ËNDËRR MASHTRUESE

Ëndrra shqiptare për të jetuar pa saç mbi kokë është e vjetër sa historia e njerëzimit. Duke qenë etni me etnopsikologji, gjuhë, tradita e zakone të veçanta, ne qemë përherë pre hegjemonishë, të cilave u bëmë ballë sa mundëm. Por, mbrojtja e vazhdueshme e dinjitetit dhe lirisë pati tagër të rëndë, të paguar me sakrificat sublime të më shumë brezave – me zvogëlimin e numrit tonë dhe tkurrjen e Atdheut të natyrshëm.

Fatkeqësisht, edhe pas vitit 1912, shtati ynë u ricopëtua nga fqinjët nëpërka. Më shumë se gjysma e shqiptarëve mbetën nën thundrat e tjetrit, të privuar nga të drejtat elementare dhe të dhunuar nga shovinizmat turlifare. Por, atëherë kur dukej se asimilimi i shqiptarëve të mbetur jetimë ishte çështje kohe, shpërthyen demonstratat e rinisë studentore të vitit 1981, që tërhoqën fuqishëm vëmendjen e opinionit botëror dhe prishën imazhin e një shteti diktatorial, i cili sa për sy e faqe shitej si më liberali në bllokun bolshevik.

Në këtë demonstratë, njësoj si në atë të vitit 1968, shqiptarët kërkuan të drejtat e tyre legjitime: të jenë të barabartë me popujt e sajesës titiste – të jenë etni shtetformuese, të gëzojnë të drejtat e shkollimit në të gjitha nivelet, të gëzojnë të drejtën e përdorimit të lirë të Gjuhës zyrtare shqipe nëpër institucione dhe në administratë, të përdorin lirshëm simbolet kombëtare…

E veçanta e demonstratave në fjalë është e dhëna se në të dy rastet shqiptarët reaguan si komb, duke sfiduar kufijtë artificialë ndërmjet tyre dhe shtetit Amë, veçmas kufijtë absurdë të vendosur dhunshëm ndërmjet shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia, e cila për t’na sunduar, kontrolluar dhe diciplinuar më mirë, zbatoi modelin e pushtuesve të mëhershëm të ndarjes së trupit tonë në vilajete, duke na bërë pikepesë nëpër republikat e sllavëve të jugut. Qe kjo taktika e lashtë hegjemoniste: Përçaj e sundo!, nga e cila na u duk se shpëtuam përfundimisht, veçmas pas konflikteve të armatosura gjithandej ku jetojmë. Por, përkundër të dhënës se Kosova u bë shtet i pavarur, kurse ne të tjerët fituam disa të drejta, ato mbeten të pamjaftueshme për aq kohë sa do të lejojmë t’na konsiderojnë përqindje dhe për aq kohë sa do të lejojmë t’na konsiderojnë etni pakicë, të drejtat e së cilës do të varen nga mëshira e pushteteve me mendësi mesjete.

Se në ç’gjendje janë shqiptarët sot duket ashiqare nga ekzodi masiv i rinisë dhe shprazja tragjike të trojeve tona, që, për nga përmasat tmerruese, ua kalon të gjitha shpërnguljeve të mëhershme.

Në kësi rrethanash, duket sikur ëndrrat tona të mbetura gjallë nëpër skuta shpirti edhe në kohëra dhunash të egra, po shuhen pakthyeshëm, ndaj druaj se jemi vonuar tmerrësisht shumë për ta ndalur boshatisjen e trojeve shqitare nga të rinjtë që, për herë të parë në histori, shtegtojnë botës me buleta njëkahëshe. Tani më janë shprazur gati në tërësi fshatrat dhe kolera e braktisjes së Atdheut është duke vdekur qytetet me shumicë shqiptarësh. Ata që kanë ikur e vazhdojnë të ikin përgjithmonshëm tani më maten me qindra mijëra, po, për çudi, ne akoma flasim për shkuarjen e të rinjëve në kurbet, duke i ngatërruar fenomenet dhe gjëmën tonë me ikjen e të rinjve nga shtetet e situuara me dhjetra miliona banorë. Ky lloj justifikimi, natyrisht u jep krahë agjencive të specializuara “turistike”, matrapazëve e sekserëve, që ndihmojnë pa dhimtë shprazjen e përfundme të shqiptarisë nga elementi shqiptar, duke joshur për ekzod jo vetëm të rinjtë që realisht nuk kanë nga t’ia mbajnë, por edhe ata që me punët e gjertanishme kanë krijuar njëfarë mirëqenie në vendin ku kanë lindur dhe ku kanë dëshirë ta jetojnë jetën.

Në vija të trasha, ky është shkaku, që e shndërron të ardhmen tonë në ëndërr mashtruese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button