Toka pjellore dhe të mbjellat rreth fabrikës së Jugohromit janë të ndotura me Arsenik helmues

Toka pjellore e cila ndodhet në Jegunovcë, rreth fabrikës së Jugohromit, si dhe të mbjellat e saj janë të ndotura me 2.5 herë mbi të lejuarën me Arsenik, tregojnë të dhënat e prezentuara sot nga organizatat ekologjike Vila Zora dhe Eco Guerilla. Arseniku është një metal shumë helmues dhe komponimet e tij përdoren edhe në helme të ndryshme, njofton Portalb.mk.

Të dhënat që dolën nga testimi i tokës pjellore në Jegunovcë në projektin e implementuar nga Vila Zora, tregojnë se produktet bujqësore të mbjella në këtë territor përmbajnë metale të rënda të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njerëzve që i konsumojnë.

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla theksoi se ky projekt ka për qëllim që të njoftojë publikun se produktet që qytetarët konsumojnë çdo ditë përmbajnë elemente të dëmshme. Ndër të tjera, ai tha se po kërkohen mënyra për pastrimin e tokës nga këto metale të rënda.

“Njëra nga mënyrat për pastrimin e tokës e cila preferohet nga implementuesit e projektit, Vila Zora, është përmes mbjelljes së kulturave të ndryshme bujqësore të cilat kanë fuqi absorbuese të metaleve të rënda”, tha Xhaferi.

Eksperti për bujqësi, Aleksandër Sokolov, tha se qëllimi i këtij projekti, që është realizuar në Tetovë, Kavadar dhe Shkup, si qytete më të ndotura, është t’u tërhiqet vëmendja institucioneve se produktet që konsumohen përmbajnë elemente të dëmshme.

“Qëllimi jonë është të krijojmë kushte që në të gjithë Maqedoninë, qytetarët të ushqehen me ushqim të pastër dhe të shëndetshëm, dhe jo produkte të ndotura me metale të rënda dhe toksike”, tha Sokolov.

Nga Vila Zora njoftuan se është kërkuar bashkëpunim për këtë problem edhe nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Ekologjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Instituti për Bujqësi, dhe se të njejtat deri sot nuk kanë ndërmarrë asgjë.

Ndryshe, ky projekt i mundësuar nga USAID është implementuar në Veles për pesë vite me rradhë. Nga Vila Zora dhe Eco Guerilla njoftuan se së shpejti do të ketë rezultate edhe për tokën pjellore në afërsi të fabrikës TeteksTetovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button