Një i vdekur, dhjetëra të plagosur nga një aksident në Gjilan

Të paktën një person ka vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur nga një aksident në qendër të qytetit të Gjilanit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se dyshohet se aksidentin e ka shkaktuar një kamion transportues.

“Fatkeqësisht, një aksident i rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit. Një kamion dyshohet se është shkaktar i aksidentit, pra një kamion transportues. Së paku, një person ka ndërruar jetë dhe 20 të tjerë janë të lënduar dhe janë duke marrë ndihmë mjekësore në Qendrën spitalore në Gjilan”, tha Hashani.

Sipas Hashanit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht.

Ndërkaq, Nisret Hajrullahu, drejtor i Emergjencës në Gjilan, tha se janë duke trajtuar të plagosurit nga ky aksident.

“Nga aksidenti që ka ndodhur në orët e pasdites, shumë të lënduar janë sjellë në emergjencë. Ende nuk dihet numri i saktë i të lënduarve”, tha Hajrullahu.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë përmes një postimi në Facebook, se “sipas informatave të para, kamionit nuk i kanë funksionuar frenat” dhe shtoi se përveç dëmeve në njerëz, në këtë aksident janë përfshirë edhe dhjetëra vetura dhe ka dëmtim të pronës publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button