Osmani: Duhet ta bindim BE-në për fillim të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut

Zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për çështje evropiane, Bujar Osmani, ka kryesuar mbledhjen e tretë të këtij viti të Komitetit Punues për Integrime Evropiane, në të cilën kanë marrë pjesë sekretarët shtetërorë të ministrive dhe ekipi negociues me Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Lidhur me punën e Komitetit për Eurointegrime të cilin e kryeson vetë zv/kryeministri Osmani, ai tha se është instrumenti më i madh për koordinimin e administratës për përgatitjen e vendit për anëtarësim në BE, ndërsa mbledhjet e këtilla, sipas tij, janë pjesë e aktiviteteve për mobilizimin e administratës.

Osmani u zotua të mobilizoj edhe administratorin e fundit, ndërsa theksoi se ekziston një disponim i jashtëzakonshëm edhe në komunitetin ndërkombëtar, si rezultat i mbylljes së temave të mëdha politike, duke aluduar para se gjithash në ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

“Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë duarkryq tani, për shkak se kemi mbyllur temat e mëdha politike. Në fakt ne duhet t’i kryejmë detyrat tona të brendshme, në drejtim të reformës së gjyqësorit, administratës publike, shërbimeve të inteligjencës dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Plani 18 po realizohet me dinamikë optimale. Mirëpo, pres angazhim të gjithanshëm përfshirë edhe mbështetje politike nga partitë politike për t’i kaluar këto paketa ligjesh”, tha Osmani.

I pyetur nëse miratimi i reformave përkatëse, respektivisht miratimi i ligjeve në Kuvend, do të zhvillohet sipas afateve të paracaktuara, Osmani tha se gjithnjë para shpejtësisë i është dhënë përparësi cilësisë. Megjithatë, Osmani theksoi se nuk duhet stërzgjatur me këto procedura, pasi në qershor vendet anëtare të BE-së duhet të marrin vendim nëse do të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.

Në fund, zv/kryeministri Osmani kërkoi nga opinioni që krahas temave aktuale politike, siç janë zgjedhjet presidenciale, të mbaj fokusin edhe në temat që kanë të bëjnë me integrimin e vendit në BE.

Plani 18 vijon pas Planit 3-6-9 qeveritar, me të cilën qeveria zotohet për zbatim të reformave të kushtëzuara për anëtarësim të vendit në BE. Plani 3-6-9 ishte miratuar në vitin 2017, bazuar në programin e Qeverisë, Marrëveshjen e Përzhinos, Raportin e Pribres, të Komisionit të Venecias, Komisionit të Grekos, si dhe rekomandimeve OSBE-ODIHR.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë, në qershor të vitit të kaluar morën datë të kushtëzuar për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button