Rigrupim ose vetëm defokusime në skenën politike të Maqedonisë?

Kur publiku i Republikës së Maqedonisë së Veriut mendonte se koalicioni qeveritar mes Lidhjes Socialdemokrate të Zoran Zaev dhe Bashkimit Demokratik të shqiptarëve të Ali Ahmetit, ishte i fortë si graniti – ai u lëkund. Dy partitë, të dyja viktima të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë, kur u lëndua kryeministri Zoran Zaev, deputetë dhe gazetarë – e shkatërruan dashurinë – ose së paku kështu dukej – as më pak e as më shumë pikërisht kur  duhej t’i hiqet imuniteti ish-kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski, shkruan Meta.mk.

Socialdemokratët e akuzuan, me fjalë të ashpra, partinë e Ahmetit, nga e cila është Kryetari aktual Talat Xhaferi, zgjedhja e të cilit ishte shkas për dhunë, se po flirton me partinë e të arratisurit dhe azilantit politik Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) vetëm për të mbrojtur nga paraburgimi-burgu Veljanoskin. LSDM-ja në përshkallëzimin e grindjes me fjalë, madje përkujtoi se, teorikisht,  është e mundur qeveri pa Ahmetin.

Kjo nuk ishte shumë e qartë për njeriun e rëndomtë në Maqedoni, i cili ende ka kujtime të gjalla se “ra gjak” që Xhaferi të zgjedhet, ndërsa ai tani bën çdo gjë që pikërisht njeriu (Veljanoski) i cili është i dyshuar si një nga organizatorët e atij incidenti të përgjakshëm, të qëndrojë në liri!

Por, asgjë nuk është aq e thjeshtë dhe kjo tregon, edhe një herë, se në politikë asgjë nuk është ashtu siç duket në shikim të parë.

Po afrohen zgjedhjet presidenciale të cilat sërish i ngjajnë sallatës maqedonase, por me një mëlmesa të forta shqiptare: Socialdemokratët e vështirë do të zgjedhin president nëse ai nuk mbështetet nga Ahmeti dhe partia e tij, të cilës në anën tjetër mbi kokë i qëndrojnë, si shpata e Damokles, disa akuza për fiksim të rezultateve zgjedhore dhe korrupsion, kur ishte në koalicion me partinë e Gruevskit.

Po, Ahmeti tani me shkeljen e syrit kah VMRO-DPMNE, sikur po kërkon të kursehet nga hetimet dhe akuzat e Prokurorisë speciale publike, e cila po i ndjek veprat penale që dalin nga një seri bisedash të përgjuara dhe kështu e kushtëzon mbështetjen për Zoran Zaev në çdo hap.

Takimi i tyre i përbashkët, para disa ditësh, nuk ka sjellë asgjë të re në veçanti, përveç se janë dakorduar që të kenë të ashtuquajturin kandidat konsensual për president, kandidat që duhet të shpallet më 3 mars.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button