Takimi Zaev-Ahmeti: Është arritur marrëveshje për kandidat të përbashkët presidencial

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të BDI-së Ali Ahmeti. Pas takimit është prononcuar Ahmeti duke thekuar se temë kryesore e takimit kanë qenë  zgjedhjet presidenciale në vend, duke theksuar se është arritur marrëveshje që në këto zgjedhje partnerët e koalicionit të dalin me një kandidat të përbashkët. Sipas Ahmetit kjo duhet të bëhet një standard dhe një shembull në dobi të vendit dhe qytetarëve, përcjell Portalb.mk.

“Biseduam mbi të gjitha zhvillimet në vendin tonë po edhe në rajon, sigurisht që tema thelbësore ishe çështja e zgjedhjeve presidenciale. Bëmë një analizë thelbësore sepse duhet të vendoset një standard në vendin tonë edhe pse janë bërë përpjekje edhe më herët por të pasuksesshme për të dhënë porosi të shëndetshme tek qytetarët tanë, sepse kemi një shoqëri dhe parti politike të pjekura tani më që të mund të marrin aktivitete të përbashkëta edhe për kryetarin e shtetit, kështu që ramë dakord që në këto zgjedhje të dalim bashkërisht me një kandidat të përbashkët dhe kjo të bëhet një standard për republikën tonë që edhe në të ardhmen të shërbejë si një shembull dhe një standard dobi prurës për vendin dhe për qytetarët”, deklaroi Ahmeti pas takimit me Zaevin

Ndryshe, LSDM-ja të premten do të shpallë dhe emrin e kandidatit për president.

“Imuniteti i Veljanoskit”, Zaev: Pa BDI-në i kemi 58 deputetë

Sa i takon zhvillimeve në seancën plenare ku duhej t’i hiqej imuniteti deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski, dhe akuzave për njëra – tjetrën të partive në pushtet, LSDM dhe BDI se po bëjnë “kalkulime me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE”, lideri Zoran Zaev e demantoi deputetin e partisë së tij, Muhamed Zekiri ku thotë se “mundet qeveria edhe pa BDI-në”.

“Kemi koalicion me 68 deputetë. Nëse i marrim 10 deputetët e BDI-së, kemi 58, do të thotë nuk kemi 61. Kështu që, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Për këtë, subjektet politike serioze, qasen seriozisht ndaj të gjitha problemeve”, tha Zaev.

Ndaj deklaratës së Zekirit ka reaguar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili e quajti gabim shumë të madh mundësinë e qeverisjes së LSDM-së pa partinë e tij.

“Nëse mbahet qeveria edhe pa BDI, atëherë mund të them se bëhet shumë gabim. Por do të thoja se kjo është deklaratë e një anëtari të LSDM-së, dhe se nuk mbart përgjegjësinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Ahmeti.

Sa i takon veprimit të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, Zaev ka thënë se nuk mund t’i kërkohet përgjegjësi, por se presin përgjigje për atë se pse nuk iu mor imuniteti deputetit Veljanoski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button