Debat për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit, kazinot të largohen 3 kilometra larg vendbanimeve

Në debatin publik të organizuar sot nga Fakulteti Juridik të Universitetit të Tetovës, me temë “Propozimet për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit”, Fakulteti Juridik shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Lëvizjen Anti-Bixhoz dhe për të dhënë kontribut në ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit. Në debat ishin të pranishëm edhe anëtarë të Lëvizjes Anti-Bixhoz, njofton Portalb.mk.

Temë e debatit të mbajtur sot në Tetovë ishte rëndësia e ndryshimit të Ligjit për lojërat e fatit. Fakulteti Juridik i UT-së shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Lëvizjen Anti-Bixhoz që kazinot dhe bastoret të largohen jashtë qytetit.

Sipas tyre, ata janë në gjendje ta vënë në shërbim tërë kapacitetin dhe potencialin intelektual që ky problem të zgjidhet.

“Sipas të dhënave, vetëm në qytetin e Tetovës kemi më shumë se 37 kazino si dhe një numër të madh të bastoreve sportive. Qëllimi ynë është që këto kazino dhe bastore t’i largojmë nga vendbanimet tona në vijë ajrore 3 kilometra”, u shpreh Dekani i Fakultetit Juridik, Qebir Avziu.

Xhemal Abdiu, nga Lëvizja Anti-Bixhoz tha se përkrahja e të gjithë qytetarëve është e rëndësishme në luftën e tyre për ndryshimin e Ligjit për lojërat e fatit dhe se debati i sotëm tregon që ata po luftojnë për një dukuri që doemos duhet të ndryshohet.

Ai theksoi se kërkesa e tyre më e rëndësishme për të cilën ata po insistojnë që doemos të përfshihet në ligj, është largimi i kazinove 3 kilometra nga vendbanimet si dhe larg qendrave të qytetit dhe objekteve fetare.

Në debat morën pjesë edhe profesorët e Fakultetit Juridik, si: Bashkim Selmani, Arta Bilalli, Afrim Osmani. Gjithashtu, Musa Musai foli edhe për qasjen psikologjike ndaj këtij problemi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button