DASHURIA PËR GJUHËN

– A duhet Mehmed, a Mehmet?
– A Muhamed, Mohamed, Muhammed, apo Muhamet?
– Sadat apo Sedat?
– Asad apo Esat?
– Xhamal apo Xhemal?
– Abdel apo Abdyl?
– Anvar, a Enver?
Kuptohet – Enver.

Dilema të njohura. Kudo që janë njerëzit tonë shpeshherë pyesin: si duhet?  Dikush thotë kështu, tjetri ashtu, i treti kundërshton. Flasin kështu, e shtjellojnë dhe trajtojnë këtë çështje. Midis tyre ka politikanë, deputetë, njerëz që kohën e shumtë që e kanë e shpenzojnë në kafene. Ka edhe sehirxhinj, të cilët shikojnë duke mbllaçitur çamçakëza ose duke hëngër kikirika.
Nuk ka vetëm gjuhëtarë e shkrimtarë, sepse në këtë shoqëri ata kanë mbetur bira e fundit e kavallit. Dhe, të gjithë këta “e dinë” si duhet. Sepse “e duan” gjuhën shqipe. Prandaj kjo dashuri e krijoi atë mbiemrin e famshëm “ilinditase” për nevojat e politikës ditore. Kështu e ka dashuria. Nuk kanë thënë kot se dashuria shpeshherë të çon në qorrsokak ose të fundosë në greminë.

Të thjeshta në shikim të parë janë këto gjera, këto dilema, “a duhet kështu apo ashtu”, por janë një problem për gjuhën tonë të shkruar…  Janë një egjër që duhet ta shkulim e ta largojmë nga gjuha jonë. Dhe, jo vetëm kaq. Janë problem edhe për identitetin tonë.

Dilemat për përdorimin e drejtë të emrave me origjinë arabe dhe semite na kanë ardhur nga dy burime: nga informacionet e shumta që vijnë përmes mediave në gjuhën angleze, por edhe nga hoxhallarët e shumtë që vijnë nga vende të ndryshme arabe ku i kryejnë studimet e kthehen nëpër fshatrat e qytetet tona, pa i nostrifikuar diplomat e tyre dhe pa dhënë provime plotësuese në gjuhën e publikut me të cilin do të punojnë, pa e njohur historinë e këtyre vendeve ku jetojnë shqiptarët etj. Ata na i sjellin emrat me shqiptim anglez ose arab.

Menjëherë duhet të themi se këta emra kanë arritur ndër shqiptarë në kohën e Perandorisë osmane. Popullsia e islamizuar shqiptare i ka marrë nga osmanishtja, ua ka përshtatur ligjeve fonetike të gjuhës shqipe dhe të tillë janë bërë pronë e fushës së emërtimeve të shqiptarëve myslimanë, madje shpesh edhe të katolikëve. Duke u përdorur kështu me shekuj, ata janë bërë pjesë e thesarit të huazimeve të gjuhës shqipe.

Prandaj, doemos do të përdoren kështu: Mehmet – jo Memed ose Mehmed, Sedat – jo Sadat, Esat – jo Asad, Xhemal – jo Xhamal, Abdyl – jo Abdel, Enver – jo Anvar.

Kështu duhet sepse kështu i ka asimiluar gjuha shqipe. Vetëm kështu! Ndryshe jo, sepse do të vazhdojmë ta ngarkojmë edhe më shumë gjuhën tonë me kakofoninë të cilën e shkakton erozioni leksikor që derdh baltë për çdo ditë në gjuhën tonë përmes mediave dhe internetit, përmes kafenesë e rrugës, ku  “autoritete gjuhësore” të shqipes janë bërë i hurit dhe i konopit. Të cilët mbahen se e duan gjuhën shqipe, ndërkaq, titujt nëpër media, emërtimet e ndryshme publike  i sakatojnë, bashkë me rregullat e gjuhës shqipe. Sepse ata e kanë tapinë e gjuhës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button