Shqipëria mirëpriti Samitin e Dytë të Diasporës

Në Tiranë është organizuar ceremonia e mikpritjes për pjesëmarrësit në Samitin e Dytë të Diasporës Shqiptare, i cili do të mbahet në dy ditët në vazhdim në disa sesione, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesëmarrës në ceremoninë e mbajtur në Pallatin e Brigadave ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, zyrtarë nga vendet e rajonit, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Gjatë aktivitetit, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, në një fjalë përshëndetëse theksoi se ky samit paraqet një zhvillim të veçantë për pjesëtarët e diasporës.

“Politikanët e të gjithë trevave shqiptare vijnë jo që ju të na dëgjoni, por që t’ju dëgjojnë. Në Samitin e Dytë të Diasporës do të jemi të gjithë bashkë për të diskutuar, për t’u përgjigjur pyetjeve, shqetësimeve dhe problemeve. Do të jemi për t’u bërë të ndiheni më afër me njëri-tjetrin, më afër me vendlindjen, për të qenë gjithë bashkë për një shqiptari më të mirë. Diaspora mbetet një histori e pashkruar për atë që ka bërë e do të bëjë. Sfidat që na presin janë edhe më të veçanta”, tha Majko.

Samiti zhvillon punimet deri më 2 mars, dhe organizohet nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe Kryeministrisë së Shqipërisë.

Gjatë samitit ku marrin pjesë personalitete të diasporës shqiptare nga vende të ndryshme të botës do të organizohen disa panele diskutimi dhe do të trajtohen çështjet si “Vota si e drejtë”, “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm”, “Vendlindja dhe diaspora”, “Identiteti shqiptar”, etj.

Në Samitin e Dytë të Diasporës do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Samiti i Parë i Diasporës është mbajtur në nëntor të vitit 2016 në Tiranë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button