Me dekada kemi laborator për luftë me ndotjen e ajrit, por nuk e kemi akredituar

Ndonëse ekziston shumë vite, që nga viti 1980, Laboratori qendror në përbërje të Ministrisë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor nuk ka status të laboratorit të akredituar nacional, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Laboratori qendror për mjedis jetësor, që është më e vjetër se vet Ministria, e trashëguar nga ish Hekurana, në aspektin organizativ i takon Sektorin për mjedis jetësor në Drejtorinë për mjedis jetësor si organ në përbërje të MMJPH dhe, sipas pozitës dhe pajisjes që ka do të duhej të jetë në funksion kryesisht të punës së Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor, duke u furnizuar atë me analiza të mostrave që merren në terren dhe për të përcaktuar burimet e ndotjes.

Megjithatë, për shkaqe të paqarta dhe të pasqaruara shteti që nga pavarësimi deri më tani nuk ka mbledhur forca dhe nuk ka bërë përpjekje që ta aftësojë tërësisht, me kuadër dhe materiale, këtë institucion për t’iu përgjigjur obligimeve nga fusha e mbrojtjes së mjedisit jetësor.

Sipas informatave nga vet Ministria, menjëherë pasi ajo është themeluar, në vitin 1995 nëpërmjet donacioneve të huaja është marrë eko-autobus, përkatësisht laborator portabil me të gjitha instrumentet e nevojshme për të matur ndotjen e ujërave dhe për të matur zhurmën. Por, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe punës joekonomike me atë komplet instrumentesh, brenda një kohë relativisht të shkurtë ai s’ka mund të përdoret.

Të përgatitur mirëpo të harruar

Në vitin 2007, në suazat e projektit nga programi KARDS është bërë plan për atë se cili institucion mund të akreditojë metoda për të përcjellë forma të ndryshme të ndotjes, ashtu që është vendosur cilësinë e ujërave ta përcjellë DPHM me ç’rast përcjelljen e Liqenit të Ohrit dhe florën dhe faunën e tij do ta monitorojë Enti Hidrometeorologjik i Ohrit, ndërsa Instituti për shëndet publik ta monitorojë cilësinë e ujërave për larje, rrezatimin dhe pesticidet, duke përfshirë edhe matjet për lindanin.

Atëherë ka qenë i përgatitur edhe plan i përgjithshëm për akreditim të laboratorit të Ministrisë për testim të zhurmës, ndotjen e ajrit dhe për hedhurina.

“Deri më tani, si rezultat i më shumë projekteve për ndërtim të kapacitetit të këtij laboratori, i njëjti është pothuaj i gatshëm për akreditim. Kemi edhe resurse njerëzore edhe pajisje, kurse metodat kontrollohen vazhdimisht, aparatura mirëmbahet rregullisht” thotë Ana Petrovska, sekretare shtetërore në Ministrinë për mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor.

Petrovska thotë se prej vitit 2012 ata rregullisht e informojnë Qeverinë për mjetet e nevojshme për akreditim të Laboratorit qendror për mjedis jetësor dhe për akreditim të laboratorit kalibrues për cilësinë e ajrit. Si përgjigje Qeveria vazhdimisht i angazhon të bëjnë ndryshime në sistematizimin me të cilat do të hapen vende pune për një ose dy menaxher për cilësi dhe ai sistematizim, siç informon Petrovska, për momentin bëhet në MMJPH.

Për laboratorin s’ka para as në buxhetin për vitin 2019

Sipas sekretares shtetëror, nevojiten rreth 5,5 milion denarë për përfundimin e procesit, të akreditohen numër i mjaftueshëm i metodave të akredituara që laboratori të mund t’i shërbejë mirë Inspektoratit për mjedis jetësor në punën e vet. Megjithatë, ky proces nuk do të përfundojë as këtë vit. Ministria nuk ka marrë, në buxhetin për vitin 2019, mjete të mjaftueshme për t’u përfunduar procesi i akreditimit, por vetëm 700 mijë denarë që mjaftojnë vetëm për mirëmbajtje teknike të gjendjes ekzistuese të laboratorit.

Aftësimi i laboratorit për karakterizim cilësor të hedhurinave, përkatësisht akreditimi i saj për hedhurina nuk është futur fare në atë shumë.

“Për matje të ndotjes së ajrit kemi ekip të kompletuar, derisa për zhurmën nevojitet të plotësohet kapaciteti, ndërsa për hedhurinat pothuaj nuk është filluar asgjë” thotë Petrovska.

Në mungesë të laboratorit të akredituar nën ombrellë të shtetit, kapacitetet e mëdha dhe të vogla industriale, me licenca të integruara A dhe B, ndotës potencial, analizat e tyre të emetimit, të cilët i kanë obligim ligjor, ende i bëjnë në laboratore private.

Kontrolli i ndotësve – biznes jashtë ombrellës së shtetit

Petrovska thotë se ajo nuk e konteston cilësinë e punës së laboratorëve private, por  e rëndësishme është edhe koha kur bëhen matjet e emetimeve, ashtu që sugjeron në konflikt të mundshëm të interesave.

“Kapacitetet industriale matjet i bëjnë kur u konvenon atyre dhe mund të ndodh që ndonjë inspekcion, që dëshiron të realizojë kontroll inspektues të paralajmëruar ose të pa paralajmëruar të ketë kornizë të angazhimit, sipas kontratës së nënshkruar vjetore, mund të rezultojë që një prej atyre 3-4 laboratorëve të duhet t’ia kontrollojë vetvetes cilësinë e testimit të matjeve të kryera” shton Petrovska.

Ajo shton se me ligj nuk është paraparë që laboratori i cili ka nënshkruar kontratë të tillë atë vit do të përjashtohet nga realizimi i matjeve tek të tjerë, për shkak se në atë rast askush nuk do të kishte pasur interes financiar për të nënshkruar kontratë me inspekcionin. E gjithë kjo e sugjeron domosdoshmërinë e ekzistimit që laboratori i pavarur i akredituar të kyçet në zbatimin e kontrollit inspektues.

Edhe pikat e matjes – të pa akredituara

As 17 stacionet matëse që e monitorojnë ndotjen e ajrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga të cilat gjashtë gjenden në Shkup, e të cilët janë nën kompetencën e Laboratorit qendror të MMJPH nuk janë të akredituara.

Në pyetjen e “Meta” si atëherë duhet që matjet e këtyre stacioneve matëse të konsiderohen si relevante, Petrovska thotë se bëhet fjalë për teknologji të rekomanduar nga BE-ja në të cilën duhet të ketë besim.

“Bëjmë kontrolle intern-laboratorike dhe mund të them se rezultatet tona janë vazhdimisht të mira, donë të thotë aspak nuk ka dyshim për kredibilitetin  e këtyre të dhënave. Në rrjetin e Agjencisë evropiane për mjedis jetësor sistemi jonë është lavdëruar, rezultatet janë të mira, ashtu që në atë fushë jemi në rrugë të mirë” ka shtuar ajo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button