Xhabiri nga Tetova dhe bohemët e Zagrebit

Shumëkush mund të ketë dëgjuar për poetët bohemë: kroatin Antun Gustav Matoshin dhe boshnjakun Musa Qazim Qatiqin, por nuk di nëse ka dëgjuar dikush për njeriun shpirtbardhë, Xhabirin nga Tetova, i cili nuk kishte shkruar dhe lexuar asnjë poezi, sepse nuk dinte shkrim e këndim.

Xhabiri nga Tetova është shqiptari i parë që ka hapur kafene në Zagreb, ndërkaq klientë të përhershëm të tij ishin dy poetët e lartpërmendur.

Asimbeg Dugaliq, në shkrimin “Studentët myslimanë dhe shqiptarët” (botuar në Osvit, 19 mars 1944), e përshkruan jetën e studentëve nga Bosnja, që shkolloheshin në Zagreb gjatë vitit 1907, flet për Xhabirin nga Tetova dhe “për shqiptarët e parë në këtë qytet”.

Boshnjaku Jusuf Zija beu, një erudit, ithtar i xhonturqve dhe kundërshtar i sulltan Abdyl Hamitit, kishte ikur nga Stambolli dhe ishte vendosur në Zagreb. Ai në vitin 1907 e hapi një kafene të vogël turke në rrugën “Kaçiq”. Në kafenenë ekzotike dhe modeste, me disa tavolina, ca piktura orientale, disa xhezve, filxhanë, një tavllë dhe një tambure, që ja hiqte mërzinë beut, vinin për kafe dhe për një dorë tavllë studentët nga Bosnja dhe më vonë edhe personalitete të ndryshme nga Zagrebi. Sapo xhonturqit u forcuan kundrejt sulltan Abdyl Hamitit, Zija beu u bë njësh me ta, kurse punën e vazhdoi ndihmësi i tij, Xhabiri nga Tetova, “i vetmi shqiptar në Zagreb”.

Xhabiri, që përshkruhet si njeri i ndershëm, krenar e punëtor, pas një kohe hapi kafene në Ilici, pranë përmendores së Kaçiqit. Kur kafeneja e tij mbushej me klientë, tetovari shpirtmirë e kapte kokën me dorë dhe thoshte: “Vaj, vaj”, por klientët e përhershëm i dilnin në ndihmë. Ata ndjeheshin në këtë kafene si në shtëpinë e tyre.

Xhabiri zemërmirë çdokujt i ofronte groshë me ndonjë copë mishi, veçanërisht studentëve nga Bosnja. Tek ai shkonin ata që nuk kishin ndërmend të paguanin. Në kafenenë e tij vinin shumë poetë bohemë, që jetonin në Zagreb. Ata hanin, pinin dhe nuk paguanin me muaj. Dy më të njohurit, që i respektonte shqiptari, ishin: Antun Gustav Matoshi dhe Musa Qazim Qatiqi. Erdhi koha kur Xhabiri më nuk mund ta paguante as qiranë. Kur e pa se nuk kishte “selamet nga kjo punë”, ai e mbylli kafenenë dhe u kthye në Tetovë, ku e vazhdoi profesionin e tij, atë të ëmbëltorit, ndërkohë që kujtohej me respekt nga studentët, gazetarët dhe poetët bohemë të Zagrebit. Në vendlindje ai ua mësoi edhe të tjerëve zanatin: si të përgatitnin bozë, salep, hallvë të bardhë me arra, veçanërisht ëmbëlsirën e quajtur sultanbrot, që zagrebasit e quanin rahatllokume. Kështu, shumë shpejt, Zagrebi u mbush me shqiptarë, që shitnin ëmbëlsira.

Ëmbëltorët e Zagrebit, të rrezikuar nga konkurrenca, kërkuan dëbimin e shqiptarëve. Kur autoritetet vendore dhanë urdhër që shqiptarët ta lëshonin Zagrebin brenda 24 orëve, në skenë doli autoriteti i Xhabirit. Studentët boshnjakë dhe poetët bohemë, në shenjë respekti për tetovarin, i kërcënuan autoritetet vendore se nuk do të lejonin “që vëllezërit e tyre shqiptarë të dëboheshin nga metropoli i Zagrebit”. Ngulmimi i tyre u pranua nga autoritetet dhe shqiptarët vazhduan punën. Kur kroatët i njohën shqiptarët punëtorë dhe të qetë, filluan t’i respektonin dhe të miqësoheshin me ta.

Xhabiri i ndershëm nga Tetova nuk u pasurua, por emri i tij do të kujtohet sa herë që do të flitet për dy borxhlinjtë e tij: Matoshin dhe Qatiqin. Ai me zemërgjerësinë dhe ndershmërinë e tij krijoi imazh të mirë jo vetëm për veten, por edhe për bashkëkombësit që po i ëmbëlsonin zagrebasit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button