Mbi 200 nxënës të fshatit Gurgurnicë do të mësojnë në shkollën e re

Mbi 200 nxënës në fshatin Gurgurnicë të Komunës së Bërvenicës do të mësojnë në shkollën e re që është ndërtuar me Projektin për Përmirësimin e Shërbimeve Komunale të Ministrisë së Financave, që u realizua me ndihmë nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, transmeton Portalb.mk.

46 milionë denarë ka kushtuar i gjithë ndërtimi i shkollës. Përmes projektit janë siguruar 45.5 milionë denarë, nga të cilat 16 milionë denarë janë mjete grant nga BE përmes IPA fondeve, ndërsa tjerat janë  hua me kushte jashtëzakonisht të favorshme, me shkallë të kamatës prej 0.4 për qind, me 13 vjet rimbursim dhe 3 vjet periudhë faljeje.

“Arsimimi kualitativ është një nga parakushtet themelore për zhvillim ekonomik më të shpejt dhe më të përmbajtur. Që të mundësohet kjo janë të nevojshme edhe kushtet përkatëse për nxënësit dhe kuadrin arsimor. Kjo shkollë është ndërtuar me ndihmë financiare nga BE dhe Banka Botërore”, tha ministri i Financave, Dragan Tevdovski.

Ndërsa ambasadori evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar theksoi se me ndërtimin e shkollës së re janë përmirësuar kushtet për mësim të fëmijëve në Gurgurnicë.

“Ky projekt ndoshta është i vogël, por ka shumë rëndësi për nxënësit e Gurgurnicës. Fëmijëve u nevojitet hapësirë përkatëse ku t’i kalojnë ditët shkollore dhe do ta zhvillojnë potencialin dhe vetëbesimin e tyre, tha Zhbogar.

Ndërsa zëvendësministrja e Financave, Shiret Elezi  tha se me projektet dëshirojnë të sigurojnë kushte më të mira për jetesë për gjithë qytetarët.

“Dua të them se nga fillimi i këtij viti kemi një sukses të madh në realizimin e Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, për mbi 3 milion euro janë investuar në ndërtimin e rrugëve lokale, ujësjellësve, tregjeve të gjelbërta, shkollave të fillore, ndërtesave të komunave në mbi 27 komuna në vend. Përmes këtij projekti dëshirojmë që në të gjitha komunat në vend të sigurojmë kushte më të mira për jetesë për gjithë qytetarët”, ka vlerësuar kështu zv.ministrja Elezi.

Ndryshe, shkolla në fshatin Gurgurnicë është ndërtuar pas 30 vite premtimesh ku përfundimisht ky fshat ka tashmë një shkollë shumë moderne dhe me kushte të mira për nxënësit. Gjithësejt për ndërtimin e shkollës janë ndarë 475.000 euro. Fondi total i projektit MSIP kap shumën prej 81.1 milion euro, përmes këtij projekti deri më tani janë përkrahur mbi 250 projekte kapitale në gjithë komunat e vendit,ndërkohë që bëhet fjalë kryesisht për projekte si kanalizime, çerdhe, shkolla etj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button