Presidenti francez Makron përmes një letre të hapur ndau vizionin e tij për Evropën edhe me qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Në një letër, drejtuar qytetarëve evropianë, botuar sot më 5 shkurt, presidenti Emanuel Makron, shpalosi vizionin e tij për Evropën dhe për projektet, që synon t`i mbrojë dhe të cilave dëshiron t`i qëndrojë pas. Letrën e dedikuar edhe për banorët e Maqedonisë së Veriut, të plotë edhe në shqip ua sjell Portalb.mk.

“Qytetarë të Evropës,

E mora guximin që t`ju drejtohem drejtpërdrejt, jo vetëm në emër të historisë dhe vlerave që na bashkojnë. Kemi një emergjencë, andaj edhe nuk kemi shumë kohë për të humbur. Pas disa javësh, zgjedhjet evropiane do të jenë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, Evropa kurrë nuk ka qenë kaq e nevojshme dhe e domosdoshme. E megjithatë, Evropa kurrë nuk ka qenë kaq shumë e rrezikuar.

Brexit (dalja e Britanisë) është simboli i kësaj. Simbol i krizës së Evropës, e cila nuk ishte në gjendje t`i përgjigjet nevojave për mbrojtje të popullit, përballë goditjeve të mëdha, që i shkaktonte bota bashkëkohore. Simbol, gjithashtu, edhe i kurthit evropian. Kurthi nuk është te përkatësia e Bashkimit Evropian; por tek gënjeshtrat dhe papërgjegjshmëritë, që mund ta shkatërrojnë atë. Ua shpalosi ndokush britanikëve të vërtetën për të ardhmen e tyre pas Brexit-it? Kush u ka folur atyre për humbjen e qasjes në tregun evropian? Vallë, u ka folur ndokush atyre për rreziqet e paqes në Irlandë, duke rrezikuar kthimin në kufirin e së kaluarës? Skuta e tërheqjes nacionaliste nuk ofron asgjë; është thjesht një refuzim pa projekt. Dhe ky kurth është rrezik për mbarë Evropën: shfrytëzuesit e mllefit dhe zemërimit, të mbështetur nga informacionet e rreme, premtojnë gjithçka.

Të ballafaquar me këto manipulime, ne duhet të qëndrojmë të fuqishëm. Krenarë, të kthjellët dhe mendjemprehtë. Të themi së pari se çfarë përfaqëson Evropa. Është një sukses historik: pajtimi i një kontinenti të shkatërruar, në një projekt të ri paqeje, prosperiteti dhe lirie. Mos e harroni kurrë këtë. Dhe ky projekt vazhdon të na mbrojë edhe sot: cili vend mund të veprojë i vetëm kundër strategjive agresive të fuqive të mëdha? Kush mund të pretendojë të jetë sovran, i vetëm, kundër gjigantëve dixhitalë? Si mund të përballemi me krizat e kapitalizmit financiar pa euron, e cila është një forcë për tërë Bashkimin? Evropa do të thotë gjithashtu edhe mijëra projekte të përditshme, që kanë ndryshuar karakterin e territoreve tona, çdo shkollë të mesme të rinovuar, çdo rrugë e ndërtuar, dhe qasje e shpejtë në internet, që më në fund e kemi. Kjo betejë është një angazhim i përditshëm, sepse Evropa, sikurse edhe paqja, nuk është diçka që fitohet një herë dhe zgjat përgjithmonë. Në emër të Francës, unë e zhvillojë këtë betejë, pa pushim, për Evropën, për të ecur përpara dhe për të mbrojtur modelin e saj. E kemi dëshmuar, se ajo që na ishte thënë, se ishte e paarritshme, siç ishte krijimi i mbrojtjes evropiane apo mbrojtja e të drejtave sociale, ishte më se e mundur.

Por, ne duhet të bëjmë më shumë, dhe sa më shpejt. Sepse ekziston edhe një kurth tjetër, që ndërlidhet me status kuo-n dhe mohimin. Të përballur me goditjet e mëdha që po ndodhin në mbarë botën, qytetarët shpesh thonë: “Ku është Evropa? Çfarë po bën Evropa? Për ta, ajo është shndërruar në një treg të pashpirt. Por, Evropa nuk është thjesht një treg, por një projekt. Tregu është i dobishëm, por nuk duhet të errësojë nevojën për kufij, që na mbrojnë dhe për vlera që na bashkojnë. Lajthiten nacionalistët, kur pretendojnë të mbrojnë identitetin tonë duke u tërhequr nga Evropa; sepse qytetërimi evropian na bashkon, na çliron dhe na mbron. Dhe po mashtrohen ata, që nuk duan të ndryshojnë asgjë, sepse mohojnë frikën që ekziston midis kombeve tona, dyshimet që po minojnë demokracitë tona. Jemi në një moment vendimtar për kontinentin tonë; në një moment kur, së bashku, kolektivisht, duhet t’i përshtatim në planin politik dhe kulturor, format e qytetërimit tonë në botën që po ndryshon. Andaj, ka ardhur koha për një rilindje evropiane. Prandaj, duke i kundërshtuar tundimet e tërheqjes dhe ndarjeve, ju propozoj që së bashku të ndërtojmë këtë rilindje, nëpërmjet tre qëllimeve të përcaktuara: lirisë, mbrojtjes dhe përparimit.

Le të mbrojmë lirinë tonë

Modeli evropian mbështetet në liritë e njeriut, në larminë e mendimeve, në krijimin. Liria jonë e parë, është liria demokratike. Le t`i zgjedhim ata, që na udhëheqin, sa herë që ne votojmë, qoftë edhe kur forcat e huaja përpiqen të ndikojnë në votat tona. Propozoj që të krijohet një Agjenci Evropiane për Mbrojtjen e Demokracisë, e cila do të sigurojë ekspertë evropianë për secilin shtet anëtar, për të mbrojtur procesin zgjedhor kundër sulmeve dhe manipulimeve kibernetike. Në atë mendësi dhe frymë pavarësie, ne gjithashtu duhet të ndalojmë financimin e partive politike evropiane nga fuqitë e huaja. Duhet të ndalojmë me ligje evropiane në internet, çdo gjuhë urrejtjeje dhe çdo formë dhunë, sepse respektimi i individit është themeli i qytetërimit tonë dinjitoz.

Le të mbrojmë kontinentin tonë

I bazuar në pajtimin e brendshëm, Bashkimi Evropian ka harruar të shikojë drejt realiteteve në botë. Por, asnjë komunitet nuk krijon ndjenjën e përkatësisë, nëse nuk ka kufi që i mbron ato. Kufiri ka kuptimin të jesh i lirë në një hapësirë të sigurt. Ne duhet të vendosim rendin në zonën Shengen: të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë, duhet të përmbushin detyrimet që dalin dhe përgjegjësisë (kontrolli i rreptë kufitar) dhe solidariteti (politika e njëjtë në azil, rregullat e njëjta të pranimit dhe refuzimit). Një polici të përbashkët kufitare dhe një zyrë për azil evropian, kontrollim të rreptë të detyrueshëm, solidaritet evropian, në të cilin çdo vend do të kontribuojë, nën autoritetin e Këshillit Evropian për sigurinë e brendshme: të përballur me migrimin, unë besoj në një Evropë që mbron vlerat e saj dhe kufijtë e saj përkatës.

Të njëjtat kërkesa duhet të zbatohen edhe për në fushën e mbrojtjes. Është bërë një përparim i rëndësishëm gjatë dy viteve të fundit, por ne duhet të vendosim një kurs të qartë: të vendosim një marrëveshje mbrojtjeje dhe sigurie, që do të përcaktojë detyrimet tona të domosdoshme, së bashku me NATO-n dhe aleatët tanë evropianë: të rritet pragu i shpenzimeve ushtarake, të vendoset një klauzolë për mbrojtje operative të ndërsjellë, të krijohet Këshilli Evropian i Sigurisë, që përfshin edhe Mbretërinë e Bashkuar, për të përgatitur vendimet tona kolektive.

Kufijtë tanë duhet gjithashtu të sigurojnë konkurrencë të ndershme dhe të drejtë. Cila fuqi botërore do të pranojë të vazhdojë edhe më tej bashkëpunimin me ata që nuk i respektojnë, qoftë edhe rregullat e veta? Nuk mund të pësojmë, pa thënë asgjë. Duhet të reformojmë politikën tonë të konkurrencës, të rishikojmë bazat e politikës sonë tregtare: të sanksionojmë ose të ndalojmë kompanitë në Evropë, që dëmtojnë interesat tona strategjike dhe vlerat bazë, siç janë standardet mjedisore-ekologjike, mbrojtja e të dhënave dhe pagesa e drejtë tatimore; dhe të sigurojmë, në fushën e industrive tona strategjike dhe të tregjeve tona publike, një përparësi apo preferencë, për atë që është produkt evropian, ashtu siç e bëjnë edhe konkurrentët tanë amerikanë apo kinezë.

Le të kthejmë frymën e përparimit

Evropa nuk është një fuqi e rangut të dytë. Evropa, në tërësinë e saj, është një avangardë: ajo ka ditur gjithmonë të përcaktojë standardet apo normat e progresit. Për këtë qëllim, Evropa duhet të ofrojë një projekt që unifikon, përpara se të arrihet konkurrenca: Evropa, ku është krijuar sigurimi social, duhet të vendoset për secilin punëtor, që nga Lindja e deri në Perëndim, e që nga Veriu deri në Jug, një mburojë sociale që do të garantojë të njëjtën pagë për të njëjtën punë, si dhe një pagë minimale evropiane, e përshtatur për çdo vend dhe që do të vlerësohet kolektivisht çdo vit.

Nëse duam të jemi në hap me përparimin, atëherë duhet të marrim rolin udhëheqës në luftën ekologjike. Si do t`i shikojmë fëmijët tanë në sy, nëse nuk lirohemi nga borxhi ynë klimatik? Bashkimi Evropian ka nevojë të vendos qëllimin dhe ambicien e tij – 0 karbon në vitin 2050, përgjysmim të pesticideve deri në vitin 2025 – dhe t`ia përshtatë politikat e tij kësaj kërkese: Banka Klimatike Evropiane për financimin e tranzicionit ekologjik; Forca shëndetësore evropiane për të forcuar kontrollin e ushqimit tonë; kundër kërcënimit të grupeve me ndikim, vendosja apo aplikimi i një vlerësimi të pavarur shkencor të substancave që janë të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin … Ky imperativ duhet të udhëheqë të gjitha veprimet tona: nga Banka Qendrore e deri te Komisioni Evropian, nga buxheti evropian deri të plani i investimeve për Evropë , të gjitha institucionet tona duhet të kujdesen për klimën.

Progresi dhe liria do të thotë të qenit në gjendje për të jetuar nga puna përkatëse që bëjmë, që të krijohen vende pune, Evropa duhet paraprakisht të bëjë planifikim. Kjo është arsyeja se pse Evropa, jo vetëm që duhet të rregullojë gjigantët dixhitalë, duke aplikuar mbikëqyrje evropiane të platformave kryesore (sanksion të përshpejtuar ndaj sulmeve mbi konkurrencën, transparencë të algoritme të tyre …), por edhe duke financuar risitë (novacionet), duke i ndarë Këshillit të ri Evropian për novacione, një buxhet, që mund të krahasohet me atë të Shteteve të Bashkuara, që ta marrim rolin udhëheqës, në fushën e avancimeve të reja teknologjike, të tilla si ajo e inteligjencës artificiale.

Një Evropë, e hapur ndaj botës, do të duhet të kthehet kah Afrika, me të cilën duhet të ndërtojmë një pakt për të ardhmen. Të jemi të vetëdijshëm, se kemi një të ardhme të përbashkët, duke mbështetur zhvillimin e saj, në një mënyrë ambicioze, e jo defanzive: investimet, partneritetet universitare, edukimin dhe arsimimin e vajzave të reja…

Liri, mbrojtje, progres. Mbi këto shtylla duhet të ndërtojmë rilindjen evropiane. Ne nuk mund të lejojmë që nacionalistët, të cilët nuk ofrojnë zgjidhje, të përfitojnë nga zemërimi i popullit. Ne nuk mund të jemi somnambulë në një Evropë të dobësuar. Nuk mund të qëndrojmë në rutinë, në përgjumje dhe yshtje të përgjithshme. Humanizmi evropian kërkon veprim. Kudo, qytetarët kërkojnë të marrin pjesë në ndryshime.

Andaj, deri në fund të vitit, me përfaqësuesit e institucioneve dhe shteteve evropiane, le të organizojmë një konferencë për Evropën, për t`i propozuar të gjitha ndryshimet e nevojshme në projektin tonë politik, pa tabu, madje pa rishikimin e marrëveshjeve. Kjo konferencë duhet të përfshijë panelet e qytetarëve, opinionet e akademikëve, përfshirjen e partnerëve socialë, si dhe përfaqësuesit fetarë dhe shpirtërorë. Ajo do të përcaktojë udhërrëfyesin e Bashkimit Evropian, që do t`i shndërrojë në veprime konkrete këto prioritete kryesore. Kuptohet, që do të ketë mosmarrëveshje, por a është më mirë që të mbetet Evropa e betonuar (e ngrirë) apo t`i mundësojmë asaj, që ajo të përparojë, qoftë ndonjëherë edhe në ritme të ndryshme, por megjithatë duke mbetur e hapur për të gjithë?

Në një Evropë të tillë, popujt do të marrin me të vërtetë kontrollin mbi të ardhmen e tyre dhe mbi fatet e tyre; jam i bindur, se në një Evropë të tillë, Britania e Madhe, me siguri se do ta gjejë vendin e saj.

Qytetarët të Evropës, qorr-sokaku i shkaktuar nga Brexiti, është një mësim për të gjithë ne. Le të dalim nga ky kurth, le t`i japim kuptim zgjedhjeve të ardhshme dhe projektit tonë. Ju takon juve, të vendosni nëse Evropa dhe vlerat e progresit që ngërthen ajo, duhet të përfaqësojnë diç më shumë, se një digresion apo parantezë në histori. Kjo është zgjedhja që unë ju ofroj, që së bashku ta trasojmë rrugën drejt Rilindjes evropiane.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button