“Vetëm drita e diturisë përpara do të na shpjerë”

Arsimimi dhe edukimi e bëjnë një komb të mbijetojë dhe të përparojë. Ato e mbajnë gjallë dhe e kultivojnë frymën dhe shpirtin e një kombi, i ruajnë vlerat themelore të tij nga asimilimi dhe hapin diapazonin dhe ndikimin e gjuhës që ai komb e flet. Arsimimi është vlera kryesore e një kombi, ajo pikë dalluese, ai burim i përhershëm i përjetësisë.

Shqiptarët sot festojnë Ditën e Mësuesit, 7 Marsin, ditën kur është hapur shkolla e parë shqipe në Korçë në vitin 1887. Nuk është e rastit që kjo datë i paraprin ditës së ngritjes së flamurit në Vlorë dhe shpalljes së pavarësisë me 1912. Sepse baza e çdo ndryshimi të madh e revolucionar në çdo shoqëri është pikërisht arsimi.

Që nga ai vit kanë kaluar 132 vjet ndërsa shqiptarët ballafaqohen me rezultatet e arsimit që ata vetë e kanë krijuar dhe menaxhuar nëse jo gjatë gjithë atyre viteve të paktën gjatë viteve të fundit. Dhe rezultatet janë të dhimbshme. Testimi ndërkombëtar i njohur me shkurtesën PISA nxori që 2/3 e nxënësve të moshës 15 vjeçare në Maqedoni janë funksionalisht analfabetë, ndërsa në ktëtë testim Kosova tregoi rezultate edhe më të dobta se Maqedonia. Përparim më të mirë lidhur me këtë testim në këtë rajon ka treguar Shqipëria, gjë që tregon se fakti që atje shkollla ka filluar të funksionojë që në fund të shekullit XIX ka arritur të mbajë një kriter arsimimi deri më sot. Ndërsa ky analfabetizmi funksional kaq i lartë në dy shtetet tjera ku shqiparët gjatë kohë janë përballur me okupim, pushtim dhe diskriminim qartazi tregon që fjala e Naim Frashërit “Vetëm popujt e arsimuar s’mund të jenë të robëruar” është tërësisht dhe përgjithmonë e saktë.

Është tmerësisht brengosës fakti që këta 2/3 nxënës 15 vjeçarë të shkollave të mesme janë masa nga e cila rekrutohen studentët e ardhshëm në universitete. Studentë që ndjekin mësimin dhe vlerësohen shpesh me kritere dukshëm të ulta, me përpjekje për të gjetur mënyrën si të marin nota kaluese pa dije, si të kalojnë më lehtë, të marin një copë diplome që të sigurojnë një punë ku dija e tyre do të jetë irelevante sepse do të mund të rinë në shtëpi si të penzionuar gjersa moshatarët e tyre nga shteti i njejtë do të arrijnë kulmin e karierës. E keqja është se si komb kemi zgjedhur rrugën më të lehtë për të fituar dëshminë se kemi dituri. E keqja më e madhe është se nuk arrijmë të kuptojmë se kur gënjejmë që kemi dituri ne nuk i gënjejmë të tjerët por vetëvehten. E pafalshme është se si shoqëri jemi qetësuar me këtë gjendje dhe nuk bëjmë shumë përpjekje ta përmirësojmë. Shqiptarët kanë 3 universitete në Maqedoni dhe megjithatë 2/3 e ndoshta edhe më shumë të nxënësve janë funksionalisht analfabetë sa i përket diturive dhe aftësive që nga një i ri kërkohen për të qenë i aftë të kryejë punë të vërtetë dhe të funksionojë intelektualisht. Kështu shqiptarët nuk ndalen së shprehuri patriotizëm me fjalë, gjersa kjo arrin edhe nivele patetike, por në fakt qetësohen me faktin që 2/3 e fëmijëve të tyre janë funksionalisht analfabetë. Shqiptarët krenohen me gjuhën e tyre, luftojnë për të njejtën, arrijnë ta institucionalizojnë atë dhe vetëm atëherë dëshmojnë që në fakt nuk e njohin as gjuhën e tyre sepse nuk ka pllakë dygjuhësore në këtë shtet që është shkruar pa gabime. Përdorimi i gjuhës shqipe në masë të madhe duket qesharak si përkthimet në google translate. Në këto kohëra përparimi shqiptarët janë treguar tmerrësisht imunë ndaj analfabetizmit dhe prapambeturisë, duke u lidhur me fanatizëm ndaj dukurive negative dhe patriarkale të cilat mund të jenë tradicionale por mbeten të pakuptimta në shekullin e XXI.

Dhe arsyetimi që na duhet kohë për të përparuar nuk mban. Sepse kur tek një komb fillon përparimi i njëjti nuk ndalet por vazhdon dita ditës me hapa të shpejta. Tek ne regresi dhe prapambeturia zhvillohen me hapa të shpejta. Nga 6000 vitet në të cilat ekzistojnë shteti dhe e drejta, 5500 vite kanë kaluar në periudha të errëta historike, ku ka mbisunduar skllavopronaria dhe feudalizmi dhe ku konceptet si liria dhe arsimimi kanë qenë të kufizuara dhe selektive. Në 500 vitet e fundit, kur iluminizmi dhe racionalizmi ndriçon botën perëndimore është vërejtur përparim shkenor marramendas dhe gati surreal. Vetëm përparimi teknologjik i 10 viteve të fundit është aq mbresëlënës sa duket si ndonjë film fantastiko-shkencor. Kjo për shkak se ashtu si ka thënt Albert Einstein, pasi truri të jetë zgjeruar për të bërë vend për një ide të re është e pamundur që të kthehet në masën e tij paraprake.

Duke u nisur nga fakti që regresi dhe prapambeturia vazhdojnë të jenë kaq prezente në shoqërinë dhe kombin tonë, shpesh kam dyshime nëse truri jonë si komb është zgjeruar ndonjëherë vërtet nga idetë iluministe të rilindjes, apo ato ide i ka pranuar dhe ndjekur vetëm formalisht, ashtu siç meren formalisht notat në shkollat dhe universitetet tona.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button