhe në Raportin vjetor për implementim të Strategjisë për barazi gjinore, për vitin 2017, që u miratua në seancën parlamentare të mbajtur më 01.15.2019, shkruan se nevojitet veprim i mëtejshëm në drejtim të arritjes së barazisë gjinore në nivel qendror dhe lokal.

“Pjesëmarrja e grave dhe burrave në proceset e vendimmarrjes karakterizohen me balancim të pamjaftueshëm të pjesëmarrjes së dy gjinive në nivel qendror dhe lokal si dhe përkushtim i pamjaftueshëm ndaj obligimeve ligjore që dalin nga Ligji për mundësi të barabarta të grave dhe burrave nga institucione të caktuara në nivel lokal dhe nacional“, shkruan në Strategji.

Diskriminimi i grave në mjedisin rural

Edhe pse kryeministri Zoran Zaev një panel diskutimi për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në politikë deklaroi se “do të instalohen programe për të ndihmuar në zhvillimin e grave sipërmarrëse, veçanërisht në zonat rurale,” kryetarja e Federatës nacionale fermerëve, Vaska Mojsovska tha se: “Nevojiten masa efektive, e jo diskriminuese.”

“Në masën 115 në programin katërvjeçar për zhvillim rural 2018 -2021, janë vendosur kushte diskriminuese për mbështetje të ndonjë anëtareje në amvisëritë bujqësore, gjegjësisht kërkohet që gruaja të jetë e martuar, të ketë lindur një fëmijë, të jetë e papunësuar, amvise dhe të jetojë në vend të banuar prej 200 banorësh në lartësi mbidetare prej 700 metrash” thotë Mojsovska

Ajo shtoi se Qeveria duhet të vendosë një sërë masash ekonomike për të rritur mundësitë e punësimit të grave në zonat rurale, masa me të cilat do të pranohet puna e papaguar e grave për kujdes për familjen dhe puna bujqësore, realizimi i të drejtës për pension dhe pushimit të lehonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button