Komente: Si do të mbahet mend presidenti në largim, Gjorge Ivanov

Militant i VMRO-DPMNE-së, palaço, tragjikomik dhe shërbëtor i ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Këto janë disa nga vlerësimet e njohësve të çështjeve politike, juridike, përfaqësuesve të sektorit civil, mediave, por edhe të fushës akademike dhe publicistike, në lidhje me atë se si do ta mbajë mend Maqedonia e Veriut, Gjorge Ivanovin, i cili në postin e presidentit qëndroi dy mandate, gjegjësisht prej vitit 2009 deri në vitin 2019, shkruan Portalb.mk.

Të anketuarit për Portalb.mk, vlerësojnë se Ivanov nuk e përmbushi misionin për të cilin e pati detyrë ligjore që të jetë në shërbim të qytetarëve dhe shërbim të politikave bashkuese, në vend të atyre përçarëse, diskriminuese, nacionaliste dhe partiake.

Në veçanti, ata theksojnë se përveç që gjatë mandatit të tij bëri lapsuse dhe gafa, Ivanov bëri edhe shkelje drastike të ligjeve dhe Kushtetutës, veçanërisht me faljen e funksionarëve të VMRO-DPMNE-së të cilët ishin të dyshuar nga Prokuroria Speciale për krime të renda dhe korrupsion, me mosdhënien e mandatit shumicës, liderit të LSDM-së Zoran Zaev edhe pse kishte shumicë për formimin e Qeverisë, por edhe me mosnënshkrimin e dekreteve për Ligjin për gjuhët dhe Ligjin për Marrëveshjen e Prespës.

Për më shumë, lexoni më poshtë qëndrimet, të cilat janë të radhitura sipas rendit alfabetik të emrave të personaliteteve.

Ali Pajaziti, profesor universitar dhe publicist

Ali Pajaziti
Ali Pajaziti

Presidenti Ivanov do të mbahet mend si një figurë politike pa vizion shtetari inkluziv, si një “palaço ‎president” që ka gjeneruar skandal pas skandali, që nuk i ka kontribuar mirëkuptimit, relaksimit, ‎dialogut ndërkomunitar, mbështetës i diktaturës grueviste, njeri që ka prodhuar tensione permanente ‎dhe ka shërbyer si aktor partiak e jo si “baba i shtetit” dhe i qytetarisë, njeri statik, regresiv, pa ‎fleksibilitet, joliberal, pa vizion për rrjedhat në kontektsin rajonal, kontinental dhe global.  Është një ‎shkollë e mirë për pasardhësit e tij se si s’duhet të jetë një kryetar shteti, dhe për intelektualët se si ‎mundet që karriera politike të ta dërrmojë imazhin dhe reputacionin prej shkollari.  ‎

Bardhyl Jashari
Bardhyl Jashari

Bardhyl Jashari, drejtor i organizatës joqeveritare “Metamorfozis”

Shpesh ndodhte të harrojmë se Maqedonia ka kryetar,  megjithatë do e mbajmë mend si kryetar pro-rus i cili gjatë krizave politike në vend, a të tilla kishim shumë, me paraqitjet e tija vazhdimisht e rëndonte më tepër situatën me deklaratat e tija të papërgjegjshme. Shpesh tragjiko-komik, ishte thjesht, një trup amorf të cilit sipas nevojës i jepte formë ish kryeministri i arratisur Gruevski.

Elida Zylbeari
Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk

Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalb.mk

Nuk është rastësi që nëpër rrjetet sociale shpesh herë është shpërndarë fotografia e bimës së “fikusit” duke aluduar në Ivanovin, simbol se ai ka qenë vtëm për zbukurim dhe pa fuqi politike. Të jemi real, ai kishte fuqi vetëm për të dëmtuar proceset gjyqësore dhe demokratike në Maqedoni me vendimet e tija irracionale. Do të kalojë një periudhë e gjatë për të përmirësuar dëmin që ai e ka bërë në këtë shtet. Pres që të ketë disa procese gjyqësore me vendim penalizimi kundër tij.

Fani Karanfillova Panovska, drejtoreshë e Fondacionit Shoqëri e Hapura – Maqedoni

Drejtoresha e Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Fani Karanfillova Panovska

Ivanov në dy mandatet e kaluara mund të themi se nuk u dëshmua si president i të gjithë qytetarëve, ai ishte iniciator dhe zbatues i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të cilat bënë ndarje në shoqërinë tonë në baza të ndryshme, nuk u tregua si njeri që të veprojë mbi qëndrimet partiake dhe t’i mbrojë interesat e shtetit dhe qytetarëve. Këtë e them duke i kujtuar disa vendime të tij, duke filluar me shkeljen e kushtetutës gjatë faljes së kriminelëve, gjegjësisht funksionarëve të lartë të pushtetit të atëhershëm, pastaj me refuzimin për t’ia dhënë mandatit shumicës së re parlamentare për të formuar qeveri, duke vazhduar me fjalorin e tij nacionalist për konspiracionin për “Platformën Shqiptare” që ndikoi në përleshjen e përgjakshme në Kuvend më 27 prill dhe deri te mosnënshkrimi i Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës.

Fatmir Sulejmani, profesor universitar dhe publicist

Fatmir Sulejmani
Fatmir Sulejmani

Në galerinë e kryetarëve tradicionalisht të këqinj, Gjorge Ivanovi qe kryetari më tragjikomik i burleskut të pandehur si Maqedoni antike. Atë e bëri kryetar dhe e mbajti në fron injoranca jonë dhe shqiptarofobia e tjetrit. Mjerisht, kjo qenie me shpirt përmasash mikroskopike, pa asnjë tipar burrështetasi vizionar, demokrat dhe të përgjegjshëm, qe vetëm njëra nga fatkeqësitë e këtij vendi, që nuk duhet të përsëritet më.

Mersel Bilalli, profesor universitar

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

Ivanov mund të mbahet mend si ekzemplar unikat për funksionin president për atë se si s’duhet të duket një president, i cili për fat të keq gjithë kësaj kohe vetëm se luajti rolin e një zëdhënësi t demode qeveritar. Ai në asnjë rast dhe asnjë segment si bartës i pushtetit të veçantë ekzekutiv nuk pati ndonjë mendim ndryshe nga qëndrimet qeveritare, e të mos flasim për qëndrime ku ai do të duhet të kundërshtonte diçka në politikat dhe veprimet qeveritare apo do të jepte ndonjë vizion të vetin alternativ. Me atë ai statusin e tij e përcaktoi si realizues të shume politikave famëkeqe të pushtetit të Gruevskit. Madje edhe pas tij, ai vazhdoi te njëjtën rrugë të baltosur dhe pa qëllim. Veçanërisht do të mbahet mend për tentimin e tij që të amnistojë bartësit e krimit të organizuar, e cila shtetin e solli gjer në kolaps të paparë edhe në kushte ballkanike. Do të mbahet mend edhe për mbajtjen e diskutimeve populste madje edhe në OKB me ç’rast edhe më tepër bllokonte zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Do të mbahet mend për mosnënshkrimin e Ligjit për gjuhet dhe ratifikimit të Marrëveshjes me Greqinë që është shkelje drastike e Kushtetutës. Dhe në fund do të mbahet mend edhe për atë se në asnjë segment nuk vepronte në ndërtimin e konsensuseve të përgjithshme në shume segmente të jetës shoqërore e politike, me çka i gjithë shteti u shndërrua në situata konfliktuoze në të gjitha poret e jetës shoqërore dhe në funksionimin e institucioneve.

Naser Ziberi, ekspert juridik dhe njohës i çështjeve politike

Naser Ziberi
Naser Ziberi

Dy mandatet e Ivanovit mendoj se janë dy mandate të djegura për postin e presidentit. Ai ka qenë një militant partiak i VMRO-DPMNE-së i cili asnjëherë nuk ka mundur të dalë nga kornizat dhe kthetrat e këtij subjektit dhe sidomos të ish kryeministrit Gruevski. Në mandatin e dytë ka bërë edhe veprime të cilat mund ta ndeshin me organet e drejtësisë, duke e keqpërdorur detyrën zyrtare si me faljen e një numri të madh të funksionarëve të VMORO-DPMNE-së të dyshuar për vepra të ndryshme penale, ashtu edhe me mosdhënien e mandatit dhe me mosnënshkrimin e Ligjit për gjuhët dhe Marrëveshjes së Prespës. Ivanov do të mbahet mend si figurë e cila nuk ka pasur integritet dhe dinjitet për postin që ka ushtruar, fatkeqësisht 10 vite.

Salajdin Saliu, profesor universitar dhe publicist

Salajdin Salihi
Salajdin Salihi

Ivanovin do ta mbajmë mend si personazh politik pa identitet, që asnjëherë nuk bëri vijë ndarëse ndërmjet interesit meskin partiak dhe interesit shtetëror. Do ta mbajmë mend si president që miratonte vendimet e një strukture partiake.

Do ta mbajmë mend për mungesën e sensit të burrështetasit, për fjalimet shpesh folklorike dhe komike.

Ivanovi ishte një president ashtu siç nuk duhej të ishte një president.

Sefer Selimi, drejtor i organizatës joqeveritare “Democracy Lab”

Sefer Selimi
Sefer Selimi

Presidenti Ivanov do të mbahet mend për lojalitetin e tij ndaj partisë që e solli në pushtet, në kurriz të qytetarëve dhe mirëqenies së përgjithshme. Përveç dështimit për t’u ngritur në nivelin e detyrës që e ushtroi, ai i bëri një nder pa dashur Maqedonisë. Duke menduar t’i shpëtojë funksionarët e inkriminuar në skandale korruptive përmes abolimit, ai nxiti revoltën qytetare që solli deri në ndryshimin e qeverisë. Mbase, kjo ishte edhe e mira e vetme që erdhi prej tij.

Vlladimir Petreski, kryeredaktor i mediumit “Vërtetmatësi”

Vlladimir Petreski
Vlladimir Petreski

Ivanov do të mbahet mend, para se gjithash, si president i cili verbërisht e ka ndjekur linjën e VMRO-DPMNE-së, madje edhe pasi që në pah dolën bisedat e përgjuara të cilat anë përmbajtur indikacione serioze për vepra të paligjshme nga ana e eshalonëve më të larta të kësaj partie, dhe të cilat u konfirmuan me vendimet e para gjyqësore në lëndën “TANKU”. Ivanov me vite nuk ka folur asnjë kritikë për sjelljen e kreut të VMRO-DPMNE-së, madje as për arratisjen e Gruevskit për të cilën vazhdon edhe sot e kësaj dite të heshtë. Ashtu siç heshtë, për shembull edhe për projektin “Shkupi 2014”. Heshtja është karakteristika kryesore gjatë sundimit të tij, legjitimiteti i të cilit edhe ashtu është nën dyshime të mëdha duke e ditur se gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2014, kur Ivanov e mori mandatin e dytë, të gjithë 100 kandidatët për deputetë të LSDM-së kundërshtare u përgjuan, por u përgjua edhe kundërkandidati i tij, Stevo Pendarovski.

Xhabir Ahmeti, publicist

Xhabir Ahmeti

Do të kisha dashur që Ivanovi të harrohet, të mos mbahet mend për shkak se ai ka qenë ndër kryetarët më jo-korrekt ndaj shtetit në radhë të parë, pastaj në mënyrë të veçantë ndaj shqiptarëtve. Nuk ka pasur konsiderata ndaj të drejtave elementare të njerëzve dhe ka qenë madje edhe arrogant për shumë çështje të rëndësishme. Ka qenë pengesë për ecjen e shtetit drejt BE-së, ai nuk e ka lejuar shtetin që të bëhet një shtet multietnik dhe i lirë. Nuk mbaj mend diçka të mirë prej kryetarit, prandaj më mirë do të kishte qenë ta harrojmë si një ëndërr jo të mirë.

Zoran Andonovski, kryeredaktor i agjencisë së lajmeve “Meta.mk”

Zoran Andonovski
Zoran Andonovski

Vetë numërimi i kontroverseve rreth Gjorge Ivanovit është komenti më i mirë se  çfarë presidenti ishte gjatë një dekade: I zgjedhur nga VMRO-DPMNE, i papranuar nga BDI; Thonë se ka qenë ideatori i antikuizimit; I është djegur Zyra Popullore në Shkup; E miratoi amnistinë më kontroverse në histori, të cilët më pas e tërhoqi; Nuk ishte në vend gjatë kohës së ngjarjeve të Kumanovës; Refuzoi t’ia japë mandatin Zoran Zaevit, pastaj ia dha; Refuzoi ta nënshkruajë Ligjin për gjuhët; Është i paqartë roli i tij në ngjarjet e 27 prillit – ka dashur ose jo të shpallë gjendje lufte? E gjithë kjo hedh hije të madhe ndaj Ivanovit, i cili, vlerësohet, se ishte më tepër baba i partisë në pushtet VMRO-DPMNE – dhe jo baba i popullit.

LEXO: DOSJE: të bëmat e presidentit Ivanov gjatë mandatit të dytë (INFOGRAFIK)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button