Maqedoni, sot filluan përgatitjet e Planit Nacional të Integruar të Energjisë dhe Klimës 2020-2030

Sot në Shkup është realizuar punëtori për përgatitje të “Planit Nacional të Integruar të Energjisë dhe Klimës 2020-2030″, i cili do t’i mundësojë vendit të planifikojë politikat, qëllimet dhe masat e tij lidhur me klimën dhe energjinë në pajtim me rekomandimin 2018/1/MC-EnC të Këshillit të Komunitetit të Energjisë, përcjell Portalb.mk.

Zëvendësministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, deklaroi se përmbushja e detyrimeve ndaj Komunitetit Evropian të Energjisë është i lidhur ngushtë me mjedisin dhe klimën.

“Kemi  detyrë si një vend të bëjmë një plan të përbashkët në mes të energjisë dhe të klimës ndërsa nevojave energjetike  t’iu përgjigjemi me përmbushjen e detyrimeve nga Marrëveshja e Parisit, por edhe objektivat e Komunitetit të Energjisë”, tha Makraduli.

Sipas sekretarit shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë, Zoran Pavlovski, vendi ynë si nënshkrues i Traktatit për themelimin e Komunitetit të Energjisë dhe kandidat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian është duke u përballur me sfidat e zbatimit efikas të reformave serioze në fushën e energjisë.

Përndryshe, Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ka formuar një grup pune që do të fillojë koordinimin e qëllimeve nacionale të energjisë dhe klimës, do të identifikojë mospërputhjet mes dokumenteve me qëllim të parandalimit të kontradiktave mes tyre dhe të hartojë një Plan Veprimi me një afat kohor për integrimin e qëllimeve dhe politikave të energjisë dhe klimës në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Brenda projektit, gjatë vitit 2019 do të zbatohet puna analitike dhe teknike.

Gjatë vitit 2020, është planifikuar që projekt- planet nacionale të dorëzohen në Sekretariat, i cili do të kërkojë konsultime me palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, sekretariatit, shtet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian. Planet përfundimtare pritet të përgatiten deri në tetor 2020, duke marrë parasysh mendimet e marra gjatë procesit të konsultimit.

Projekti zbatohet nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button