Kosovë, seancë solemne kuvendore me rastin e “Epopesë së UÇK-së”

 Në kuadër të shënimit të 21 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK)”, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në të cilën krahas deputetëve, kanë marrë pjesë edhe anëtarë të familjes Jashari, diplomatë të huaj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova përkujton sakrificën madhështore të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij. Ai theksoi se përkulet para veprës dhe varrezave së tyre dhe se më 5 mars një familje është shuar për t’u ringjallur një popull i lirë.

“Në Prekaz, falë sakrificës supreme dhe të paarritshme për liri të Jasharajve, ka ndodhur një kthesë historike. Sakrifica e paarritshme në madhështinë e saj, që ia rriti zërin thirrjes së shqiptarit të shkelur në përmasa botërore”, tha Haradinaj.

Kryeministri tha se të gjithë krerët e institucioneve, si dhe të partive opozitare, ashtu siç kanë qenë të bashkuar në përpjekjet për liri dhe siç janë të bashkuar sot në përkujtimin e Epopesë së familjes Jashari, duhet të jenë të bashkuar edhe në të ardhmen për të drejtat e tyre, pasi këtë ia kanë borxh vendlindjes dhe komandantit kryesor, Adem Jasharit.

Ai shtoi se falë familjes Jashari, Kosova sot ka miqësi të përjetshme me SHBA-të dhe aleatët e tjerë, por edhe ushtrinë e saj.

“Kosova ka sot më shumë siguri dhe liri për vete. Kosova sot i bën të ndjehen të lira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kosova sot ju bëhet krah ushtrive dhe popujve për të ndihmuar lirinë dhe paqen në botë”, tha Haradinaj.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, presidenti i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se disa ngjarje bartin barrën e ndryshimit të epokave dhe se e tillë është edhe ngjarja e 5 marsit të vitit 1998 në Prekaz, pasi në atë datë, sipas tij, Kosova u nis në rrugën e pakthyeshme të lirisë.

Veseli theksoi se martirizimi i komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij ka ngritur në këmbë mbarë popullin shqiptar, të rinj dhe të moshuar, të cilët i janë bashkuar UÇK-së dhe kanë realizuar ëndrrën e Adem Jasharit dhe mijëra martirëve të tjerë për liri.

Ai ka theksuar se në 20 vite liri janë realizuar shumë gjëra, falë njerëzve të këtij vendi dhe miqve të shumtë, të cilat janë shtetet demokratike në krye me SHBA-të, të cilat, siç tha, kanë rrugëtuar bashkë me Kosovën nëpër të gjitha sfidat dhe proceset.

“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se janë hapur dilema dhe janë shtruar pikëpyetje për të ardhmen e këtij partneriteti. Sot është dita t’i heqim këto dilema dhe t’i bëjmë të pakuptimta këto pikëpyetje. Miqësia jonë me SHBA-të, aleanca jonë me botën perëndimore, janë vlera të shenjta të kombit tonë. Prandaj janë të paprekshme dhe janë të pacënueshme’, tha Veseli.

Në fund, ai tha se qytetarët duhet ta kenë të qartë se interesi shtetëror është mbi çdo interesi tjetër dhe se Kosova asnjëherë më nuk do të kthehet mbrapa, por do të ecë para.

Adem Jashari dhe më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij u martirizuan nga forcat serbe në vitin 1998 në shtëpinë e tyre në Prekaz. Për këtë ndodhi, Qeveria e Kosovës çdo vit nga 5 deri në 7 mars organizon manifestimin treditor “Epopeja e UÇK-së”, gjatë të cilit përfaqësues të institucioneve dhe qytetarë të shumtë vizitojnë Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në komunën e Skenderajt. Në mënyrë tradicionale, manifestimi përmbyllet më 7 mars me ndezjen e zjarrit në Prekaz.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button