Britanikët kundërshtojnë ashpër ndryshimin e kufijve, i kërkojnë Haradinajt ta pezullojë taksën

Britania e Madhe kërkon që Haradinaj të pezullojë vendimin për taksën ndaj produkteve serbe, pasi sipas tyre duhet të vazhdojë dialogu i Brukselit sepse konsiderojnë që është në interes të Kosovës të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. Megjithatë ata nuk mbështesin një marrëveshje që mund të bazohet në korrigjim të kufijve, pasi druajnë se acaron sigurinë e rajonit dhe mund të keqpërdoret nga një palë e tretë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe kërkon që Qeveria e Republikës të pezullojë taksën e vendosur në muajin nëntor të vitit të kaluar, për produktet serbe, në mënyrë që Prishtina dhe Beogradi t’i rikthehen dialogut të Brukselit.

Sipas tyre është shumë e rëndësishme që Prishtina zyrtare të shfrytëzojë momentin e krijuar për të arritur një marrëveshje finale me Serbinë, pasi konsiderojnë se një gjë e tillë është në interesin e Republikës së Kosovës.

Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme, Jeremy Hunt, thotë që palët duhet të ulin tensionet dhe të ecin përpara drejt tavolinës së bisedimeve.

“Ne vazhdojmë t’iu bëjmë presion të dy palëve që t’i zbusin tensionet në mënyrë që t’iu kthehen negociatave. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përcaktojë hapat që synon të marrë, për të pezulluar taksën, gjë që do të mundësojë kthimin në dialog. Është në interesin e Kosovës që të shfrytëzojë momentumin drejt arritjes së një marrëveshje”, thuhet në përgjigjen dhënë Gazetës Express.

Britanikët mbështesin dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe sipas tyre një marrëveshje finale e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të ketë mbështetjen e gjithmbarshme popullore si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi.

“Qeveria vazhdon ta mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja nga këndvështrimi i një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që ka mbështetjen e brendshme popullore në Kosovë dhe në Serbi” ka thënë zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme.

Sa i përket korrigjimit të kufijve ata janë të vendosur. Për Britaninë e Madhe çfarëdo marrëveshje e cila bazohet në ndryshim të kufijve rrezikon të gjithë stabilitetin e rajonit të Ballkanit.

Kjo ide e Thaçit dhe Vuçiqit për prekje të kufijve, sipas tyre mund të keqpërdoret nga një palë e tretë brenda rajonit të Ballkanit dhe jashtë tij.

“Ne besojmë se marrëveshja e dialogut që mbështetet në ndryshim të kufijve e rrezikon stabilitetin në Kosovë, Serbi dhe më gjerë, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedoni Veriore. Ndryshimet e kufirit gjithashtu do të paraqisnin rrezik për krijimin e një precedenti që do të mund të shfrytëzohej në mënyrë destruktive nga palët e treta në rajon dhe në vende tjera ”, ka përfunduar për Gazetën Express zëdhënësja e Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme, Jeremy Hunt.

Kundër idesë së korrigjimit dje ka folur edhe Ministri për Evropën i Britanisë së Madhe, Alan Duncan. Sipas tij një ide e tillë është e rrezikshme që cenon sigurinë e Ballkanit.

Në të njëjtën linjë me britanikët, për idenë e korrigjimit të kufijve qëndron edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, por jo edhe sa i përket çështjes së pezullimit të taksës.

Hiq më larg se dje, edhe përkundër presionit disa mujor të SHBA-së e BE-së, kreu i ekzekutivit, ka thënë se qëndron i palëkundur në atë që taksa nuk do të pezullohet derisa nuk ka një marrëveshje që garanton njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër Serbia vazhdon të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve me heqjen e taksës nga Kosova, situatë kjo që ka bllokuar plotësisht dialogun e Brukselit për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi që do të kulmonte me një marrëveshje finale, për të cilën janë të gatshëm të kontribuojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button