Autizmi nuk ndërlidhet me vaksinën MRP (MMR), tregon studimi më i ri madh

MRP vaksina për fruth, rubeolë dhe parotitis nuk e rrit rrezikun nga autizmi, as nuk shkakton autizëm te fëmijët, tregon studimi i fundit i madh i implementuar në 650.000 fëmijë, ka publikuar gazeta britanike “Gardijan”, transmeton Meta.mk

Studiuesit e kanë shfrytëzuar regjistrimin e popullsisë, për të vlerësuar nëse vaksina MRP paraqet rrezik nga autizmi te fëmijët e lindur, në Danimarkë, nga viti 1999 deri në vitin 2010.

Deri në gusht 2013 janë monitoruar gjithsej 657.461 fëmijë, ndërsa shkencëtarët kanë dokumentuar diagnoza me spektër të autizmit, si dhe faktorët e njohur të rrezikut siç janë mosha e prindërve, autizmi te vëllezërit ose motrat, lindja e parakohshme dhe pesha më e ulët e lindjes. Vaksinë MRP kanë pranuar më shumë se 95 për qind e fëmijëve, ndërsa 6.517 fëmijë janë diagnostikuar me autizëm. Vaksina MRP nuk e ka rritë rrezikun e autizmit tek fëmijët pa faktorë të rrezikut, nuk ka shkaktuar autizëm tek fëmijët me faktorë të rrezikut, ka zbuluar studimi i publikuar në revistën “Annals of the Internal Medicine” (Analet e mjekësisë interne).

“Ideja se vaksinat shkaktojnë autizëm është ende e pranishme dhe kap shumë hapësirë ​​në rrjetet sociale”, ka thënë Anders Hvid, autori kryesor i studimit dhe hulumtues në Statens Serum Institut në Danimarkë.

Pasi që antivakserët po bëhen gjithnjë e më të zëshëm, ndërsa frikën nga vaksina po e përhapin edhe personalitete të famshme dhe politikanë, Hvid dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dashur të marrin përgjigje të bazuara në shkencë. Kontributi më i madh në këtë studimi është se kanë qenë të përfshirë edhe fëmijë me rrezik nga autizmi, thotë Dr. Pol Oftit, drejtor i Qendrës për edukimin e vaksinave në spitalin e fëmijëve në Filadelfi. Ai tani shpreson se këto prova do të bindin prindërit me fëmijë të vegjël, për rrezikun nga çrregullime të spektrit të autizmit, se vaksina nuk e rrit rrezikun.

Miti për lidhshmërinë e vaksinës me autizmin vjen nga studimi i Endru Uejkfilld, i botuar në vitin 1998 në revistën mjekësore “Lancet”. Uejkfilld u financua nga një firmë ligjore që donte të padisë prodhuesit e vaksinave MRP. Në vitin 2010, ai e humbi licencën mjekësore.

Një vit më vonë, “Lancet” e tërhoq studimin, për shkak se hetimi kishte zbuluar se Uejkfilld i kishte ndryshuar ose i kishte gabuar të dhënat e dymbëdhjetë fëmijëve, të cilët ishin baza për përfundimin e studimit të tij. Studime të shumta më vonë, nuk kanë gjetur lidhje midis vaksinës dhe autizmit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button