Kandidati Blerim Reka: 11 vjet kishim shtet të privatizuar, kjo do të përfundojë më 21 prill

Kandidati i pavarur për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, në konferencën për media që u mbajt sot, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë dhe ka shprehur bindjen se më 21 prill, me fitoren e tij, do të përfundojë ekzistimi i shtetit të privatizuar pothuajse 11 vjet, transmeton Portalb.mk.

Kandidati i pavarur për president të RMV-së, Blerim Reka. Foto: Kolektif.mk

“Shpresoj se entuziazmi fillestar, në rrugëtim të përbashkët timin me qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, dhe me 21 prill do të fitojmë. Do të fitojmë për një Maqedoni të përbashkët, euroatlantike dhe shumë etnike, sepse vetëm sundimi i ligjit e bën republikën me plotë kuptimin e fjalës. Maqedonia është shtet, por jo edhe republikë. Republika bëhet me sundimin e ligjit, dhe jo të individit”, tha Reka.

“Ne patëm 11 vjet një shtet të kapur, dhe një shtet privat të presidentit aktual. Kjo do të përfundojë më 21 prill”, tha më tej Reka.

Kandidati Reka, ka premtuar se do të realizojë fushatë ndryshe nga ajo që është parë në zgjedhjet presidenciale të deritashme në RMV, dhe në shtetet e rajonit, megjithatë nuk zbuloi detaje, pasi që ende nuk jemi në fushatë zgjedhore.

“Nuk dua ta prejudikoj fushatën, do ta shihni, sepse e dini që deri më 21 mars nuk mund të shpalosim elemente të fushatës, sepse edhe nuk kemi të drejtë. Më 21 mars zyrtarizohet, dhe ne atëherë do të kemi të drejtë t’i paraqesim edhe sloganet dhe të gjitha të tjerat”, tha Reka.

Kasami - Reka - Sela. Foto: Kolektif.mk
Kasami – Reka – Sela. Foto: Kolektif.mk

Sela dhe Kasami: Reka është simbolika e konsesualitetit dhe departizimit të RMV-së

Në konferencë, të pranishëm kanë qenë edhe liderët e Aleancës për Shqiptare (ASH) dhe Lëvizjes (BESA), Ziadin Sela dhe Billal Kasami, parti mbështetëse të kandidaturës së pavarur të Blerim Rekës.

Ziadin Sela tha se ASH-ja e ka mbështetur Rekën, për shkak se ajo është simbolikë e asaj që sipas tij manipulohet nga oponentët partiak, konsesualitetit dhe të përbashkëtës.

“Kandidatura e profesorit e ka simbolikën e një kandidature, pas të cilës duhet të rreshtohen, dhe nuk është vonë, edhe subjektet tjera politike, ashtu siç u reshtua edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, sepse është jetësimi i idesë dhe simbolika më e përkryer, e asaj që përdoret në mënyrë manipulative, dhe që është gënjeshtër, nga oponentët tanë, për diçka të përbashkët ose konsesuale, dhe që në varësi të momentit kanë ndryshuar deklaratat. Gjithë kjo jetësohet me përkrahjen që i jepet profesorit”, tha Sela.

Sipas Bilall Kasamit, kandidatura e Rekës është hapi i parë i departizimit të shtetit.

“Ne si Lëvizje BESA e përgëzuam dhe e përkrahëm kandidaturën e profesorit, si një hap i parë drejt një shteti të departizuar. Është një kandidaturë serioze, dhe e pavarur që përkrahet nga dy parti politike. Shpresoj se do të ketë edhe partitë të tjera që do të dalin mbi interesat partiake, dhe ta përkrahin një kandidaturë të pavarur, një kandidaturë të cilën askush nuk mund ta kontestojë në aspekt profesional, diplomatik dhe institucional”, tha Kasami.

Kasami gjithashtu njoftoi se emri i Blerim Rekës i është propozuar edhe liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev, në kuadër të takimeve ku Zaev takonte liderët partiak për të marrë mbështetje për kandidat konsesual, që më pas me 29 parti të tjera, e zgjodhën Stevo Pendarovskin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button