Dënime me burg në rastin “Titanik 2”: Mijallkovi me 3 vjet, Thaçi me 3.2 vjet (VIDEO)

Në Gjykatën Penale në Shkup, sot është shpallur aktgjykimi për rastin “Titanik 2”. Për 6 persona, janë parashtruar 19 vjet e 8 muaj dënim me burg, transmeton Portalb.mk.

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Sasho Mijallkov është dënuar me 3 vjet
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi me 3 vjet e 2 muaj.

Ish anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ): Bedredin Ibraimi me 4 vjet e 6 muaj, Aneta Stefanova me 3 vjet, Vllatko Sajkovski me 3 vjet dhe Sasho Sërcev me 3 vjet.

Pas kësaj, prokurorja e Speciale, Fatime Fetai ka kërkuar paraburgim për Sasho Mijallkovin dhe Bedredin Ibraimin, sipas saj, se të njëjtët rrezikohet të arratisen. Për të tjerët, ka kërkuar parashtrim të masës së kujdesit. Ndaj kësaj kanë reaguar Mijallkovi dhe Ibraimi.

“Nëse vendosi Apeli, do ta vuaj burgun. Me arratisje nuk zgjidhen problemet. Stili i të jetuarit tim nuk është arratisja”, tha Mijallkov.

“Bedredin Ibraimi është lindur këtu, këtu do të jetojë dhe do të vdes. Derisa nuk dëshmoj se nuk kam faj, këtu do të qëndroj dhe më pas në fytyrë do të ju qesh. Nuk mund ta keqpërdor të drejtën, dhe të kërkojë paraburgim”, tha Ibraimi.

Gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurores Fetai

Pas kërkesës së Fetait, gjykatësi Ognen Stavrev ka njoftuar se e ka pranuar kërkesën për paraburgim të të Mijallkovit dhe Ibraimit.

Për Thaçin, Sërcevin, Sajkovskin dhe Stefanovskën është caktuar masë e kujdesit, një herë në javë të paraqiten në gjykatë.

Nga të gjithë të dënuarit, vetëm Menduh Thaçi nuk ka qenë i pranishëm.

Sipas aktakuzës, Sasho Mijallkovi, duke e shfrytëzuar fuqinë e vet të cilën e ka pasur në shoqëri dhe raportet e afërta me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçin, në vitin 2013-të, është paraqitur te ai dhe i ka kërkuar, që anëtari i KSHZ-së nga PDSH-ja, Bedredin Ibraimi të votojë për shkatërrim të votimit në vendvotimin në Strumicë, edhe pse për atë nuk ka pasur bazë. Thaçi është paraqitur te Ibraimi, dhe ai ka votuar për shkatërrim.

Anëtarët tjerë të KSHZ-së, Sërcev, Sajkovski dhe Stefanova, edhe ato kanë votuar për shkatërrim të votimit, edhe pse numri i votuesve të regjistruar dhe numri i votuesve ka qenë i njëjtë. Ky vendim i KSHZ-së ka ndikuar që të ketë rivotim, dhe të dëmtohet buxheti.

Të gjithë të akuzuarit e “Titanik 2”, përveç Sasho Mijallkovit, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, ndërkaq ish shefi i Policisë Sekrete akuzohet për veprën penale “marrje të dhuratës për ndikim të kundërligjshëm”.

Nga “bombat” e publikuara të partisë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), kur ka qenë në opozitë, mund të dëgjohet se si Mijallkov dhe Thaçi merren vesh për votim në lidhje me ankesat e dorëzuara deri te KSHZ-ja. Gjykata e Apelit i ka pranuar dy “bomba” që të jenë pjesë e dëshmive materiale në këtë lëndë.

LEXO KËTU PËR MË SHUMË RRETH RASTIT – “TITANIK 2” 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button