ZOT, PO VETËVRITEMI!

Një mëngjes uikendi. E parkojmë veturën para njërës nga furrat dhe futemi brenda për të blerë bukë. Me të dalë, shohim se jemi bllokuar nga një veturë tjetër; të dyja, e jona dhe e djalit në të njëzetat formojnë një T. I bëjmë me shenjë se duhet të dalim. Nxehet aq shumë, bën një aksion të dhunshëm sa s’ia nxorri gomat makinës, një kthesë të përnjëhershme të timonit sa s’u rrokullis. O Zot thash më vete, pse të dalë taktit për asgjë? Një ditë tjetër, fëmijë të moshës 12-13 vjeçare i thyejnë xhamat e ish-komunës sonë me gurë e ç’u vie në dorë, “me pasion” për violencë. Pse? Sikur s’kanë punë tjetër. Nëse ngjiteni në autobusin urban do konstatoni se rinia jonë hipin e zbresin pa kaluar kartelën, pa paguar dhe s’u bën pët syri. Vidhet kjo e ajo bankë, grabiten shtëpitë e kurbetqarëve në filan qytetin, divorcet e çifteve rinore në rritje marramendëse…

Se ç’dreq ka hyrë në shpirtrat tonë dhe mesin tonë social? Se ç’gjendje e shkarjeve sociale na ka pllakosur si bashkësi, si shoqëri! Dhimbje, pas dhimbjeje, tmerr pas tmerri. Herë në njërin skaj, herë në tjetrin dëgjojmë vetëm për zezona, për kriminalitet, për vrasje për pak e për shumë, për vagabondizëm, grabitje, ekzekutime për pak e për shumë. Kriza e thellë është kjo. Krizë vlerash, krizë shpirti, krizë humaniteti. Gjaku jonë ka humbur peshën si shenjtëri, si gjë e paprekshme, si i mbrojtur me ligjëratë ligjore e fetare. Jemi duke rënë në provimin e shkollës së jetës. Kemi një popullatë rinore të lazdruar, të krekosur, të azdisur tejmase, me të gjitha të mirat materiale, por pa busull të jetës, rini të zhbalancuar, që e ka humbur objektivin, që s’di pse jeton, që të zezës i thotë e bardhë e të bardhës i thotë e zezë. Një rini që mjetin e transpotit sa më të shtrenjtë (SUV), muzikën, jetën e natës, bastoret, ushqimin e mediatizuar e ka bërë mënyrë jetese, për të cilën s’është me rëndësi se si është fitohet paraja, me rëndësi është se ç’makinë vozit, si zbret, çfarë porosit para kamarierit, ku e pi “kafenë elitare”, ku bën checkin’. Një rini që s’e mendon gjendjen e prindërve të vet që të dikurshme, që s’di për bukë e kripë, për brezat që jetonin me të veten, pa borxhe, pa zënka të “skemës”. Brezi i sodit, në Selanik për kafe, në Dubai për shoping, në Stamboll për qejf, në Bansko për dimërim, në Tiranë për patriotizëm. Celularët me 4 kamera, pa një libër të lexuar. Një aristokraci të rrejshme, një borgjezi masovike të paqenë imitojnë shqiptarët e rinj të kohës sonë. Shenjë e kiametit është kjo. Kur djali i loparit të deridjeshëm shitet për “boss”, pa e ditur se ç’domethënie ka kjo fjalë. Dhe duke krijuar një brez parazit, një brez vagabondësh, “nëntokësorësh” që janë “in”, rol model i rinisë, neve de facto biem poshtë e më poshtë.  Të gjithë kemi probleme, si prindër, në fqinjësi, në lagje, në rrugë, në parking, në pazar, në kafene, në shkollë… Rrihemi, goditemi, vritemi, vetëshkatërrohemi. Zaten, një popull që ka rini të prishur s’ka nevojë për armik e armiq. Është armik i vetëvetes.

Gjendja e krizës na bie shuplakë për çdo ditë. Rastet e fundit: Strugë, Saraj, Tetovë flasin për vete. Na bëjnë që të frikohemi për veten dhe fëmijët, për ardhmërinë. Siguria është humbur totalisht. Del e s’kthehesh më. Të grabisin, të plaçkisin, të vrasin, të varrosin dhe prapë qarku kataklizmatik vazhdon. Si na erdhi kjo gjendje? Si të shpëtojmë prej saj? Mes tjerash, si rrjedhim i një modernizimi të pabazë, si një keqkuptim i jetës. Hyrjen në demokraci dhe kapitalizëm i keqperceptuam. Liria nuk nënkupton pakufishmërinë, as kapitalizmi pasurimin nga tjetri dhe përmes të gjitha metodave, përfshirë edhe hajninë, malverzimet, por shpirtin e punës, kursimit dhe ndershmërisë (Weberi). “Nga gjyshi haxhi te nipi mafi”.  Ky brez punën s’e do, kursimin hiç, nderin e ka hequr prej fjalori. Në krizë është shkolla, universiteti, të mos flasim për politikën dhe politikanët. Shkolla për momentin vetëm arsimon, shumë pak edukon. Aty ku vendoset themeli çalojmë. E kryejmë punën vetëm për hir të punës, pa përkushtim profesional, pa deontologji. Fëmijës së tjetrit të rrallë janë ata që i qasen si fëmija i vet, shumë pak këshilla jepen, shumë pak ju flitet jashtë plan-programit. Politikanët janë simbol i korrupsionit, prishjes, degradimit. Në krizë është edhe feja, sado që flitet për revitalizim të fesë, fetari të tepërt, ultra-fetarizëm, radikalizëm. Prijësit fetar i ka rënë reputacioni sa s’bën. Flitet e flitet, ama sa dilet jashtë faltores zgjidhet kursi personal, harrohet diskursi hyjnor. Sikur fetaria të ishte vetëm brenda tempullit.

Si rrjedhim dita-ditës po bëhemi gjithnjë e më me pak durim, më të dhunshëm, më agresivë. Rinia jonë po socializohet me të keqen, po del jashtë vijës kryesore dhe merr do udhë që na bëjnë të humbim shpresën. Shpirtra të rinj po ikin; gjaku jonë është bërë shumë i lirë. E vrasim njëri-tjetrin, vetëveten. Po vetëvritemi, o Zot! Ditën e natën, madje edhe për festa.  Na ka zënë e mira, gjithçka kemi, rehati e lumturi s’kemi. Liria na është bërë pelin. Dy rrugë i kemi: (1) të shikojmë e t’i ngremë duart kah qielli dhe (2) të fillojmë me përmirësimin e gjendjes nga vetëvetja! Edhe Perëndia s’e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ai nuk e ndryshon vetëveten! Pjesën më të madhe të përgjegjësisë e kemi ne, më të pjekurit, më të vjetrit, në veçanti personat referencialë. Na duhet të krijojmë një vetëperceptim tjetër për tjetrin, jetën, pasurinë, krijesat, botën në përgjithësi. Mos t’i llastojmë fëmijët, t’u japim detyra, t’ua mbjellim vlerat si dashuria, respekti, sinqeriteti… T’i lëmë armët se s’është kohë lufte, t’i kapim lapsat, mjetet e teknologjive informatike, librat, se s’ka çka na duhet luksi kur s’kemi kulturë, mirëveti e edukatë! Ta mbyllim me një shembull të bukur: sot nga lajmet mësuam në një vend të huaj, në katinën e shkollës fillore s’ka shitës. Nxënësit marrin ç’duan vetë dhe paguajnë vetë, duke i hedhur paratë në një kuti. Mësohen për vlerën e ndershmërisë. Krahasojeni me realitetin tonë. Njerëz, nëse duam, mund të përmirësohemi. Përndryshe, vetëfarohemi!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button