fbpx

Veseli: Duhet mençuri për të mbajtur Bondsteel-in në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka dashur të komentojë shumë sa i takon kërkesave amerikane që i sollën në Prishtinë dy zyrtarët e lartë amerikanë, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Evropën, John Erath dhe Drejtori për Çështjet Evropiane Brad Berkley.

Dy zyrtarët amerikanë, Earth dhe Berkley, patën takime me liderët institucionalë dhe opozitën në Kosovë gjatë kësaj jave. Pas këtyre takimeve, mediat raportuan se zyrtarët amerikanë kanë përmendur edhe largimin e bazës ushtarake amerikane, Bondsteel nga Kosova, transmeton REL.

Mirëpo Veseli nuk beson se Kosova do të përballet me largim të pranisë ushtarake amerikane.

“Do të qëndrojë baza Bondsteel, por ne duhet të jemi më të mençur për ta mbajtur ketë bazë por edhe të promovojmë këtë prezencë amerikane, me biznese amerikane. Në vend se të mendojmë, ne tani, si ta kryejmë procesin e dialogut, si të marrim ulëse në OKB pa e cenuar territorin e Kosovës e të mendojmë për aspekte ekonomike që investitorë amerikanë e gjermanë të vijnë në Kosovë, ne po merremi ende me vetveten”, ka deklaruar Veseli në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarët e lartë amerikanë, Earth dhe Berkley, gjatë javës kanë zhvilluar takime të përbashkëta me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, me përfaqësues të opozitës si dhe pjesëtarët e delegacaionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë.

Pas takimeve është konfirmuar se dy zyrtarët e lartë amerikanë, kanë ripërsëritur kërkesën amerikane për pezullimin e taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hervegovina si dhe hapjen e rrugës për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe pas takimit me zyrtarët amerikanë, ka deklaruar se taksa nuk do të hiqet pa pasur si garanci një kontratë se Serbia do të njohë Kosovën dhe se në bisedimet me Serbinë nuk do të flitet për ndryshim të kufijve të Kosovës.

Taksa prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës është vendosur në nëntor të vitit të kaluar.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close