BFI-ja e pakënaqur me propozim-ligjin e abortit, ka dy kërkesa

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shprehur pakënaqësi ndaj propozim-Ligjit për ndërprerjen e shtatzënisë (abortit), duke kërkuar ndryshim të neneve 2, 3, 4 dhe 8. BFI-ja ka kërkuar që aborti të mos lejohet pasiqë shtatzënia të ketë kaluar 120-ditëshin, dhe për abortin të pyetet edhe bashkëshorti apo babai i foshnjës, transmeton Portalb.mk.

Arsyeja e moslejimit të abortit pas 120-ditëshit të shtatzënisë, sipas BFI-së qëndron në argumenti se fëmija në këtë periudhë ndihet i gjallë.

“Ndërprerja e shtatzënisë (aborti), sipas Islamit, mund të bëhet maksimum deri në 120 ditë, nga dita e shtatzënisë (katër muaj). Aborti deri në këtë afat kohor trajtohet si çështje e ndërgjegjes, kurse aborti pas 120 ditëve trajtohet i paligjshëm dhe, si i tillë, konsiderohet vepër penale, që nënkupton se organi kompetent detyrohet të ngrejë padi penale si për mjekët që e kanë kryer abortin, ashtu edhe për femrën që ka abortuar. Arsyeja e ndalimit të abortit pas kësaj periudhe (120 ditëve) është se fëmija pas kësaj kohe ndihet i gjallë dhe i sigurohet e drejta e jetës, do të thotë sulmi ndaj tij është sulm ndaj jetës”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Ndërkaq sa i takon mosmarrjes së pëlqimit nga bashkëshorti apo babai i foshnjës në rast të abortit, nga BFI-ja thonë se bëhet shkelje e të drejtave elementare të njeriut.

“Pranimi i abortit vetëm me pëlqimin e gruas shtatzënë, pa pëlqimin e bashkëshortit, siç përmendet disa herë në propozim-Ligj, siç janë nenet 2, 3, 4 etj. nuk përkon me parimet e përgjithshme të drejtësisë së përgjithshme, e aq më pak me parimet e jurisprudencës islame, andaj edhe kjo është  papranueshme”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Nga atje sqarojnë se reagimi ndaj këtij propozim-ligji vjen për shkak se në Maqedoni një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë të përkatësisë religjioze islame, dhe presin se kërkesat do të merren parasysh nga Qeveria.

LEXO: Qeveria miratoi Propozim-ligj më liberal për abortin

Përndryshe, propozim-ligji i abortit në seancë qeveritare kaloi më 29 janar, ndërkaq i njëjti është në procedurë në Kuvendin e Maqedonisë. Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se me zgjidhjen e propozuar ligjore, realizohet e drejta e gruas për ndërprerjen e sigurt të shtatzënisë, ndërsa vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë, pacientja do të ketë mundësi ta sjell me vetëdije, pa presion dhe në bazë të informatave objektive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button